Ministry of Finance

Zbatimi i projektit “Dritarja e Vetme Kombëtare për Doganat” mblodhi sot në një platformë ndërinstitucionale dialogu aktorët kryesorë të përfshirë në këtë proces. Ministria e Financave u përfaqësua nga Zv.Ministri Endrit Yzeiraj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, ndërsa të pranishëm ishin dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, dhe Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, z.Massimiliano Paolucci.
Projekti i “Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat” (National Single Window) përbën një reformë të rëndësishme që synon modernizimin dhe digjitalizimin e procedurave doganore në Shqipëri. Krijimi i kësaj platforme përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për ekonominë shqiptare, pasi nuk lidhet vetëm me lehtësimin e tregtisë, por edhe me transformimin digjital të shërbimeve doganore. Përmes këtij sistemi, të gjitha procedurat e importit, eksportit dhe tranzitit do të qendërzohen në një platformë të vetme digjitale që do të menaxhohet nga Administrata Doganore.

Gjatë takimit u theksua fakti se kjo reformë do të sjellë përfitime konkrete për ekonominë dhe administratën publike pasi, shkëmbimi automatik i të dhënave, analiza e integruar e riskut dhe koordinimi ndërinstitucional do të reduktojnë hapësirat për evazion dhe abuzim, duke e bërë procesin më transparent dhe më të kontrollueshëm. Në të njëjtën kohë, bizneset do të përfitojnë nga reduktimi i kohës në kufi, ulja e kostove dhe rritja e parashikueshmërisë në procedurat tregtare.
Përmes këtij sistemi bizneset do të dorëzojnë informacionin vetëm një herë, ndërsa platforma do ta shpërndajë automatikisht tek institucionet përkatëse, duke mundësuar verifikimin e formaliteteve jodoganore në mënyrë të automatizuar, standardizimin e të dhënave dhe koordinimin e kontrolleve ndërinstitucionale.

Gjithashtu, “Dritarja e Vetme Kombëtare” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, pasi është konceptuar në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian dhe kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 29 “Bashkimi Doganor”.
Në këtë aktivitet, Drejtori i Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator në Ministrinë e Financave, z. Edmond Ahmeti, prezantoi qëllimet dhe përfitimet kryesore të nismës, e cila ndodhet në fazën përfundimtare të miratimit nga Këshilli i Ministrave. Ai theksoi se projekligji synon ngritjen e një sistemi të unifikuar elektronik, ku doganat dhe autoritetet e tjera publike shkëmbejnë në mënyrë të koordinuar dokumentet dhe informacionin për procedurat doganore dhe jodoganore. Ky model modern i administrimit të proceseve doganore pritet të rrisë transparencën, të përmirësojë llogaridhënien institucionale dhe të ulë ndjeshëm barrën administrative për biznesin, duke harmonizuar praktikat vendase me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Dritarja e Vetme Kombëtare vjen si një kërkesë e drejtpërdrejtë që buron nga agjenda e lehtësimit të tregtisë dhe detyrimeve, që rrjedhin nga Marrëveshja për Lehtësimin e Tregtisë në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Zbatimi i projektit mbështetet nga Banka Botërore, në kuadër të programit për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor.