Ministria e Financave

Ministria e Financave ka hartuar dhe miratuar raportin e Monitorimit të Strategjisë Kombëtare kundër Mashtrimit për Mbrojtjen e Interesave financiare të Bashkimit Evropian, 2025-2030, për vitin 2025. Raporti vjetor i monitorimit të Strategjisë dhe planit të saj të veprimit përfshin periudhën Qershor- Dhjetor 2025 dhe pasqyron progresin e arritur në zbatimin e aktiviteteve dhe arritjen e objektivave të parashikuara për këtë periudhë. Ai shërben si mjet monitorimi dhe vlerësimi, si dhe për identifikimin e mangësive dhe në vijim të veprimeve që do të propozohen për trajtimin e këtyre mangësive.

Raporti Vjetor i Monitorimit të SKKM për vitin 2025

Strategjia e parë Kombëtare e Shqipërisë Kundër Mashtrimit 2025-2030 dhe Plani i saj i Veprimit është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr.275, datë 09.05.2025. Ky dokument pasqyron angazhimin politik të Shqipërisë në luftën kundër parregullsive dhe mashtrimeve, duke nxitur besimin në institucionet publike dhe siguruar përdorimin e fondeve të BE-së në mënyrë efektive dhe në zbatim të plotë të kuadrit ligjor të Bashkimit Evropian dhe atij vendas, dhe jo vetëm.

Dokumenti specifikon qasjen e plotë që ka Shqipëria për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe sigurimin e administrimin e shëndetshëm të fondeve të BE-së gjatë periudhës së saj të para-anëtarësimit. Kjo strategji është në pajtim me direktivat e BE-së dhe objektivat kombëtare, që krijon bazën për përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër parregullsive dhe mashtrimeve.

Qëllimi kryesor i SKKM-së është të rrisë parandalimin, zbulimin dhe kushtet për hetimin e mashtrimit, duke siguruar njëkohësisht nivele të duhura të rregullimit dhe parandalimit.

SKKM-ja luan një rol thelbësor në përmirësimin e efektshmërisë së buxhetit nga fillimi i procesit deri tek përfituesi përfundimtar. Ajo është pjesë e një qasjeje tërësore për luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit, që plotëson iniciativat e fundit të paraqitura nga Komisioni Evropian për përfshirjen në programe të ndryshme financimi të BE-së masat e duhura kundër mashtrimit.