Ministria e Financave

Ministria e Financave ka hapur konsultimin publik të projektligjit “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e kuadrit institucional të qeverisjes fiskale dhe rritjen e transparencës në menaxhimin e financave publike.
Projektligji parashikon krijimin e Këshillit Fiskal si një institucion të pavarur, me mandat të qartë ligjor, i cili do të monitorojë zbatimin e rregullave fiskale, do të vlerësojë politikat fiskale dhe do të analizojë parashikimet makroekonomike dhe buxhetore. Përmes këtij mekanizmi synohet të forcohet ndarja ndërmjet funksionit të hartimit të politikave dhe atij të vlerësimit të tyre, duke rritur objektivitetin, besueshmërinë dhe transparencën e procesit të vendimmarrjes.


Krijimi i Këshillit Fiskal përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të mëtejshëm me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian në fushën e qeverisjes ekonomike, si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare për mbikëqyrjen e politikave fiskale.
Funksionimi i këtij institucioni pritet të kontribuojë në forcimin e disiplinës fiskale, përmirësimin e cilësisë së analizave dhe parashikimeve buxhetore, si dhe në garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Gjithashtu, Këshilli Fiskal do të mbështesë rolin mbikëqyrës të Kuvendit, duke ofruar analiza dhe vlerësime të pavarura mbi dokumentet kryesore të politikës fiskale.
Gjithashtu, nëpërmjet kësaj nisme synohet identifikimi i hershëm i rreziqeve fiskale, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe balancës institucionale, si dhe rritja e besimit të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë në qëndrueshmërinë dhe transparencën e politikës fiskale të Shqipërisë.
Ministria e Financave fton të gjitha palët e interesuara të japin komentet dhe sugjerimet e tyre gjatë procesit të konsultimit publik, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të projektligjit dhe garantimin e një kuadri sa më efektiv për funksionimin e Këshillit Fiskal.

Link i konsultimit publik