Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, priti sot në një takim Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Evropën Juglindore, z. Grzegorz Zielinski, së bashku me Drejtorin e ri të BERZH-it për Shqipërinë, z. Hannes Takacs, i cili ka nisur detyrën më 1 shtator 2026.
Gjatë takimit u diskutua mbi partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH-it, i cili prej vitesh ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor të vendit.

Ministri Malaj nënvizoi rëndësinë e këtij partneriteti dhe kontributin e BERZH-it në financimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit. Në këtë kuadër, ai theksoi angazhimin e Ministrisë së Financave për të thelluar më tej bashkëpunimin me Bankën, veçanërisht në sektorë prioritarë si energjia, furnizimi dhe trajtimi i ujërave, dixhitalizimi dhe strehimi social.

Ministri Malaj shprehu besimin se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH-it do të vijojë të forcohet, në funksion të financimit të projekteve të reja dhe mbështetjes së reformave me rëndësi për zhvillimin e vendit.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e BERZH-it vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet shqiptare dhe rikonfirmuan angazhimin për të vijuar mbështetjen ndaj Shqipërisë, përmes financimit të investimeve dhe projekteve që kontribuojnë në rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe modernizimin e infrastrukturës.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi ecurinë e projekteve aktuale të mbështetura nga BERZH-i, si dhe mundësitë për zgjerimin e portofolit të investimeve dhe identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit me interes të përbashkët.
Që prej vitit 1992, BERZH-i ka angazhuar mbi 1.13 miliardë euro në Shqipëri, të orientuara kryesisht drejt sektorëve të transportit dhe energjisë, duke kontribuar në realizimin e investimeve strategjike dhe forcimin e bazave për një rritje ekonomike të qëndrueshme.

BERZH-i renditet ndër kreditorët kryesorë në portofolin e borxhit të jashtëm të disbursuar nga Qeveria Shqiptare, duke dëshmuar rolin e rëndësishëm të Bankës në financimin e investimeve publike dhe mbështetjen e reformave strukturore.