Ministria e Financave

Ministri Malaj: Politika fiskale të shëndosha dhe reforma strukturore për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, uljen e borxhit dhe ndërtimin e sistemit fiskal në përputhje me standardet e BE

Ministria e Financave organizoi aktivitetin për prezantimin e Kuadrit Makroekonomik dhe Politikat Fiskale, Shqipëria 2030, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, përfaqësues të shoqatave të biznesit, Administratën Tatimore dhe Doganore.
Në fjalën e tij, Ministri i Financave theksoi fillimisht faktin se falë reformave që po ndërmerren, ekonomia e vendit tashmë ka hyrë në fazën e konsolidimit, rritjes së qëndrueshme dhe mundësive konkrete që përkthehen në rritje të mirëqenies. Në këtë frymë, tha z. Malaj, ishin dhe ndryshimet buxhetore të bëra pak ditë më parë, përmes së cilave u rritën fondet për shtresën e pensionistëve, si dhe për nxitjen e investimeve strategjike në infrastrukturë apo edhe digjitalizim. Kjo frymë, vijoi Ministri, do të shoqërojë edhe në hartimin e Buxhetit 2026 dhe Paketës Fiskale, dokumente që së shpejti do të paraqiten për miratim në Këshillin e Ministrave.
Rrugëtimi që kemi përshkuar deri më sot, reformat që kemi zbatuar dhe po zbatojmë, vendimet që kemi marrë janë garancia se Shqipëria po ecën drejt vitit 2030 me ekonomi më të fortë, financa më të qëndrueshme dhe institucione më moderne. Ne besojmë se stabiliteti fiskal nuk është vetëm një detyrë e qeverisë, është një premisë e zhvillimit, besimit dhe dinjitetit kombëtar. Me Kryeministrin Rama dhe Qeverinë, ne do të vazhdojmë të punojmë për një politikë fiskale shqiptare me vizion, integritet dhe përgjegjësi, për t’i dhënë çdo qytetari shqiptar një arsye më shumë për të besuar në të ardhmen e këtij vendi”, u shpreh z. Malaj.

Ministri përmendi disa prej arritjeve të shënuara në dekadën e fundit dhe u shpreh se qëllimi ambicioz është që përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare të garantojë një trajektore të re zhvillimi të qëndrueshëm, duke siguruar: ruajtjen e stabilitetit makroekonomik; uljen e borxhin publik; si dhe ndërtimin e një sistem fiskal modern, transparent dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
“Sfida jonë është të modernizojmë marrëdhënien e shtetit me qytetarin dhe biznesin. Në këtë kuadër, ne do të zbatojmë “Paqen Fiskale 2026–2029”, një marrëveshje e re besimi me sipërmarrjen shqiptare”, u shpreh z. Malaj, ndërsa garantoi se qeveria do të vijojë të mbajë premtimin për të siguruar 0% taksë për biznesin e vogël deri në vitin 2029, si një garanci e qartë se politikat e saj mbështesin atë që është baza e sipërmarrjes, bizneset që rrisin ekonomitë familjare dhe gjenerojnë vende të lira pune.
Përmes zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, tha Ministri, do të garantohet: përmirësimi i administrimit tatimor dhe reduktimi i informalitetit; zgjerimi i bazës tatimore pa rritur barrën fiskale; dhe digjitalizimi i plotë të shërbimeve fiskale. Për Administratën Doganore, në kuadër të kësaj Strategjie, viti 2026 është vit i ndërtimit të infrastrukturës doganore si platforma Single Window, sistemi i tranzitit, përmirësimi i riskut.  Ndërsa viti 2027 është vit i integrimit dhe zbatimit siç janë: hyrja në sistemin e tranzitit evropian, marrëveshja me BE për Operatoret e Lire Ekonomik (OEA), rritja e aftësive analitike dhe bashkëpunim më i madh kundër kontrabandës. Gjithashtu, do të përafrohet tërësisht legjislacionin tatimor e doganor me direktivat e BE-së.
Ministri Malaj informoi se brenda vitit 2027 do të krijohet Këshilli Fiskal, në përputhje me rekomandimet dhe kuadrin ligjor e rregullator të BE-së,  i cili do të garantojë ndër të tjera që vlerësimi i politikës fiskale të Qeverisë në aspektin e qëndrueshmërisë së financave publike, të jetë në përputhje me rregullat fiskale dhe objektivat makroekonomike.
Nga ana tjetër, do të zbatohet reforma e taksës mbi pasuritë e paluajtshme, e cila synon të ndërtojmë një sistem të ri të drejtë dhe të bazuar në vlerën reale të tregut, një standard europian për transparencën fiskale.
Ministri konfirmoi se bujqësia do të vijojë të mbetet prioritet i qeverisë dhe në këtë drejtim do të rishikohet skema e TVSH-së për fermerët e cila do të hyjë në fuqi nga viti 2026, për të garantuar që mbështetja të jetë e drejtë, direkte dhe e ndjeshme financiarisht për ata që punojnë tokën.
Sa i takon Financave Publike, Ministri Malaj tha se përmbushja e kritereve të integrimit në Bashkimin Europian kërkon forcimin e kuadrit të planifikimit buxhetor afatmesëm. Për periudhën 2025–2029, prioritetet kryesore janë:
Përafrimi me standardet e BE-së dhe forcimi i lidhjes midis politikave dhe burimeve buxhetore;
Zbatimi i buxhetimit të bazuar në performancë për rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies;
Transformimi digjital i procesit buxhetor përmes zhvillimit të sistemit SIMF dhe rritjes së transparencës publike.
“Këto masa synojnë një administratë financiare moderne, të qëndrueshme dhe plotësisht të harmonizuar me praktikat e Bashkimit Europian”, tha z. Malaj.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave konfirmoi se Shqipëria ka arritur një ulje të ndjeshme të borxhit publik, nga 74% e PBB-së në vitin 2021 në rreth 54% në mesin e vitit 2025, si rezultat i politikave të kujdesshme fiskale dhe konsolidimit të qëndrueshëm financiar. “Kjo rënie historike prej 20 pikë përqindje pasqyron menaxhimin efektiv të portofolit të borxhit dhe reduktimin e rreziqeve fiskale”, vlerësoi z. Malaj.
Ndërkohë, për periudhën 2025–2029, Ministria e Financave do të zbatojë Strategjinë e re të Menaxhimit të Borxhit, përmes së cilës synohet: ulja e mëtejshme e raportit borxh/PBB; zgjerimin e burimeve të financimit në tregjet vendase dhe ndërkombëtare me kushte të favorshme; përmirësimi i strukturës së borxhit për të garantuar kosto më të përballueshme dhe risk më të ulët; zbatimi i politikave transparente për garancitë shtetërore dhe përgatitjen e një metodologjie të re për vlerësimin e riskut.