Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend gjatë diskutimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, u ndal te përgjegjësia e institucioneve për respektimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor në administrimin e financave publike.
Ministri theksoi se përcaktimi i pagave dhe fondeve buxhetore bëhet përmes ligjit dhe procesit ligjvënës, ndërsa Thesari i Shtetit kontrollon dhe ekzekuton pagesat në përputhje me bazën ligjore dhe fondet e miratuara.
Në fjalën e tij, z. Malaj shpjegoi edhe funksionimin e Thesarit të Shtetit, duke nënvizuar se Thesari nuk përcakton pagat, por kontrollon bazën ligjore, dokumentacionin dhe fondet buxhetore përpara ekzekutimit të pagesave. Ai theksoi se çdo ndryshim në pagat e magjistratëve duhet të shoqërohet me mbështetjen përkatëse ligjore dhe buxhetore, ndërsa vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe të zbatohen nëpërmjet procedurave të përcaktuara me ligj.
Ministri Malaj nënvizoi se mbështetja për reformën në drejtësi dhe trajtimi dinjitoz i magjistratëve mbeten të rëndësishme, ndërsa mbrojtja e financave publike, respektimi i ligjit dhe përdorimi me përgjegjësi i parave të qytetarëve janë përgjegjësi themelore të Ministrisë së Financave.
Fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj:
Çështja e pagave të magjistratëve, përtej dimensionit financiar, ka ngritur një diskutim më të gjerë dhe më të fortë, atë të parimit kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, të rolit të secilit institucion në Republikën e Shqipërisë, por edhe për mënyrën se si ndërthuret pavarësia e gjyqësorit me kompetencat kushtetuese të Kuvendit dhe përgjegjësitë e qeverisë për administrimin e financave publike.

Pavarësia e pushtetit gjyqësor është një e drejtë themelore dhe kjo nuk vihet aspak në diskutim.
Por, nuk është detyra ime sot që të qartësoj rolet e secilit pushtet, pasi ato i ka përcaktuar qartësisht Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Në fakt sot duhet të isha përpara jush për të folur mbi implikimet që ka buxheti i shtetit nga kërkesat që vijnë nga magjistratët.
Nuk do ta bëj as këtë.
Sepse politikat e shpenzimeve publike, përcaktimi i fondeve buxhetore, përfshirë këtu edhe fondet për magjistratët, dhe autorizimi jepem dhe janë kompetenca që Kushtetuta ia ka besuar Kuvendit dhe realizimi bëhet vetëm nëpërmjet procesit ligjvënës.
Gjithashtu, rasti atipik për të cilin po flasim është rrjedhojë e vullnetit politik të kësaj mazhorance, me zanafillë në suksesin e reformës më të madhe të bërë ndonjëherë këtu, reformës në drejtësi.
Por, e ndjej të nevojshme të marr disa minuta nga koha juaj për të shpjeguar mënyrën se si funksionon Buxheti dhe Thesari i Shtetit.
E them këtë për të gjithë ata që ende janë të paqartë, por edhe për opinionin publik sepse është shumë e rëndësishme.
Ministria e Financave e bazon punën e saj në hartimin dhe zbatimin e Buxhetit vetëm mbi bazën e ligjit.
Nenet 157 – 160 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e përcaktojnë në mënyrë eksplicite që buxheti preket vetëm me ligj. Këtë e thotë edhe neni 159 qartësisht ku shprehet se “zbatimi i buxhetit përcaktohet me ligj.”
Përcaktimi me ligj sanksionohet gjithashtu edhe në Ligjin organik të buxhetit.
Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që Thesari i Shtetit nuk vendos paga.
Thesari kontrollon dhe ekzekuton pagesat që institucionet paraqesin, pasi verifikon nëse ato janë në përputhje me ligjin dhe me fondet e miratuara.
Si funksionon procesi?
Një institucion shtetëror paraqet pranë Thesarit listëpagesat dhe urdhër-shpenzimin. Ky dokument nuk shkon automatikisht për pagesë.
Ai kalon fillimisht nëpërmjet Thesarit dhe aty bëhen një sërë kontrollesh:
Së pari, kontrollohet nëse dokumenti është plotësuar siç duhet dhe nëse ka të gjitha të dhënat e nevojshme.
Së dyti, kontrollohet numri i punonjësve: sa janë të planifikuar dhe sa janë realisht në listëpagesën që sillet për pagesë.
Së treti, kontrollohet nëse institucioni ka fondin e nevojshëm në buxhet dhe në planin e Thesarit për të kryer atë pagesë.
Dhe, shumë e rëndësishme, kontrollohet nëse totali i listëpagesës përputhet me totalin e urdhër-shpenzimeve dhe nëse ndryshimet nga një muaj në tjetrin kanë një shpjegim dhe mbështetje ligjore e buxhetore.
Pra, nëse një institucion paraqet një pagesë të re me rritje apo ulje të pagave, Thesari nuk mund të thotë: “Po e kryej këtë pagesë sepse po më kërkohet”.
Thesari duhet të verifikojë: A ka bazë ligjore? A është miratuar? A ka fond buxhetor? A është dokumentacioni i rregullt?
Nëse gjithçka është në rregull, padyshim që pagesa ekzekutohet.
Nëse ka një problem, një mospërputhje apo një rritje që nuk shoqërohet me fondin përkatës të buxhetuar, atëherë aktivizohet procedura e sinjalizimit tek eprori ose te nëpunësi i parë autorizues, pikërisht për të mos lejuar që një pagesë të kryhet pa bazën ligjore dhe buxhetore.
Kjo është e gjithë logjika e Thesarit:
Institucioni paraqet kërkesën për pagesë.
Thesari kontrollon.
Dhe kur çdo gjë është në përputhje me ligjin dhe me fondet e miratuara, Thesari ekzekuton.

Ky është një mekanizëm që mbron paratë publike dhe që natyrisht zbatohet me rigorozitet nga të gjitha degët e Thesarit në Shqipëri.
Ndaj, angazhimi ynë i përditshëm është të garantojmë ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe respektimin e procesit kushtetues të buxhetimit nga ana tjetër.
Këtë detyrë që na është ngarkuar natyrisht që ne nuk mund ta zbatojmë me gjuhën e kërcënimeve të prangave.
Si mund të ndodh që një prokuror rrethi të dërgojë OPGJ-në në zyrat e Thesarit dhe t’i thotë punonjësve : “Ose kryeni pagesën ose do t’ju arrestoj!
Ku ndodh kjo, më thoni?!
Unë besoj që këtu ka një konfilikt shumë të madh interesi!
Kjo nuk është një “matje muskujsh” mes institucioneve, pra midis ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë.
Mund të më thoni se ku është shkelja që kanë bërë punonjësit e Thesarit?! Ku është shkelja që ka bërë Ministri i Financave?! Është bërë kallëzim për punonjësit, ku është shkelja, ndërkohë që ligji dhe Kushtetuta e thotë që buxheti i shtetit mund të preket vetëm me ligj?!
Është gabim të kërkosh zbatimin e ligjit? Është gabim të mbrosh zbatimin e ligjit, prandaj po kallëzohemi?!
Apo është gabim pse themi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të përkthehet në ligj dhe ligjin pastaj ta përdorë Ministria e Financave dhe degët e Thesarit?!
Qeveria në asnjë rast nuk ka kundërshtuar parimin e trajtimit dinjitoz të magjistratëve. Ky parim është vendosur tashmë prej kohësh.
Ne jemi të bindur që vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet dhe do të respektohet një më një.
Është ky Kuvend që duhet të thotë fjalën e tij, që një projekligj ta bëjë ligj, që ligji të përcaktojë nivelet e pagave e që më pas ne të zbatojmë këtë ligj.
Këto nuk janë paratë e Qeverisë. Nuk janë as paratë e Ministrisë së Financave.
Këto janë paratë e qytetarëve shqiptarë.
Ministria e Financave është thjesht administratori, është gardiani i buxhetit, është mbrojtësi i financave publike.
Imagjinoni për pak çaste nëse çohen mjekët dhe do të thonë : “Ose na rrisni pagat ose ne nuk do të ofrojmë më shërbime mjekësore”. Çfarë do të ndodhë?
Do të ngrihen këta prokurorë dhe do të ngrenë padi ndaj mjekëve?
Po nëse me këtë precedent që u krijua do të ngriheshin punonjës të cilët janë të punësuar në struktura kritike ose në detyra kritike, duke marrë  policinë apo zjarrëfikësit, dhe do të thonin: “Na rrisni pagat ose ne ndryshe do ta sabotojmë punën”. Çfarë do të ndodhte?
Sistemi i drejtësisë ka qenë prioritet absolut i qeverisë Rama, që ne e kemi marë me seriozitetin më të madh. Ka qenë dhe mbetet një vullnet i plotë i kësaj mazhorance për mbështetje pa kushte për suksesin e tij, por pa shkelur parimet, trasparencën dhe mbi të gjitha pa shkelur ligjin.
Ndaj, askush nuk mund të marrë sot vendime për paratë e qytetarëve përmes presionit apo duke anashkaluar ligjin.
Sepse pas çdo shifre duhet të kemi të qartë që ka një qytetar.
Ka një pensionist që pret një pension më të mirë.
Ka një prind që pret një shkollë, një kopësht apo një çerdhe me kushte më të mira për fëmijën e tij.
Ka një pacient që pret një shërbim shëndetësor më cilësor.
Ka një të ri që pret një mundësi punësimi.
Ka një fermer që pret një mbështetje më të madhe për punën e tij.
Këta pra janë njerëzit që duhet të kemi parasysh sa herë ne flasim për buxhetin apo për çdo lek të buxhetit të shtetit.
Unë jam këtu për të mbrojtur një parim.
Që ligji duhet respektuar.
Që institucionet padiskutim duhet të respektojnë njëri-tjetrin dhe që paratë publike duhet të përdoren me përgjegjësi, transparencë dhe në interes të të gjithë qytetarëve.
Kjo është përgjegjësia ime si Ministër i Financave dhe këtë përgjegjësi do ta mbaj deri në fund.