Ministria e Financave

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e datës 5 Shkurt 2025 Kuadrin Makroekonomik e Fiskal për periudhën 2026-2028.
Ky dokument i rëndësishëm ka për qëllim përcaktimin e përparësive strategjike të qeverisë dhe projekton pritshmërinë makroekonomike në horizontin kohor afat-mesëm, ndërsa parashikon nivelin e zërave të agreguar të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit.
Në të përcaktohen synimet dhe objektivat e qeverisë në lidhje me treguesit kryesorë të politikës fiskale si, balancën e përgjithshme fiskale (deficitin), huamarrjen, borxhin publik, balancën fiskale primare dhe atë korrente.
Dy komponentët kryesorë të KMF janë: parashikimet për treguesit kryesorë makroekonomikë, të cilët paraqesin pritshmërinë ekonomike për vitin aktual dhe tre vitet e ardhshme, dhe parashikimet dhe objektivat për treguesit fiskal të cilët paraqesin burimet e pritshme në dispozicion të qeverisë për vitet 2026–2028 dhe shpërndarjen e tyre për këtë periudhë sipas buxhetit të konsoliduar.
Në këtë dokument përcaktohet se konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektivi themelor i politikës fiskale për periudhën afatmesme 2026- 2028, në funksion të drejtpërdrejtë të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, si një premise thelbësore për sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.
Me miratimin e Kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal për këtë periudhë, synohet ruajtja e pacënuar e besueshmërisë së financave publike në perceptimin e tregut vendas dhe të huaj, ndërkohë që përmes politikave fiskale të kujdesshme do të vijohet garantimi i një trajektore rënëse të përvitshme të borxhit publik dhe një balancë primare në nivel pozitiv.

Për më shumë kliko në:

Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal për periudhën 2026-2028