Ministria e Financave

Ministria e Financave udhëheq dy kapituj në Grupkapitullin 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse” në negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, i cili u çel dje në Bruksel.
Këta kapituj janë kapitulli 16 “Tatimet” dhe kapitulli 29 “Bashkimi Doganor”.
Kapitulli 16 mbulon gjerësisht fushën e tatimit indirekt, përkatësisht tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe akcizën. Ai përcakton qëllimin, përkufizimet dhe parimet e TVSH-së. Akcizat për produktet e duhanit, pijet alkoolike dhe produktet energjetike janë gjithashtu subjekt i legjislacionit të BE-së. Për sa i përket tatimeve direkte, acquis mbulon disa aspekte të taksimit të të ardhurave nga kursimet e individëve dhe të taksave të korporatave. Për më tepër, Shtetet Anëtare angazhohen të respektojnë parimet e Kodit të Sjelljes për Tatimin e Biznesit, që synojnë eliminimin e masave të dëmshme tatimore. Bashkëpunimi administrativ dhe ndihma e ndërsjellë ndërmjet Shteteve Anëtare synon të sigurojë një funksionim të mirë të tregut të brendshëm për sa i përket tatimeve dhe ofron mjete për të parandaluar evazionin fiskal brenda komunitetit dhe shmangien e taksave.
Kapitulli 29 përbëhet pothuajse nga legjislacioni i cili është drejtpërdrejt i detyrueshëm për Shtetet Anëtare. Ai përfshin Kodin Doganor të BE-së dhe dispozitat e tij zbatuese, nomenklaturën e kombinuar, tarifën e përbashkët doganore dhe dispozitat për klasifikimin tarifor, lehtësimin nga detyrimet doganore, pezullimet e detyrimeve dhe kuotat e caktuara tarifore, si dhe dispozita të tjera. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë kapacitetet e nevojshme, duke përfshirë lidhjet me sistemet përkatëse të kompjuterizuara doganore të BE-së.
Ministria e Financave do të vijojë punën për të garantuar një sistem tatimor dhe doganor sipas sandardeve europiane.