Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, projektbuxhetin e shtetit për vitin 2025.
Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera, Ministri Malaj vuri në dukje faktin se shpenzimet buxhetore për sektorin e drejtësisë kanë njohur rritje të konsiderueshme që prej nisjes së Reformës në Drejtësi, në vitin 2016.
Për vitin e ardhshëm, projektbuxheti parashikon rreth 27 miliardë lekë për sektorin e drejtësisë ose rreth 14.3 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016, shifra që reflektojnë mbështetjen financiare për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të reformës, si dhe realizimin e një sërë investimeve.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, projektbuxheti 2025 u miratua parimisht nga komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Fjala e Ministrit Malaj:
Projektbuxheti i vitit 2025 që po shqyrtohet nga ky Komision, synon një rritje ekonomike të qëndrueshme duke ofruar më shumë mirëqënie ekonomike dhe sociale për të gjithë qytetarët. Njëkohësisht, vijojmë konsolidimin e mëtejshëm fiskal me qëllim uljen e vazhdueshme të nivelit të borxhit publik.
Në këtë projektbuxhet, një vëmendje e veçantë i është kushtuar financimit të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE.
Shpenzimet buxhetore për vitin 2025, janë parashikuar në masën 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024. Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqendrohen në financimin e sektorëve prioritarë si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet dixhitale, dhe bujqësia. Dëshiroj të nënvizoj, gjithashtu, se shpenzimet buxhetore për këtë vit do të financojnë me prioritet Planin e Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE.
Për sa i përket shpenzimet buxhetore për sektorin e drejtësisë, kam kënaqësinë të deklaroj përpara këtij Komisioni se këto shpenzime kanë njohur rritje të konsiderueshme që prej startimit të reformës në Drejtësi në vitin 2016. Projektbuxheti i vitit 2025 parashikon rreth 27 miliardë lekë për këtë sektor ose rreth 14.3 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016. Edhe krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2024, buxheti i parashikuar për sektorin e Drejtësisë do të rritet me rreth 800 milionë lekë më shumë. Këto shifra reflektojnë mbështetjen financiare për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të reformës, ku përfshihen institucionet e Vettingut, të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, reformimin e institucioneve të sistemit të akuzës dhe sistemit gjyqësor, të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, të shkollës së Magjistraturës, reformimin e institucioneve të tjera të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, duke e përmbyllur me mbështetjen financiare të sistemeve të teknologjisë në sistemin e drejtësisë dhe miratimin e hartës së re gjyqësore.
Në një vështrim më të detajuar të projektbuxhetit për këtë sektor, rezulton se:
Shpenzimet e personelit për punonjësit e sistemit të drejtësisë, parashikohen në masën 17.2 miliardë lekë, ose 10.2 miliardë lekë më shumë se në vitin 2016. Rritja e konsiderueshme e këtij zëri shpenzimesh, reflekton rritjen gjatë këtyre viteve të burimeve njerëzore me 1,822 punonjës dhe rritjen e vijueshme të pagave, të finalizuar me reformën e miratuar në vitin 2023-2024.
Për vitin 2025, shpenzimet e personelit për të gjitha institucione e sistemit të drejtësisë janë rritur me 1.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar për vitin 2024. Kjo rritje i dedikohet efektit financiar të reformës së pagave të vitit 2024 si dhe rritjes së numrit të punonjësve të parashikuar për këtë sektor në vitin 2025 me rreth 154 punonjës më shumë.
Shpenzimet e mirëmbajtjes dhe operative në vitin 2025 parashikohen në masën 6.8 miliardë lekë. Këto shpenzime kanë adresuar nevojat e të gjitha institucioneve për të siguruar realizimin optimal të veprimtarisë funksionale të tyre.
Shpenzimet për investime në vitin 2025 parashikohen rreth 3 miliardë lekë duke e çuar financimin në total nga viti 2016 në rreth16.7 miliardë lekë më shumë.
Dëshiroj të përmend disa nga projektet kryesore të investimeve publike që financohen në buxhetin 2025 për këtë sektor si vijon:
• Për SPAK projekte në ndërhyrje infrastrukturore dhe pajisjeve teknologjike në vlerën 600 milionë lekë;
• Zhvillimi i një sistemi të ri të menaxhimit të çështjeve gjyqësore ICMIS në vlerën 262.5 milionë lekë për vitin 2025; (1.4 miliarde leke vlera e plote)
• Ngritja dhe Ndërtimi i Institucionit për edukim dhe rehabilitim të të miturve me vlerë 626.2 milionë lekë për vitin 2025 nga 2.3 miliardë lekë vlerë e plotë e projektit;
• Ndërtimi i Institucionit të ri të Ekzekutimit të Vendimit Penal Kukës me financim për vitin 2025 prej 240 milionë lekë për një vlerë totale financimi prej 640 milionë lekë;
Për të kaluar tek parashikimet buxhetore për institucionet e tjera të pavarura kushtetuese që janë subjekt shqyrtimi i Komisionit të Ligjeve, informoj se për vitin 2025 këto institucione janë buxhetuar në nivele optimale, duke siguruar fillimisht financimin e plotë të reformës së pagave dhe nevojave të tjera shtesë që kanë prezantuar gjatë fazave të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm 2025-2027.
Gjithsesi, në shqyrtimin që ky komision i nderuar do t’i bëjë projektbuxheteve të këtyre institucioneve, mbetemi të hapur për propozime që nuk e cënojnë thelbësisht kuadrin makroekonomik dhe fiskal, mbi të cilin është hartuar ky projektbuxhet.
Në fund të fjalës time doja të ndalesha tek Buxheti i Njësive të Vetëqeverisjes Vendore ku do të theksoja se decentralizimi fiskal dhe rritja e autonomisë së pushtetit vendor ka ecur me ritme të kënaqshme dhe të qëndrueshme gjatë viteve të fundit. Pavarësisht kësaj, përgjegjësitë në rritje të qeverisjes vendore sjellin nevojën e rritjes së peshës së të ardhurave dhe shpenzimeve vendore ndaj PBB-së dhe shpenzimeve të qeverisjes së përgjithshme, në veçanti rritja e të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar, të ardhurat e veta dhe taksat e ndara.
shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.8 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% në raport me buxhetin e vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë rreth 3.43% të PBB-së nga 2.9% që zinin në vitin 2024.
Të ardhurat e veta të pushtetit vendor përgjatë viteve të fundit paraqiten me një rritje të ndjeshme, me rreth 20 miliardë lekë dhe për vitin 2025 parashikohet të rriten me rreth 3.6 miliardë lekë, ose 10% më shumë.
Reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të vazhdojë të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor. Në buxhetin e vitit 2025, kjo taksë është parashikuar në vlerën 8.6 miliardë lekë, dhe krahasuar me vitin 2024, rreth 2 miliard lekë më shumë të ardhura për njësitë vendore.
Mbështetja që ka dhënë qeverisja qendrore për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra pasqyrohet në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila në krahasim me vitin 2024 është rritur në vlerën 1.8 miliardë lekë.
Transferta e pakushtëzuar për çdo bashki në vitin 2025, do të jetë me rritje mesatare në nivelin rreth 8.2% dhe për qarqet me një rritje mesatare në nivelin rreth 3%, krahasuar me një vit më parë.
Një risi në buxhetin vendor 2025 do të jetë edhe financimi i grantit të performancës në shumën 200 milion lekë me qëllim nxitjen e bashkive për të përmirësuar performancën e tyre në qeverisje, menaxhimin më të mirë të financave publike vendore dhe rritjen e transparencës.
Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2025 në masën 26.2 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 13.2 miliard lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, 200 milion lekë grant performance, si dhe 3.5 miliardë lekë transfertë për rritjen e pagave, duke e çuar totalin e transfertës nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në 43.1 miliardë lekë.
Reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të vazhdojë të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor. Në buxhetin e vitit 2025, kjo taksë është parashikuar në vlerën 8.6 miliardë lekë, e cila është rritur dhe vijon të rritet nga viti në vit dhe në vitet e ardhshme do të jetë burimi kryesor i të ardhurave vendore.