Ministria e Financave

Forcimi i menaxhimit të financave publike mbetet një prioritet i rëndësishëm i qeverisë, në një kohë që vendi përparon në proceset integruese drejt Bashkimit Europian.
Ministria e Financave ishte pjesë e konferencës “Reformat në Menaxhimin e Financave Publike (MFP) dhe Integrimi i Shqipërisë në BE: Forcimi i MFP-së dhe i Sistemeve të Menaxhimit të Buxhetit drejt Praktikave të Mira të BE-së”, e organizuar dje, datë 6 Maj 2026, në bashkëpunim të ngushtë me delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri dhe nën iniciativën #EU4GoodGovernance (EU4GG) të financuar nga BE-ja.
Aktiviteti bëri bashkë një gamë të gjerë aktorësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë përfaqësues nga Komisioni Europian (DG ECFIN), OECD, SIGMA, institucionet qeveritare, Parlamenti, institucionet e pavarura, akademia, shoqëria civile dhe partnerët për zhvillim.

Gjatë fjalës së saj në këtë konferencë, Drejtoresha e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave, znj. Mimoza Dhëmbi, u shpreh se reformat në menaxhimin e financave politike janë një komponent i rëndësishëm i modernizimit të qeverisjes dhe i përafrimit gradual me standardet europiane, një shtyllë qendrore në procesin e integrimit Europian të vendit, me ndikim të  drejtpërdrejtë në besueshmërinë fiskale të vendit, cilësinë e politikave publike dhe kapacitetet institucionale të shtetit.

Znj. Dhëmbi nënvizoi se reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këtë fushë janë fokusuar në rritjen e cilësisë së planifikimit buxhetor afatmesëm, orientimin e buxhetimit drejt performancës dhe rezultateve konkrete, rritjen e transparencës dhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin buxhetor, si dhe përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike përmes forcimit të rregullave të planifikimit, monitorimit dhe vlerësimit të projekteve.

Një ndër instrumentet më të rëndësishme të prezantuara në kuadër të reformës është Rishikimi i Shpenzimeve (Spending Review), i cili synon të mbështesë vendimmarrjen buxhetore mbi analiza të strukturuara dhe evidencë konkrete, duke garantuar përdorim më efikas të fondeve publike dhe orientim më të mirë të burimeve drejt prioriteteve strategjike.
Mbështetja e Bashkimit Europian përmes projektit EU for Good Governance (EU4GG) ka luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e reformave, duke kontribuar në hartimin dhe zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2023–2030, forcimin e ciklit të planifikimit buxhetor, përmirësimin e praktikave të menaxhimit të investimeve publike, si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies fiskale.

Duke u ndalur te menaxhimi i investimeve publike, znj. Dhëmbi u shpreh se Shqipëria po ndërton një qasje më moderne dhe sistematike për planifikimin dhe përzgjedhjen e projekteve, përmes një sistemi të standardizuar procedurash që garanton më shumë koherencë, transparencë dhe disiplinë fiskale. Sipas saj, fokusi tashmë është zhvendosur nga përzgjedhja ad hoc e projekteve drejt financimit të projekteve të mirëstudiuara, me ndikim të qartë ekonomik dhe social.
Në përfundim të fjalës së saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Buxhetit theksoi se integrimi europian matet çdo ditë me cilësinë e institucioneve dhe mënyrën se si menaxhohen fondet publike. Një shtet që planifikon mbi baza realiste, respekton disiplinën fiskale dhe garanton rezultate të matshme dhe të monitorueshme, demonstron gatishmëri reale për anëtarësim në Bashkimin Europian.