Ministria e Financave

Ministria e Financave njofton se të gjitha fondet buxhetore që nuk u shpenzuan nga ministritë dhe institucionet publike gjatë vitit 2025 tashmë janë transferuar në Fondin e Veçantë të Pensioneve.
Shuma përkatëse është rreth 167 milionë euro, të depozituara tashmë në Llogarinë Speciale të Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
Transferimi i këtyre fondeve përfaqëson një premtim të mbajtur dhe një angazhim të qartë për të përmirësuar sistemin e pensioneve, duke siguruar stabilitet afatgjatë dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike.
Reforma e Pensioneve do të vijojë të zbatohet me vendosmëri, me qëllim ndërtimin e një sistemi më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për çdo qytetar.
Transferimi i këtyre fondeve buxhetore është kryer në zbatim të Aktit Normativ Nr. 11, datë 19.12.2025, si dhe në përputhje me kuadrin ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor.
Ky është një hap konkret në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë financiare të sistemit të pensioneve dhe garantimit të një mbështetjeje më të drejtë dhe më të sigurt për pensionistët.