Ministria e Financave

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbledhjen e datës 10 Prill 2026 vendosi:

1.Të miratojë çmimet tavan/maksimale të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, për Benzinë të standardit SSHEN 2282018 dhe Gazoil të standardit SSHEN 5902018.

2.Vlera “Premio” zbatohet sipas publikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të një dite më parë.

3. Çmimet e miratuara nga Bordi, të cilat reflektojnë çmimet e nënprodukteve në Bursë, të publikuara nga agjencia ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD, në kushtet e lëvrimit FOB Med, detyrimet doganore/tatimore që aplikohen, si dhe marzhe bruto maksimale të tregtimit, (përfshijnë edhe TVSH-në), janë çmime tavan/maksimale në zbatim të metodologjisë së përcaktuar në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar.

4.Çmimet tavan/maksimale të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve, pas zbatimit të metodologjisë të përcaktuar në ligjin nr. 8450, datë 24.2.1999, i ndryshuar, janë si më poshtë:

Çmimet tavan (max), për shitjen me shumicë të produkteve

  • 205 Lekë/litri për gazoilin;
  • 164 Lekë/litri për benzinën.

Çmimet tavan (max) për shitjen me pakicë të produkteve

  • 217 Lekë/litri për gazoilin;
  • 176 Lekë/litri për benzinën;

5.Asnjë operator ekonomik nuk mund t’i tregtojë këto nënprodukte mbi çmimet tavan të Vendimit të Bordit. Çdo operator ekonomik me shumicë dhe pakicë, është i lirë t’i tregtojë këto nënprodukte me çmime më të ulëta se çmimet tavan/maksimale të miratuara nga Bordi.

6. Efektet e këtij vendimi fillojnë në datë 10.04.2026, ora 18:00, deri në një njoftim të dytë të marrë në mbledhjen e radhës. Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha shoqëritë që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, në zbatim të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar.