Ministria e Financave

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 186, datë 19.03.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, në mbledhjen e datës 3 Prill 2026 vendosi:

1.Të miratojë çmimet tavan/maksimale të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, për Benzinë të standardit SSHEN 2282018 dhe Gazoil të standardit SSHEN 5902018.

2.Vlera “Premio” zbatohet sipas publikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të një dite më parë.

3.Çmimet e miratuara nga Bordi, të cilat reflektojnë çmimet e nënprodukteve në Bursë, të publikuara nga agjencia ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD, në kushtet e lëvrimit FOB Med, detyrimet doganore/tatimore që aplikohen, si dhe marzhe bruto maksimale të tregtimit, (përfshijnë edhe TVSH-në), janë çmime tavan/maksimale në zbatim të metodologjisë së përcaktuar në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar. Në zbatim të kësaj metodologjie, për datën 3.4.2026, rezulton se çmimi tavan i shitjes me pakicë për produktin “gazoil” është në masën 233 lek/litri.

4.Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë të gazoil është më i lartë se 220 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës, Bordi ka rillogaritur çmimin tavan të shitjes me shumicë dhe pakicë të gazoil, duke zbatuar nivelin e akcizës prej 31.50098 lekë/litri, për gazoil sipas kodit të NKM: 27101944.

5.Çmimet tavan/maksimale të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve, pas zbatimit të metodologjisë të përcaktuar në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, i ndryshuar, dhe Aktit Normativ nr. 1, datë 03.04.2026, janë si më poshtë:

Çmimet tavan (max), për shitjen me shumicë të produkteve

  • 212 Lekë/litri për gazoilin;
  • 169 Lekë/litri për benzinën.

Çmimet tavan (max) për shitjen me pakicë të produkteve

  • 224 Lekë/litri për gazoilin;
  • 181 Lekë/litri për benzinën.

6.Ngarkohet administrata doganore të bëjë zbatimin në sistem të nivelit të reduktuar të akcizës për produktin Gazoil sipas kodit të NKM: 27101944 me 31.50098 lekë/litri.

7.Asnjë operator ekonomik nuk mund ti tregtojë këto nënprodukte mbi çmimet tavan të Vendimit të Bordit. Çdo operator ekonomik me shumicë dhe pakicë, është i lirë ti tregtojë këto nënprodukte me çmime më të ulëta se çmimet tavan/maksimale të miratuara nga Bordi.

8.Efektet e këtij vendimi fillojnë në datë 03.04.2026, ora 20:00, deri në një njoftim të dytë të marrë në mbledhjen e radhës. Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha shoqëritë që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, në zbatim të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.