Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, ishte i pranishëm sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku u diskutua mbi të ardhurat dhe shpenzimet e parashikuara në projektbuxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.
Në fjalën e tij Ministri Malaj bëri një prezantim të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin e ardhshëm, duke u fokusuar në zërat kryesore të tyre.
Kështu, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 janë parashikuar në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB, rreth 40.6 miliardë lekë më shumë se sa parashikimi për vitin 2024.
Ministri Malaj tha se në rritjen e të ardhurave për vitin 2025 janë marrë në konsideratë faktorë si: rritja ekonomike e parashikuar në masën 3.9 %; të ardhurat që do të gjenerohen nga tatimi mbi pagën dhe kontributet, si rezultat i zbatimit të reformës në fushën e pagave dhe efekti i politikave të mëparshme tatimore; si dhe të ardhurat që do të gjenerohen nga përmirësimi në administrimin e tatimeve, taksave dhe detyrimeve të kontributeve, hapa të cilat janë parashikuar edhe në kuadër të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027.
Sa i përket shpenzimeve, Ministri informoi se ato janë programuar në masën 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, rreth 51.4 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2024.
Nga ana tjetër, investimet publike të planifikuara për vitin 2025 janë në masën 6.2% të PBB ose 162 miliardë lekë, rreth 11.3 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.
Ministri Malaj theksoi faktin se projektbuxheti 2025 financon sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe mbrojtja sociale, buxhetet e të cilëve janë në rritje në vlerë absolute krahasuar me buxhetin e vitit 2024, ku arsimi financohet me 6.4 miliardë lekë më shumë; shëndetësia me 4 miliardë lekë më shumë; mbrojtja sociale me 10 miliardë lekë më shumë dhe bujqësia me 673 milionë lekë më shumë.
Fjala e Ministrit për të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore 2025:
E nderuar zonja zëvendëskryetare, të nderuar deputetë,
Më lejoni sot, t’ju bëj një prezantim të përmbledhur të parashikimeve të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore duke u fokusuar në zërat kryesorë të tyre.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat totale buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë ose 0.2% e PBB më shumë, nga të cilat:
• Të ardhurat nga ndihmat parashikohen të jenë rreth 19 miliardë lek, ose 2 miliardë lek më shumëse viti 2024.
• Të ardhurat tatimore parashikohen të arrijnë në 709,85 miliardë lek ose 54.15 miliardë lek më shumë se viti 2024.
• Të ardhurat jotatimore parashikohen 25.8 miliardë lek me një rritje të lehtë prej 400 milionë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2024.
Në vijim më lejoni t’ju paraqes të detajuar parashikimin për secilin grup të ardhurash.
Të ardhurat nga grantet parashikohen që për vitin 2024 të jenë 16.95 miliardë lek. Për vitin 2025 këto të ardhura janë rritur me 2 miliardë lek si rezultat i parashikimeve për disbursime të mundshme nga plani i rritjes me BE.
Të ardhurat tatimore parashikohen të arrijnë në 709.8 miliardë lekë, ose 54.15 miliardë lek më shumë se 2024. Në raport me PBB-në, krahasuar kjo po me vitin 2024, parashikohen të rriten nga 26.3% e PBB-së në 27.1% e PBB-së ose +0.8% e PBB-së.
Të ardhurat tatimore përfshijnë tre grupe të mëdha të ardhurash: të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat e pushtetit vendor dhe të ardhurat e fondeve speciale.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për vitin 2025 janë parashikuar në shumën 499,2 miliardë lekë me një rritje prej rreth 40 miliardë lek më shumë se viti 2024 ose 8.7% më shumë. Për vitin 2025 këto të ardhura arrijnë në 19% të PBB ose 0.6% më shumë se parashikimi i vitit 2024.
Programi i të ardhurave nga Tatimet, Doganat dhe Kontributet e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, ka marrë në konsideratë faktorët kryesorë me ndikim në të ardhurat e buxhetit, përfshirë efektin e pritshëm të rritjes ekonomike të vendit, projeksionin e indeksit të çmimeve dhe efektin e tij mbi të ardhurat, efektet e masave të mëparshme fiskale si dhe efektet e përmirësimit të administrimit tatimor e doganor, përfshirë luftën ndaj informalitet, me qëllim rritjen e nivelit të pajtimit vullnetar të tatimpaguesve me ligjin.
• Tre janë faktorët kryesorë që janë marrë në konsideratë, të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2025. Ato janë:
1. Kuadri makroekonomik për vitin 2025 ku është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.9%, dhe indeksi i çmimeve 3%.
2. Të ardhurat që do gjenerohen në formën e të ardhurave nga tatimi mbi pagën dhe kontributet si rezultat i zbatimit nga Qeveria të reformës në fushën e pagave në 1 korrik 2024 dhe që do ketë efekt në muajt e parë të vitit 2025, si dhe efekti i politikave të mëparshme tatimore.
3. Të ardhurat e projektuara që do gjenerohen nga përmirësimi në administrimin e tatimeve, taksave dhe detyrimeve të kontributeve, hapa të cilat janë parashikuar edhe në kuadër të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027.
Bazuar në projeksionet tona, efektet në të ardhura te tatimet, doganat dhe kontributet nga këta faktorë janë si më poshtë:
• 14.9 miliardë lek parashikohet që të vijnë nga rritja ekonomike;
• 5.4 miliardë lek nga inflacioni;
• 15.2 miliardë lek nga përmirësimi në administrimin e tatimeve dhe taksave duke përfshirë dhe masat e parashikuara në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave;
• 9.15 miliardë lek parashikohet të arkëtohen nga efektet e politikave fiskale të ndërmarra vitet e mëparshme;
• 8,38 miliardë lekë nga masat e tjera fiskale të tilla si: rritja e importeve të tatueshme jashtë vendeve të BE, rritja e numrit të punëmarrësve dhe rritja e pagës mesatare.
Sikurse jeni në dijeni, për vitin 2025 nuk është hartuar një paketë e re fiskale, e cila do të gjenerojë të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2025.
Siç shihet, për herë të parë burimi kryesor i rritjes së të ardhurave vjen nga mirëadministrimi, ulja e informalitetit dhe jo masa të politikës fiskale.
Më lejoni të ndalem në detajimin e rritjes së të ardhurave sipas taksave.
Të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që përfshin tvsh në import dhe brenda vendit, parashikohet të jetë rreth 236 miliardë lekë, ose 22,2 miliardë lekë më shumë se sa viti 2024. Burimi i rritjes së këtyre të ardhurave shtesë janë:
• Rritja nga treguesit makroekonomikë vlerësuar me 10,3 miliardë lekë;
• Rritja nga mirëadministrimi tatimor në kuadër të zbatimit të Strategjisë me masat e caktuara për 2025, vlerësuar me 6,88 miliardë lekë;
• Rritja e importeve të tvsh, rritja e pajtueshmërisë vlerësuar me rreth 5 miliardë lekë.
Përsa i përket rritjes së pajtueshmërisë, fokusi kryesor do të jetë me TVSH në sektorë të tillë si : ndërtimi, turizmi, tregtia elektronike si dhe gjithë sektorët e tjerë ekonomikë.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin korporativ programohen të jenë 6 miliardë lekë më shumë ose 10% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Parashikimi i tatimit mbi fitimin korporativ për vitin 2025 bazohet në:
• rritjen e të ardhurave nga mirëadministrimi dhe të ardhura shtesë nga draft Strategjia Afatmesme e të Ardhurave për vitin 2025.
• Fokusi për 2025 do të jetë forcimi i kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut dhe krijimi i sistemeve që dekurajojnë ose bllokojnë shmangiet tatimore të tilla si parambushja e deklaratave tatimore.
Të ardhurat nga akciza programohen në masën 66,984 milionë lekë, 2.6 miliardë lekë më shumë se viti 2024. Faktorët kryesorë në parashikimin e të ardhurave nga akciza lidhen me:
• Zbatimi i kalendarit të rritjes së niveleve të akcizës për duhanet, ku për vitin për vitin 2025 do të jenë rreth 800 milionë lekë më shumë;
• Rritja e të ardhurave nga akciza që gjeneron rritja ekonomike, e cila vlerësohet në masën 1,75 miliardë lekë.
Të ardhurat nga tatimi mbi të Ardhurat Personalet parashikohen të arrijnë në nivelin 70 miliardë lekë, me një rritje prej 5,6 miliardë lekë krahasuar me vitin 2024.
Këto të ardhura shtesë do të vijnë nga :
• rritja ekonomike vlerësuar në shumën 1,75 miliardë lekë;
• efektet e reformës së pagave në sektorin shtetëror që filloi në 1 Korrik 2024, rritja e të cilave do gjenerojë të ardhura shtesë nga tatimi mbi pagat për 7 muajt e parë të vitit 2025, vlerësuar në masën 2 miliardë lek shtesë;
• rritja e numrit të punëmarrësve dhe pagës mesatare në sektorin privat, vlerësuar në rreth 1 miliardë lekë;
• rritja e të ardhurave nga mirëadministrimi nga zbatimi i masave nën draft Strategjinë për vitin 2025, vlerësuar në masën 1,3 miliardë lek.
Fokusi do jetë në rritjen e deklarimit të pagës reale të punonjësve në shkallë vendi, në rritjen e numrit të të punësuarve në skemën e kontribuesve, hartimi i një Plani Sektorial për identifikimin e punës së padeklaruar, zhvillimi i një fushate të gjerë ndërgjegjësimi mbi përfitimet e punës së deklaruar, etj.
Të ardhurat nga taksa doganore në vitin 2025 programohet 11 miliardë lekë, me rritje 1.75 miliardë lekë ose 18.8% më shumë se viti 2024.
Realizimi i kësaj takse për vitin 2025 do të jetë me rritje nga viti i kaluar, duke qenë se është rritur importi i mallrave jashtë komunitetit europian.
Në programimin e të ardhurave janë marrë në konsideratë efektet e rritjes ekonomike, indeksimi si dhe efektet e rritjes së importeve të tatueshme nga vendet jashtë BE-së.
Të ardhurat gjithsej nga Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore janë programuar të jenë rreth 169 miliardë lekë, në rritje krahasuar me vitin 2024 prej 10.53 miliardë lekë, ose +6.6% më shumë se viti 2024. Në 2025, këto të ardhura arrijnë në 6.5% e PPB.
Kjo rritje e të ardhurave nga kontributet do të vijë kryesisht nga :
• rritja ekonomike që parashikohet të sjellë 4.3 miliardë lek më shumë të ardhura;
• efekteve nga rritja e pagave dhe kontributeve si rezultat i zbatimit të reformës së pagave në administratë, vlerësuar në 4.3 miliardë lek më shumë;
• forcimit të kontrollit të punës në të zezë, nivelit së pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale, vlerësuar në masën 1 miliardë lek;
• të ardhura nga mirëadministrimi dhe efektet e draft Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave për vitin 2025, vlerësuar me rreth 900 milionë lek.
Përsa i përket të ardhurave nga taksat vendore, për vitin 2025 parashikohet të ketë një rritje rreth 3.6 miliardë lekë më shumë se sa plani i vitit 2024, ose e thënë ndryshe me një rritje prej 10%.
Reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të vazhdojë të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor. Në buxhetin e vitit 2025, taksa e pasurisë është parashikuar në vlerën 8.6 miliardë lekë dhe krahasuar me vitin 2024 rreth 2 miliardë lekë më shumë të ardhura për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Të ardhurat jotatimore për vitin 2025 parashikohen në masën 25.8 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 400 milionë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2024.
Për të kaluar tek shpenzimet sikurse, e theksova dhe në prezantimin tim të parë të projektbuxhetit 2025, Shpenzimet Buxhetore për vitin 2025 janë programuar në masën 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto. Në terma nominalë, shpenzimet buxhetore për vitin 2025 janë rreth 51.4 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2024.
Në vijim, do të marr në analizë secilin prej komponentëve kryesorë të shpenzimeve buxhetore, sipas klasifikimit ekonomik, duke u ndalur më pas në disa sektorë apo aspekte të cilat nuk i prezantova në seancat e mëparshme.
Tek zëri i Shpenzimeve të Personelit për vitin 2025, doja të ritheksoja faktin e rritjes më të madhe të këtij fondi që prej startimit të reformës së rritjes së pagave në prillin e vitit 2023, duke arritur në masën 127.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB.
Gjithashtu, vlen të përmendet dhe fakti që Qeveria vijon të tregohet e kujdesshme në menaxhimin e numrit të punonjësve buxhetorë qendrorë. Numri i planifikuar i punonjësve është 86 314 për vitin 2025, duke rezultuar në vetëm 64 punonjës më shumë krahasuar me aktin normativ të buxhetit 2024, pa përfshirë rezervën e numrit të punonjësve që është në masën 176 punonjës.
Për të ndalur tek shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes të cilat në këtë buxhet arrijnë në 71.3 miliardë lekë nga 68.7 miliardë lekë të planifikuar në buxhetin e rishikuar për vitin 2024, ose rreth 2.5 miliardë lekë më shumë. Është e rëndësishme të fokusohesha tek drejtimet kryesore sektoriale në të cilat alokohet ky zë pasi shpesh këto shpenzime barazohen me shpenzimet administrative dhe janë objekt diskutimi lidhur me nivelin e efiçencës dhe efektivitetit në përdorimin e tyre. Shpenzimet operative janë shpenzime që garantojnë ofrimin e shërbimeve publike dhe funksionalitetin e institucioneve, ndërkohë që shpenzimet e mirëmbajtjes janë të lidhura drejtpërdrejt me ruajtjen e vlerës dhe standardeve të aseteve publike. Në këtë kontekst, në vijim do të prezantoj disa nga drejtimet ku përdoren këto fonde:
11.5 miliardë lekë alokohen si transfertë për Institucionet e Arsimit të Lartë për të mbështetur 69 mijë studentë të ciklit të parë të studimeve, duke përfshirë këtu rreth 16 mijë studentë që përfitojnë bursa ekselence dhe në formën e mbështetjes sociale;
7.3 miliardë lekë për shpenzimet operacionale dhe të funksionimit të forcave të armatosura, me një objektiv të mirëpërcaktuar që në vitin 2025, shpenzimet totale për sektorin e Mbrojtjes të arrijnë nivelin e dakordësuar me NATO të 2.01% të PBB;
6.9 miliardë lekë për mirëmbajtjen e infrastrukturës dixhitale dhe rritjes së sigurisë kibernetike, me qëllim ofrimin e një game akoma dhe më të gjerë dhe më cilësore të shërbimeve publike dixhitale tek qytetarët;
4.4 miliardë lekë do të alokohet për skemat e ndryshme të granteve për fermerët me financim direkt nga buxheti i shtetit, nga të cilat 3.1 miliardë lekë për skemat mbështetëse për fermerët nga të cilat priten të përfitojnë 13 900 fermerë dhe 1.3 miliardë lekë për skemën e subvencionimit të naftës nga të cilat priten të përfitojnë 31 500 fermerë;
5 miliardë lekë për shpenzimet operacionale dhe të funksionimit të Policisë së Shtetit, si shpenzimet për uniforma, ushqim etj;
3.3 miliardë lekë shpenzime për ofrimin e librave falas, bursa për nxënës të dalluar dhe në nevojë, transport nxënësish dhe mësuesish, mjete didaktike, shpenzime për programin “Art dhe Zeje” etj. për sistemin e arsimit parauniversitar;
3 miliardë lekë për mirëmbajtjen sipas standardeve të rrjetit rrugor kombëtar;
1 miliardë lekë për financimin e projekteve kulturore e artistike, mirëmbajtje të muzeve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, etj.;
Zëri i shpenzimeve për subvencione për vitin 2025 parashikohet në masën 1.85 miliardë lekë. Subvencionet shtetërore për vitin 2025 janë përqendruar në financimin e skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare;
745 milionë lekë për Strehimin Social ku vijon me sukses zbatimi i skemës për mbështetje me kredi të familjeve të pastreha, përfshi këtu edhe skemën e re me norma interesi të lehtësuara për rreth 1,000 të punësuar në administratën publike;
Tek shpenzimet për fondet speciale doja të ndalesha fillimisht tek shpenzimet për fondin e sigurimeve shoqërore.
Skema e Sigurimeve Shoqërore parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Ndërkohë, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.6 miliardë lekë dhe 3.75 miliardë lekë janë planifikuar për bonusin e fundvitit për pensionistët.
Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2025 parashikohet në masën 63.1 miliardë lekë ose 2.4% e PBB-së, nga 58 miliardë lekë të planifikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2024.
Përsa i përket shpenzimeve të tjera sociale, ato përfshijnë:
• Shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të Pronarëve, që ëhstë në masën 3 miliardë lekë;
• Shpenzimet për pagesën e papunësisë që parashikohen në nivelin 800 milionë lekë;
• Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar që parashikohen në nivelin 23.7 miliardë lekë.
• Në shpenzimet sociale përfshihen edhe pagesat për ish-të përndjekurit, parashikuar me një fond prej 1.4 miliard lekë nga 1.2 miliardë lekë të parashikuar në buxhetin e vitit 2024;
• Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.25 miliardë lekë nga të cilat parashikohet të përfitojnë rreth 33 mijë fëmijë.
Për tu ndalur te investimet publike për vitin 2025, ritheksoj edhe njëherë se janë planifikuar në masën 6.2% e PBB ose 162 miliardë lekë, rreth 11.3 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.
Dëshiroj të ritheksoj faktin se shumica dërrmuese e shpenzimeve kapitale për vitin 2025 shkon për financimin e projekteve madhore, qofshin ato infrastrukturore, arsim apo shëndetësi.
Nëpërmjet këtij fondi parashikohet që të financohen projekte si: Rruga Elbasan-Lekaj; By passi i Elbasanit; Zgjerimi i Autostradës Tiranë-Durrës; Rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa; Berat–Ballaban; Elbasan – Qafë Thanë; projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11.3 miliardë lekë; projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 17.6 miliardë lekë.
Për Arsimin Parauniversitar alokohen rreth 2.9 miliardë lekë investime për ndërtime dhe rehabilitime të shkollave; pajisje laboratorike apo sisteme ngrohje. etj.
Në sektorin e Shëndetësisë do të vijojë financimi me prioritet për:
• rehabilitimin e 100 objekteve të tjera të Qendrave Shëndetësore dhe ambulanca, me një fond prej 186 milion lekë për vitin 2025;
• rikonstruksioni i Maternitetit Shkodër me vlerë të plotë 200 milion lekë si dhe;
• Rikostruksioni i Maternitetit Fier me vlerë të plotë 443 milion lekë.
Gjithashtu, do të vijojë me përparësi financimi i procesit të rindërtimit ku kemi alokuar rreth 5 miliardë lekë, duke vijuar fleksibilitetin dhe në këtë projektbuxhet, që rialokimet nga zërat e tjerë të shpenzimeve në favor të këtij Fondi gjatë vitit 2025 të mos të kushtëzohen nga limitet normale te rialokimeve buxhetore që mund të kryejë Këshilli i Ministrave.
Lidhur me financimin e sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe mbrojtja sociale, dëshiroj të sqaroj se buxhetet e të katër sektorëve janë me rritje në vlerë absolute krahasuar me buxhetin e vitit 2024 si vijon:
Arsimi 6.4 miliardë lekë më shumë;
Shëndetësia 4 miliardë lekë më shumë se sa viti 2024;
Mbrojtja Sociale 10 miliardë lekë më shumë;
Bujqësia 673 milionë lekë më shumë.
Në përqindje ndaj PBB, dëshiroj të theksoj se sektorët kryesorë qëndrojnë në nivele të kënaqshme ku përmendim:
Arsimi me 3.3% të PBB për vitin 2025, ku shpenzimet totale të sektorit të jenë 85.3 miliardë lekë nga 78.9 miliardë të planifikuar në buxhetin e vitit 2024.
Në këtë sektor do të financohen me përparësi gjatë vitit 2025:
• Ofrimi i teksteve shkollore falas për rreth 240 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë nga klasa e parë në klasën e nëntë, si dhe tekste shkollore falas për rreth 16 mijë nxënës nga shtresa sociale në nevojë në arsimin e mesëm të lartë;
• Ofrimi i bursave financiare apo kuotës ushqimore/financiare për 2800-3000 nxënës me nevoja të veçanta;
• Sigurimi i shërbimit të transportit falas për 33,000 fëmijë dhe nxënës që kanë vendbanimin e tyre mbi 2 km nga shkolla, si dhe transportin falas për rreth 17,300 mësues që punojnë mbi 5 Km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë;
Shëndetësia, nga ana tjetër, do të financohet me 2.9% të PBB ku shpenzimet e sektorit të shëndetësisë për vitin 2025 planifikohen të jenë në masën 76.3 miliardë lekë nga 72.2 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e rishikuar për vitin 2025.
Theksoj që përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët të kryer në korrik 2024, projektbuxheti 2025 do të financojë me prioritet këto politika:
• Mbështetjen e mbi 400 mijë qytetarëve për rimbursimin e barnave falas nëpërmjet rritjes së financimit të skemës së rimbursimit, nga 12 miliardë lekë të parashikuar në vitin 2024, në 12.6 miliardë lekë në vitin 2025.
• Mbështetjen e Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë për qytetarët 35-70 vjeç, nga i cili do të përfitojnë analiza dhe kontrolle periodike falas mbi 492 mijë qytetarë në vit;
• Programet e mbrojtjes së shëndetit publik, nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit, nga i cili do të përfitojnë mbi 190 mijë fëmijë dhe 250 mijë qytetarë.
Bujqësia me 0.6% të PBB, ku shpenzimet e sektorit të bujqësisë për vitin 2025 planifikohen të jenë në masën 14.6 miliardë lekë nga 13.9 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e rishikuar për vitin 2024.
Ndër prioritetet kryesore që parashikohet të financohen për bujqësinë janë:
• Skema kombëtare e fermerëve dhe e subvencionimit të naftës, me një fond total prej 4.3 miliardë lekë në vitin 2025, i cili parashikohet në rritje përgjatë 2026-2027 duke kulmuar në 5 miliardë lekë;
• Në fushën e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit synohet fuqizimi i sistemit të kontrollit dhe inspektimit, duke përfshirë të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë;
• Prioritet për këtë sektor do të jetë edhe menaxhimi i infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit, ku fokusi do të jetë në rehabilitimin e kanaleve ujitës dhe investimeve në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse me një fond total prej 1.9 miliardë lekë, nga të cilat 600 milionë janë fonde të dedikuara për Njësitë e Vetëqeverisjes vendore.
• Pjesë e buxhetit do të jetë dhe “Mbështetja për Peshkimin”, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës, duke financuar politikat e sektorit me një buxhet prej 527 milionë lekësh.
Përsa i përket Mbrojtjes Sociale, shpenzimet e planifikuara për këtë sektor do të rriten në 248.1 miliardë lekë për vitin 2025 nga 238 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e rishikuar për vitin 2024.
Ndër prioritetet kryesore që parashikohet të financohen në këtë fushë përmendim:
• Numri i familjeve dhe individëve në nevojë që pritet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht 62 000 përfitues në vit;
• Mbështetja e programit të pagesave për 164 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre;
• Mbështetje të veçantë për gratë e papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë në muaj, duke i mbështetur me pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri 5 vjeç duke synuar të përfitojnë mesatarisht 8 500 gra përgjatë viteve 2025-2027;
• Do të financojmë Programin e Bonusit të Bebes për çdo të porsalindur, duke garantuar shpërblimin financiar nga 40,000-120,000 lekë për mbi 33 mijë fëmijë/vit.
Duhet të mos harrojmë për asnjë moment që, pavarësisht objektivit të konsolidimit fiskal, financimi për këta sektorë prioritarë është në rritje dhe do të vijojë të jetë në rritje të qenësishme edhe në vitet në vijim.
Për të kaluar tek Buxheti Vendor, ku ri-theksoj se shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2025 janë parashikuar në masën 89.8 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% në raport me buxhetin e vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025 zënë rreth 3.43% të PBB-së nga 2.9% që zinin në vitin 2024.
Të ardhurat e veta të pushtetit vendor përgjatë viteve të fundit paraqiten me një rritje të ndjeshme, ku për vitin 2025 parashikohet në masën 40.7 miliardë lekë nga 37.1 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e rishikuar për vitin 2024, duke rezultuar me rreth 3.6 miliard lekë më shumë ose 10% më shumë se sa viti 2024.
transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2025 në masën 26.2 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 13.2 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, 200 milionë lekë grant performance si dhe 3.5 miliardë lekë transfertë për rritjen e pagave, duke e çuar totalin e transfertës nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në 43.1 miliardë lekë.
Transferta e pakushtëzuar për çdo bashki në vitin 2025 do të jetë me rritje mesatare në nivelin 8.2% dhe për qarqet me një rritje mesatare në nivelin rreth 3% krahasuar me një vit më parë.
Në vijim, dëshiroj të ndalem tek respektimi i një nga rregullave fiskalë të sanksionuar në ligjin organik të buxhetit të shtetit, ai i mbajtjes së pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP brenda nivelit prej 5% të totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Ky rregull për projektbuxhetin 2025, sikurse dhe për vitet e kaluara, respektohet rigorozisht duke rezultuar me pagesa buxhetore që kapin vlerën 2.2% të totalit të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm.
Ky rregull vijon të respektohet rigorozisht edhe për vitet 2026 dhe 2027, ku përqindja e pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP ndaj totalit të parashikuar të të ardhurave tatimore të një viti më parë, ulet respektivisht në 1.7% dhe 1.5%. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se numri i kontratave aktive koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore është në ulje, ku aktualisht kemi 10 të tilla, ndërkohë që shumica dërrmuese e projekteve koncesionare/PPP të kontraktuara apo planifikuara për të filluar gjatë vitit 2025 bazohen në skemën e tarifimit të shërbimit/përdorimit të asetit nga përdoruesit fundorë, duke mos implikuar kësisoj pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit.
Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të ritheksoj se objektivat e projektbuxhetit 2025 janë ruajtja e parametrave makroekonomikë dhe fiskalë që garantojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme, si dhe financimi i politikave prioritare që mundësojnë integrimin sa më të shpejtë në familjen e Bashkimit Europian.
Duke Ju falënderuar për vëmendjen, mbetem në dispozicion të plotë për t’ju përgjigjur pyetjeve apo sqarimeve që mund të kërkohen nga anëtarët e komisionit.