Ministria e Financave

Ministri i Financave: Ekonomia e vendit ka performuar pozitivisht, të angazhuar për vijimin e konsolidimit fiskal dhe reformave të nevojshme strukturore

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi sot një konferencë të përbashkët për shtyp me shefen e Misionit të FMN-së, znj. Anke Weber, dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në përfundim të diskutimeve 2 javore në kuadrin e Artikullit të Katërt të marrëveshjes së vendeve anëtare të FMN, mbi situatën makroekonomike dhe financiare të vendit.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj falënderoi ekipin e FMN-së për diskutimet e frytshme dhe rekomandimet e dhëna, në drejtim të përmirësimit të financave publike të vendit tonë.
Ministri Malaj bëri një prezantim të zhvillimeve kryesore ekonomike të vendit dhe perspektivës afat-mesme ekonomike dhe të financave publike, ndërsa theksoi faktin se fondamentet makroekonomikë kanë rezultuar tejet të qëndrueshëm gjatë tre goditjeve me të cilat vendit është përballur në vitet e fundit.
Ekonomia shqiptare, tha Ministri, po kalon një moment të mirë të saj, duke performuar pozitivisht dhe gjashtëmujori i parë i vitit konfirmoi pritshmëritë e Ministrisë së Financave, me një rritje prej 3.9% në terma vjetorë. “Kërkesa e brendshme ka qenë motori kryesor i aktivitetit ekonomik, ku konsumi privat dhe investimet kanë shënuar përkatësisht rritje prej 5.3% dhe 3.7% krahasuar me një vit më parë”, u shpreh z. Malaj.
Sa i përket ecurisë së financave publike, Ministri tha se është arritur progres thelbësor në konsolidimin fiskal, ku viti 2023 u mbyll me një balancë primare pozitive prej 0.7% të PBB-së, ndërsa borxhi publik zbriti në 57.5% të PBB-së, një ulje e konsiderueshme prej 6.6 pikë përqindje brenda një viti dhe niveli më i ulët që nga viti 2008.
Menaxhimi i kujdesshëm fiskal, vijoi z. Malaj, i kombinuar me stabilitetin makroekonomik dhe reformat strukturore, ka forcuar besueshmërinë e vendit në tregjet ndërkombëtare dhe agjencitë prestigjioze të vlerësimit të kreditit, Standard & Poor’s dhe Moody’s, kanë përmirësuar vlerësimet e tyre për Shqipërinë, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e tregut shqiptar dhe rrugës së zhvillimit që qeveria ka zgjedhur.
“Të gjithë këto tregues pozitivë nuk janë thjesht statistika, por reflektojnë transformimin gradual të ekonomisë shqiptare drejt një modeli më të qëndrueshëm rritjeje. Megjithatë, mbetemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin dhe jemi të angazhuar për të ruajtur dhe për të konsoliduar më tej këto arritje, përmes një sërë politikave ekonomike të përgjegjshme, si dhe reformave të nevojshme strukturore”, u shpreh Ministri i Financave.


Sipas z. Malaj, edhe projektbuxheti 2025, i cili u miratua në parim nga Kuvendi i Shqipërisë, do të ketë në fokus vijimin e konsolidimit fiskal, ndërsa mundëson një financim relativisht të kënaqshëm të sektorëve prioritarë buxhetorë dhe politikave strategjike të qeverisë, të cilat janë kyçe për një rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës.
Shefja e misionit të FMN-së, znj. Anke Weber, ndër të tjera, vlerësoi se ekonomia shqiptare është kthyer në një ecuri të fortë, e mbështetur nga politika të kujdesshme makroekonomike dhe se politikat e kujdesshme fiskale kontribuuan në një reduktim të dukshëm të borxhit publik.
Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, tha se ekonomia shqiptare ndodhet në një moment pozitiv zhvillimi, që dëshmohet si nga treguesit e rritjes ekonomike, ashtu edhe nga përmirësimi i thuajse të gjithë parametrave të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit.
Fjala e Ministrit të Financave:
Përshëndetje të gjithëve
Ju faleminderit për pjesëmarrjen tuaj!
Gjatë këtyre dy javëve, në Shqipëri ka qenë prezent stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili në përmbushje të misionit mbikëqyrës të radhës, në kuadër të Artikullit IV, të marrëveshjes që ka Shqipëria me FMN-në, ka kryer një analizë të thelluar të ekonomisë dhe financave shqiptare, me qëllimin për të na dhënë një vlerësim objektiv dhe të plotë mbi gjendjen dhe performancën e ekonomisë sonë, si dhe dhënien e rekomandimeve specifike për politikat makroekonomike apo elemente të tjerë specifikë.
Puna e kryer, gjetjet dhe rekomandimet e këtij misioni janë mjaft të rëndësishme, si për institucionet shqiptare që mbulojnë fushën e ekonomisë, si Ministria e Financave apo Banka e Shqipërisë, por edhe për aktorë të tjerë, duke shërbyer si një pikë e rëndësishme reference për vendimmarrjet e tyre.
Kam kënaqësinë që në përfundim të këtij misioni, së bashku me Shefen e Misionit, Znj. Weber dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z. Sejko të mbajmë këtë konferencë të përbashkët për shtyp, për të shprehur shkurtimisht pikëpamjet respektive institucionale që kemi.
Përpara se të bëj një prezantim të shkurtër të zhvillimeve dhe perspektivës afat-mesme ekonomike dhe të financave publike, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia në emër edhe të stafit të Ministrisë së Financave, për znj. Weber dhe gjithë ekipin e misionit të FMN-së, për bashkëpunimin e konstruktiv dhe të frytshëm, që kemi patur gjatë dy javëve të misionit.
Në këndvështrimin e Ministrisë së Financave, është mjaft domethënës fakti se ekonomia shqiptare ka treguar një rezistencë mjaft të lartë ndaj tri goditjeve të forta radhazi që kemi patur gjatë viteve të fundit, fillimisht me tërmetin e Nëntorit 2019, më pas me pandeminë globale në 2020 dhe më tej me goditjen e zinxhirit furnizues në vitin 2022 për shkak të luftës në Ukrainë.
Në vlerësimin tonë, por jo vetëm, kjo periudhë ka qenë një ndër testet më të forta për ekonominë shqiptare për të validuar aftësinë absorbuese dhe rikuperuese të ekonomisë sonë ndaj goditjeve të jashtme.
Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj gjithashtu se, ky ka qenë një test shumë i fortë edhe për institucionet e shtetit shqiptar në domainin e politikave ekonomike e financiare, të politikës fiskale dhe asaj monetare, që kanë treguar një aftësi relativisht të lartë për të menaxhuar riskun dhe për të kundërvepruar në mënyrën e duhur për tejkalimin me sa më me pak kosto.
Këto sprova natyrisht kanë edhe aspektin e tyre pozitiv, pasi përbëjnë një sinjal inkurajues për perspektivën afatmesme të ekonomisë shqiptare.
Ekonomia shqiptare po kalon një moment të mirë të saj, duke performuar pozitivisht. Gjashtëmujori i parë i këtij viti ka konfirmuar pritshmëritë tona, me një rritje prej 3.9% në terma vjetorë.
Ajo çka vlen të theksohet është diversifikimi i burimeve të kësaj rritjeje, me një rol të veçantë të sektorit të shërbimeve dhe ndërtimit. Kërkesa e brendshme ka qenë motori kryesor i aktivitetit ekonomik, ku konsumi privat dhe investimet kanë shënuar përkatësisht rritje prej 5.3% dhe 3.7% krahasuar me një vit më parë.
Dinamikat e tregtisë së jashtme paraqesin një realitet të përzier. Ndërsa eksportet totale të mallrave dhe shërbimeve u tkurrën me 2.5%, kryesisht për shkak të rënies së çmimeve në tregjet globale dhe mbiçmimit të lekut, sektori i turizmit ka vijuar të jetë një burim i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit. Nga ana tjetër, importet u zgjeruan me 6.7%, duke rezultuar në një ndikim lehtësisht frenues të sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike që kemi pasur gjatë vitit 2024.
Sinjalet e para për tremujorin e tretë janë premtuese. Indikatorët e besimit të biznesit dhe konsumatorëve qëndrojnë në territor pozitiv, duke tejkaluar mesataret e tyre historike. Bazuar në këto zhvillime, kemi rishikuar në rritje parashikimin tonë vjetor në 3.9%, nga 3.7% që e kishim parashikuar në vjeshtën e vitit të kaluar.
Tregu i punës vazhdon të jetë një tjetër pikë e fortë e ekonomisë shqiptare. Papunësia ka zbritur në nivelin më të ulët historik prej 10.7%, ndërsa pagat kanë shënuar rritje domethënëse. Veçanërisht inkurajues është fakti që ekonomia po tërheq gjithnjë e më shumë fuqi punëtore, një dinamikë që mund të na ndihmojë në menaxhimin më efektiv të sfidave demografike. Vlen për tu theksuar që gjatë vitit 2025 ne parashikojmë një normë papunësie një shifrore prej 9.8 % dhe kjo është hera e parë që Shqipëria në tre dekadat e fundit të ketë një normë papunësie 9.8 % ose një normë papunësie një shfirore.
Një arritje e rëndësishme është kontrolli i presioneve inflacioniste. Pas kulmimit në nivelin prej 8.3% në tetor 2022, inflacioni ka ndjekur një trajektore të qëndrueshme rënëse, duke arritur në një mesatare prej vetëm 2.2% për dhjetë muajt e parë të vitit 2024. Është për t’u theksuar se nivelet e inflacionit në vendin tonë kanë qenë vazhdimisht më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Stabiliteti i çmimeve është mbështetur ndjeshëm nga forcimi i lekut, një zhvillim që reflekton themelet e shëndosha të ekonomisë sonë dhe besimin e tregjeve ndërkombëtare. Flukset në rritje nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja kanë qenë forcat kryesore prapa këtij forcimi.
Pozicioni i jashtëm i ekonomisë sonë ka shënuar përmirësime të rëndësishme. Një tregues domethënës është ngushtimi i deficitit të llogarisë korrente në vetëm 1.2% të PBB-së në fund të vitit 2023 dhe që shënon nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, me një përmirësim prej 5.9% në krahasim me vitin 2022 dhe, ose nëse do të marrim mesataren e 5 viteve të fundit që ka qenë 7.3%, ai ka rënë në 1.2 %.
Gjatë gjysmës së parë të 2024-ës, pavarësisht një zgjerimi të lehtë deficitit të llogarisë korrente, kemi parë zhvillime mjaft pozitive në disa komponentë kyç. Veçanërisht inkurajuese është rritja prej 25.4% e të ardhurave nga turizmi dhe rritja prej 15% e remitancave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto flukse të shëndetshme valutore kanë ndihmuar në ngushtimin e deficitit tregtar të mallrave.
Besimi i investitorëve të huaj në ekonominë tonë vijon të jetë i fortë. Investimet e huaja direkte u rritën me 8.7% gjatë 2023-it dhe ky momentum pozitiv i rritjes së investimeve të huaja ka vijuar edhe në 2024 me një rritje mesatare prej 8.1% në gjashtëmujorin e parë. Është për t’u vlerësuar diversifikimi i këtyre investimeve në sektorë si energjetikë, komunikacion, pasuri të paluajtshme, ndërmjetësim financiar, e të tjerë.
Pozicioni ynë valutor është solid. Rezervat valutore kanë arritur në rreth 5.5 miliardë euro, duke mbuluar 6.4 muaj importe, një nivel që na mundëson mburojën e nevojshme për të përballuar çfarë do lloj goditjeje apo turbulence që mund të vijnë nga tregjet ndërkombëtare në të ardhmen.
Veçanërisht e rëndësishme është ecuria e financave publike, ku kemi arritur një progres thelbësor në konsolidimin fiskal. Viti 2023 u mbyll me një balancë primare pozitive prej 0.7% të PBB-së, ndërsa borxhi publik ka zbritur në 57.5% të PBB-së, një ulje e konsiderueshme prej 6.6 pikë përqindje brenda një viti dhe niveli më i ulët që nga viti 2008.
Ky menaxhim i kujdesshëm fiskal, i kombinuar me stabilitetin makroekonomik dhe reformat strukturore, ka forcuar besueshmërinë tonë në tregjet ndërkombëtare. Agjencitë prestigjioze të vlerësimit të kreditit, Standard & Poor’s dhe Moody’s, kanë përmirësuar vlerësimet e tyre për Shqipërinë, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e tregut shqiptar dhe rrugës së zhvillimit që kemi zgjedhur.
Të gjithë këto tregues pozitivë nuk janë thjesht statistika, por reflektojnë transformimin gradual të ekonomisë shqiptare drejt një modeli më të qëndrueshëm rritjeje. Megjithatë, mbetemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin dhe jemi të angazhuar për të ruajtur dhe për të konsoliduar më tej këto arritje, përmes një sërë politikave ekonomike të përgjegjshme, si dhe reformave të nëvojshme strukturore.
Siç jeni në dijeni, dy ditë më parë miratuam në parim, në Kuvend, projektbuxhetin e vitit 2025.
Një nga fokuset kryesorë të këtij buxheti është edhe konsolidimi fiskal, i cili siguron qëndrueshmëri afatgjatë të financave publike dhe është fondament esencial për stabilitetin ekonomik të vendit, të cilat janë premisa thelbësore për të siguruar një rritje të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Më lejoni të specifikoj edhe disa aspekte të projektbuxhetit 2025, i cili materializon plotësisht disa objektiva themelorë të politikës fiskale:
– Ky projektbuxhet materializon plotësisht balancën primare pozitive, që është një parametër kyç për qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike;
– Ky projektbuxhet materializon reduktimin e borxhit publik vit pas viti;
– Materializon një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale.
Për ta thjeshtuar më tej edhe për dëgjuesit, ky projektbuxhet materializon katër pika kryesore:
1- Rritje të qëndrueshme ekonomike prej 3.9% përgjatë tre viteve të ardhshme;
2- Ky projektbuxhet garanton më shumë investimeve publike: 6.2% për 2025, 6.1 për 2026 dhe 6.1 të PBB për 2027;
3- Ky projektbuxhet materializon gjithashtu më shume mbrojtje sociale për shoqërinë shqiptare, ku kemi alokuar 100 milionë euro më shumë në krahasim me vitin që po lëmë;
4- Së fundmi, një nga elementët kyç, është edhe ulja e borxhit publik, i cili nëpërmjet këtij projektbuxheti ulet nga 56.3% që presim në fund të vitit 2024 në 55.8%.
Lidhur me risqet për periudhën afatmesme, vlerësojmë se ato mbeten përgjithësisht të balancuara dhe të menaxhueshme.
Në tërësi, Ministria e Financave vlerëson se perspektiva afatmesme e ekonomisë sipas skenarit tonë bazë mbetet inkurajuese dhe se ka një probabilitet të lartë për t’u materializuar përgjithësisht në linjë më këtë skenar bazë.
Kjo ishte ajo çka unë doja të ndaja me ju!
Ashtu siç e ka edhe protokolli i konferencave të tilla, do të doja t’ia kaloja fillimisht fjalën znj. Anke Weber dhe më tej Guvernatorit, z. Sejko.
Më pas, patjetër me kënaqësi, do të mirëpresim pyetjet tuaja.
Faleminderit.