Ministria e Financave

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit, në mbledhjen e datës 26 Mars 2026, vendosi të miratojë çmimet tavan/maksimale të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, për Benzinë të standardit SSHEN 2282018 dhe Gazoil të standardit SSHEN 5902018.
Çmimet e miratuara nga Bordi, të cilat reflektojnë çmimet e nënprodukteve në Bursë, të publikuara nga agjencia ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD, në kushtet e lëvrimit FOB Med, detyrimet doganore/tatimore që aplikohen, si dhe marzhe bruto maksimale të tregtimit, (përfshijnë edhe TVSH-në) janë çmime tavan/maksimal dhe asnjë operator ekonomik nuk mund t’i tregtojë këto nënprodukte mbi çmimet tavan të Vendimit të Bordit. Çdo operator ekonomik me shumicë dhe pakicë është i lirë t’i tregtojë këto nënprodukte me çmime më të ulëta se çmimet tavan/maksimale të miratuara në Bord.
Si rrjedhojë, çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të jetë jo më shumë se 203 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 191 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë të jetë jo më shumë se 175 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot datë 26 Mars, ora 18:30, dhe do të jenë të vlefshme deri në një njoftim të dytë në mbledhjen e radhës.
Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë të angazhuara të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe të ruajnë parimet e konkurrencës së ndershme në treg.
Situata që po kalojmë nuk është e zakontë dhe vendimet që merren vijnë si përgjigje e zhvillimeve të ekonomisë vendase, por edhe e lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.