Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në aktivitetin me temë “Ndërtimi i Besimit: Rruga e Shqipërisë në BE drejt Qeverisjes Transparente”. Eventi u organizua në kuadër të “Javës së Integritetit”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit z. Edi Rama, Ambasadorit të BE-së, z. Silvio Gonzato, Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj vuri theksin në rëndësinë e transparencës së financave publike dhe progresin që është arritur në vitet e fundit në këtë drejtim, i cili është konstatuar dhe nga shuma organizma ndërkombëtarë monitorues.
Ministri tha se Ministria e Financave ka rritur në mënyrë të vazhdueshme transparencën, duke e përcjellë informacion më cilësor dhe më të kuptueshëm për publikun e gjerë.
“Financat Publike janë një shtyllë kyçe në dobi të transparencës publike. Si Ministri e Financave kemi forcuar ndjeshëm sistemin e raportimit financiar. Sot, të dhënat e gjeneruara mbi shpenzimet dhe të ardhurat buxhetore janë plotësisht të aksesueshme nga publiku”, u shpreh z. Malaj.

Sipas Ministrit të Financave, edhe prezantimi i platformës interaktive “Albania Transparency” përbën një hap tjetër kyç në ofrimin e informacionit buxhetor të plotë dhe cilësor për publikun e gjerë, përmes së cilit çdo qytetar do të mund të ndërveprojë me opinione dhe sugjerime.
Fjala e Ministrit Malaj:
I nderuar z. Kryeministër,
I nderuar z. Ambasador Gonzato,
E nderuar znj. Ministre,
I nderuar z. Komisioner,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është kënaqësi e veçantë të jem sot në këtë takim, në kuadër të “Javës së Integritetit”.
Procesi i integrimit është padyshim një rrugëtim i gjatë dhe plot sfida. Një rrugëtim ku detyrat që na presin janë shumë herë më të mëdha dhe përgjegjësia për përmbushjen e tyre është shumëfish më e madhe, në një kohë kur synojmë të përmbushim ambicien tonë “Shqipëria anëtare në BE në 2030”.
Çfarë kërkohet nga ne nuk është vetëm përmbushja e kritereve teknike, por edhe ndërtimi në themel i kulturës së besimit midis qytetarëve, institucioneve dhe partnerëve tanë europianë.
Kur flasim për financa publike, flasim për buxhetim, për llogaridhënie, për transparencë, çfarë kemi qenë është shumë larg nga çfarë jemi sot.
Progresi është i dukshëm dhe ky nuk është një fakt që e themi ne!
Këtë e thonë institucionet ndërkombëtare monitoruese dhe vlerësuese të transparencës buxhetore në të gjitha dimensionet e saj, si Open Budget Partnership, SIGMA-OECD, PEFA, të cilat në raportimet e tyre kanë vlerësuar progresin e qëndrueshëm të bërë nga Shqipëria në këtë drejtim.
Në vlerësimin e fundit të Open Budget Index në terma krahasimorë, në vitin 2023, Shqipëria u vlerësua me 57 pikë nga 38 pikë që vlerësohej më parë kundrejt 100 pikëve të mundshme. Ky pikëzim na renditi shumë afër pragut që i referohet vendeve që ofrojnë informacione dhe materiale të mjaftueshme që mbështesin debatin publik për buxhetin. Në këtë vlerësim, Shqipëria la ndjeshëm pas vendet e rajonit, si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina dhe na pozicionoi me afër me vendet e BE-së, si Sllovenia dhe Kroacia.
Referuar edhe vlerësimit PEFA, pikat e forta në transparencën e financave publike janë grupi i plotë i dokumenteve buxhetore të ofruara nga qeveria qendrore në Kuvend, që mundëson një pasqyrë të plotë të parashikimeve fiskale, propozimit të buxhetit dhe rezultateve fiskale të vitit aktual dhe atij të mëparshëm.
Nota pozitive janë marrë edhe nga vlerësimi SIGMA, ku është vlerësuar zbatimi i buxhetit në përputhje me vlerësimet dhe raportet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke lejuar shqyrtimin në kohë të tij.
Gjithashtu Ministria e Financave në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm ka rritur transparencën ndaj publikut, por edhe e ka bërë informacionin më cilësor dhe të kuptueshëm.
Sot, të gjitha dokumentet kryesorë buxhetorë, si dhe raportet e performancës financiare dhe jo financiare, publikohen periodikisht duke i garantuar publikut akses të plotë në çdo kohë.
Buxheti vjetor gjithashtu publikohet në një format të thjeshtëzuar dhe të kuptueshëm për qytetarët, për të bërë të mundur që ai të kuptojë se nga vijnë të ardhurat dhe sesi shpenzohen paratë e tyre.
Edhe në drejtim të digjitalizimit të menaxhimit të financave publike, kemi krijuar platforma bashkëkohore, bazuar në teknologjinë e informacionit që sigurojnë prodhimin e informacionit në kohë reale dhe me saktësi.
Në këtë frymë, edhe prezantimi sot i platformës interaktive “Albania Transparency” përbën një hap tjetër kyç në ofrimin e informacionit buxhetor të plotë dhe cilësor për publikun e gjerë, përmes së cilit çdo qytetar do të mund të ndërveprojë me opinione dhe sugjerime. Në fillim informacioni do të jetë i konceptuar kryesisht për projektet e investimeve, për t’u shtrirë më pas për të gjitha shpenzimet buxhetore. Kryesisht do të jenë informacione që lidhen me shpenzimet kapitale faktike, por edhe të detajuara sipas realizimeve përkatëse.
Sa i takon Financave Publike, edhe ato janë një shtyllë kyçe në dobi të transparencës publike. Si Ministri e Financave kemi forcuar ndjeshëm sistemin e raportimit financiar.
Sot, të dhënat e gjeneruara mbi shpenzimet dhe të ardhurat buxhetore janë plotësisht të aksesueshme nga publiku.
Në këtë frymë, rritja e transparencës, modernizimi i teknologjive dhe forcimi i kapaciteteve institucionale mbeten çështje për të cilat ne po punojmë intensivisht duke i adresuar.
Ne besojmë se përmes rezultateve të prekshme, kapërcimi i çdo sfide na bën të jemi një hap më afër BE-së.
Prandaj le të punojmë së bashku për të siguruar që Shqipëria të jetë një shembull i mirëqeverisjes dhe transparencës për publikun.
Ju faleminderit!