Ministria e Financave

Nën drejtimin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave, znj. Mimoza Dhëmbi, dhe Zv.Ambasadorit të Zvicrës në Tiranë, z. Philipp Arnold më datë 4 dhjetor 2025, si dhe me prezencën e përfaqësuesit të SECO në Shqipëri z. Aurèle Cotton, u zhvillua aktiviteti “Dissemination Event for Sub-national PEFA Assessments in Albania”. Ky takim u organizua nga ekipi i ekspertëve që realizuan vlerësimet PEFA në nivel vendor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pesë bashkive të përzgjedhura: Tiranë, Fier, Kuçovë, Berat dhe Tropojë, si dhe përfaqësuesve nga Ministria e Financave.

Vlerësimet PEFA (Public Expenditure and Financial Accountability) përbëjnë një kornizë ndërkombëtare që analizon menaxhimin financiar publik dhe synon të identifikojë pikat e forta dhe sfidat e qeverisjes vendore. Ky proces është pjesë e fazës së dytë të projektit për forcimin e financave vendore, me mbështetjen e SECO dhe Ministrisë së Financave, duke përfshirë edhe një modul për vlerësimin e shërbimeve publike si arsimi parashkollor dhe menaxhimi i mbetjeve. Vlerësimet e kryera në pesë bashkitë e përzgjedhura ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi progresin e arritur dhe sfidat që mbeten për t’u adresuar.
Rezultatet e vlerësimeve tregojnë një progres të dukshëm krahasuar me vitin 2017, veçanërisht në planifikimin buxhetor dhe lidhjen e tij me objektivat strategjike, në përmirësimin e kontrollit të brendshëm dhe auditimit, si dhe në administrimin e të ardhurave vendore, ku janë evidentuar praktika më të strukturuara dhe menaxhim më efikas i taksave. Megjithatë, sfida të rëndësishme mbeten ende, si raportimi financiar i konsoliduar, menaxhimi i aktiveve publike dhe transparenca në shpenzime, si dhe kapacitetet e kufizuara për monitorimin e performancës së shërbimeve vendore.
Këto vlerësime janë një instrument strategjik për të avancuar procesin e decentralizimit fiskal, për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të forcuar dialogun e politikave mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor. Përputhja me standardet ndërkombëtare të menaxhimit financiar është gjithashtu një kusht i domosdoshëm për integrimin europian dhe aksesin në fondet e Bashkimit Europian. PEFA mbetet një mjet i fuqishëm për të identifikuar reformat e nevojshme dhe për të siguruar që qeverisja vendore të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, duke forcuar transparencën, përgjegjshmërinë dhe duke krijuar themelet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar në Evropë.