Ministria e Financave

Zbatimi i projektit “Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat” mblodhi sot në një platformë ndërinstitucionale dialogu aktorët kryesorë të përfshirë në këtë proces. Ministria e Financave u përfaqësua nga Zv.Ministri Endrit Yzeiraj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, ndërsa të pranishëm ishin dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, dhe Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, z.Massimiliano Paolucci.
Projekti i “Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat” (National Single Window) përbën një reformë të rëndësishme që synon modernizimin dhe digjitalizimin e procedurave doganore në Shqipëri. Krijimi i kësaj platforme përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për ekonominë shqiptare, pasi nuk lidhet vetëm me lehtësimin e tregtisë, por edhe me transformimin digjital të shërbimeve doganore. Përmes këtij sistemi, të gjitha procedurat e importit, eksportit dhe tranzitit do të qendërzohen në një platformë të vetme digjitale që do të menaxhohet nga Administrata Doganore.

Gjatë takimit u theksua fakti se kjo reformë do të sjellë përfitime konkrete për ekonominë dhe administratën publike pasi, shkëmbimi automatik i të dhënave, analiza e integruar e riskut dhe koordinimi ndërinstitucional do të reduktojnë hapësirat për evazion dhe abuzim, duke e bërë procesin më transparent dhe më të kontrollueshëm. Në të njëjtën kohë, bizneset do të përfitojnë nga reduktimi i kohës në kufi, ulja e kostove dhe rritja e parashikueshmërisë në procedurat tregtare.
Përmes këtij sistemi bizneset do të dorëzojnë informacionin vetëm një herë, ndërsa platforma do ta shpërndajë automatikisht tek institucionet përkatëse, duke mundësuar verifikimin e formaliteteve jodoganore në mënyrë të automatizuar, standardizimin e të dhënave dhe koordinimin e kontrolleve ndërinstitucionale.

Gjithashtu, “Dritarja e Vetme Kombëtare” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, pasi është konceptuar në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian dhe kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 29 “Bashkimi Doganor”.
Dritarja e Vetme Kombëtare vjen si një kërkesë e drejtpërdrejtë që buron nga agjenda e lehtësimit të tregtisë dhe detyrimeve, që rrjedhin nga Marrëveshja për Lehtësimin e Tregtisë në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Zbatimi i projektit mbështetet nga Banka Botërore, në kuadër të programit për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor.