Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar””, i ndryshuar”.
Ndryshimet ligjore janë propozuar në kuadër të përafrimit të mëtejshëm të kuadrit rregullator të fushës me acquis communautaire dhe si rrjedhojë e zbatimit të një sërë reformave të rëndësishme të ndërmarra nga Ministria e Financave, që lidhen me përmirësimin e raportimit financiar në vend në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke synuar përmirësimin e kornizës ligjore dhe rritjen e cilësisë së raportimit financiar në vend. Pas prezantimit të Ministrit dhe diskutimit të deputetëve, projektligji u miratua nga Kuvendi.
Fjala e Ministrit Petrit Malaj:
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Sjellim sot për diskutim dhe miratim disa ndryshime në ligjin për “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”.
Këto ndryshime vijnë në kuadër të përafrimit të mëtejshëm të kuadrit rregullator të fushës me acquis communautaire, duke i’u përgjigjur kërkesave të paraqitura në Kapitullin 6 “Legjislacioni tregtar” të raportit të progresit të BE për vendin tonë, si dhe në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian (2024–2026), të cilat kërkojnë harmonizimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor për kontabilitetin, transparencën dhe auditimin ligjor.
Gjithashtu, ndryshimet vijnë si rrjedhojë e zbatimit të një sërë reformave të rëndësishme të ndërmarra nga Ministria e Financave, që lidhen me përmirësimin e raportimit financiar në vend, me mbështetjen e Bankës Botërore, si një partner strategjik, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke synuar përmirësimin e kornizës ligjore dhe rritjen e cilësisë së raportimit financiar në vend.
Ky projektligj ka kaluar në një proces të gjerë konsultimi, duke filluar nga fazat fillestare të tij e deri në komisionet parlamentare, gjatë të cilave janë dakordësuar e reflektuar një pjesë e konsiderueshme e propozimeve të grupeve të interesit.
Qëllimi ynë është jo vetëm rritja e cilësisë së raportimit financiar, transparencës, llogaridhënies, por edhe përmirësimi i klimës së të biznesit përmes thjeshtimit të procedurave.
Kjo reformë mbështetet në tri shtylla kryesore:
Përmirësimin e kuadrit institucional të palëve;
Konsolidimin e kapaciteteve në përafrimin e legjslacionit të raportimit financiar;
Rritjen e ndërgjegjësimit.
Në lidhje me shtyllën e parë, çfarë kemi bërë është përditësimi i vazhdueshëm i Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit dhe në këtë kontekst është siguruar forcimi i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, me qëllim përmbushjen e kërkesave rregullatore dhe përgatitjen e standardeve për profesionin e kontabilistit.
Sa i takon shtyllës së dytë, janë mbështetur një sërë rregullatorësh të tjerë, si: Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare; Administrata Tatimore, Qendra Kombëtare e Biznesit, IEKA, Organizatat profesionale të kontabilitetit, si dhe Universitetet. Të gjithë këto organizma janë mbështetur me qëllim që të garantojnë funksionimin e një sistemi bazuar në standardet ndërkombëtare, si dhe zhvillimin sa më efikas.
Ndërsa sa i takon shtyllës së tretë, një vëmendje e veçantë i është kushtuar rritjes së kapaciteteve, duke krijuar një mjedis më të mirë për përgatitjen e raportimit financiar me cilësi më të lartë.
Në këtë frymë, pra me qëllim garantimin e rritjes së cilësisë, të transparencës, por edhe përmirësimin e monitorimit të audituesve ligjorë, vijnë edhe ndryshimet që ne propozojmë e që në mënyrë të përmbledhur konsistojnë në :
Përfshirjen e detyrimit ligjor për audituesit ligjorë të dhënies së sigurisë për raportimin e qëndrueshmërisë.
Raportimi i Qëndrueshmërisë përfshin transparencën në lidhje me ndikimet mjedisore; çështjet sociale dhe të punësimit; respektimin e të drejtave të njeriut, por edhe luftën kundër korrupsionit dhe mitmarrjes.
Ndryshimet e propozuara konsistojnë edhe në Përditësimin e kritereve të njësive ekonomike që janë të detyruara të kryejnë auditimin ligjor në përputhje edhe me kërkesat e ligjit për kontabilitetin.
Gjithashtu, këto ndryshime të propozuara konsistojnë edhe në Qartësimin më të plotë në lidhje me realizimin e disa procedurave bazë të punës që duhet të kryhen nga audituesit ligjorë, në mbështetje të përcaktimeve që ka dhe direktiva përkatëse e BE. Më lejoni të qartësoj se në lidhje me këtë pikë, ndryshimet kanë të bëjnë me përcaktimin e rregullave bazë të auditimit që lidhen me :
– Kohën e angazhimit;
– Mbajtjen e regjistrave përkatës, si për shkeljet e kryera dhe për çdo klient të audituesit;
– Mbajtjen e një dosje auditimi për çdo auditim ligjor dhe dosje për çdo angazhim në dhënien e sigurisë për raportimin e qëndrueshmërisë;
– Regjistrimin nga ana e audituesit të çdo ankese të ardhur ndaj tij në lidhje me angazhimet në raportimin e qëndrueshmërisë.
Ndryshime janë parashikuar dhe në disa aspekte të përshtatura me kontekstin lokal, në kuadër të qartësimit më të madh dhe përmirësimit të problematikave të evidentuara më parë në lidhje me zbatueshmërinë e ligjit aktual, si: në procesin e kontrollit të cilësisë, në qartësimin më të madh të roleve dhe funksioneve të institucioneve rregullatore të kësaj fushë, në rritjen e zbatueshmërisë së standardeve të auditimit, si dhe në qartësimin e sistemit të masave sanksionuese, në përputhje me rregulloren përkatëse të BE, element i cili mungon në ligjin aktual.
Nga ana tjetër, ky projektligj, përmes rishikimeve, mbështet angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e masave të ndërmarra në kuadër të kërkesave që ka dokumenti i Bankës Botërore mbi Huanë e Politikave Zhvillimore, duke dhënë kontribut në rritjen e ndërgjegjësimit ndaj çështjeve jofinanciare, atyre mjedisore, sociale, atikorrupsionit, etj..
Të nderuar deputetë,
Thënë sa më sipër, më lejoni të ritheksoj edhe një herë se garantimi i rritjes së cilësisë dhe përgjegjshmërisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, forcimi i qeverisjes së brendshme të njësive ekonomike me interes publik, si dhe përmirësimi i punës së audituesve ligjorë do të ndihmojnë në krijimin e një tregu më profesional dhe transparent të auditimit ligjor.
Nuk duhet të harrojmë faktin se, raportimi financiar i shëndoshë dhe transparent luan një rol kyç në rritjen e besimit të investitorëve vendas, të huaj dhe të publikut.
Ndaj, ju ftoj të miratojmë ndryshimet në ligjin për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor si dhe të kontabilistit të miratuar.
Faleminderit!