Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot për diskutim në parim projektbuxhetin e shtetit për vitin 2025, në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat.
Ministri Malaj theksoi faktin se projektbuxheti 2025 përmbush dy objektiva themelorë, atë të sigurimit të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe objektivin e konsolidimit fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruatjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskal në nivele pozitive.
Kështu, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB dhe krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.
Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore janë parashikuar në nivelin 822.7 miliardë lekë me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024.
Fjala e Ministrit Malaj:
Projektligji i buxhetit të vitit 2025 që po fillon të shqyrtohet sot nga Kuvendi i Shqipërisë, përmbush dy objektiva themelorë:
• Objektivi i parë themelor është të vijojmë rritjen ekonomike të qëndrueshme e cila krijon punësim, zhvillim dhe rritje të mirëqënies për të gjithë qytetarët shqiptarë;
• Objektivi i dytë themelor është konsolidimi fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruatjen e të gjitha parametrave makroekonomikë dhe fiskal në nivele pozitive.
Sigurisht, krahas këtyre dy objektivave themelorë të politikës makroekonomike dhe fiskale, buxheti i vitit që vjen materializon edhe një sërë politikash buxhetore dhe projekte investimi të rëndësishme të cilat unë do t’i përmend shkurtimisht më poshtë gjatë fjalës dhe të cilat besoj do diskutohen më në detaje në komisionet e ndryshme të Kuvendit.
Por, përpara se të vijoj më tej do doja të komentoja shkurt mbi rëndësinë e objektivave të sipërcituar nga perspektiva e zhvillimeve të fundit ekonomike në vend dhe në rajon si dhe perspektivës që ne kemi për vitin tjetër, mbi të cilat është bazuar ushtrimi i programimit buxhetor për këtë projektbuxhet që po shqyrtohet nga ana juaj.
Së pari, më lejoni të nënvizoj se ekonomia jonë ka treguar një rezistencë të fortë përballë një sërë goditjesh të njëpasnjëshme gjatë tre viteve të fundit. Duke nisur me tërmetin e nëntorit 2019, pasuar nga pandemia globale dhe së fundmi, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, si pasojë e luftës në Ukrainë, ekonomia shqiptare ka dëshmuar qëndrueshmëri dhe kapacitet për rimëkëmbje, duke tejkaluar pritshmëritë fillestare.
Sot, ekonomia shqiptare vijon në një trend pozitiv. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) real është rritur me 3.9% në tremujorin e parë të këtij viti, e ndjekur nga një rritje më e fortë prej 4.1 në tremujorin e dytë, krahasuar me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Në terma kumulativë, rritja në gjysmën e parë të vitit 2024 u zgjerua me 3.9% në terma vjetorë, në përputhje me parashikimet tona aktuale për të gjithë vitin 2024.
Rritja ekonomike gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur një bazë relativisht të gjerë sektoriale, ku sektorët me kontributin më të lartë ishin sektori i shërbimeve dhe ai i ndërtimit. Në kahun e kërkesës, aktiviteti ekonomik u mbështet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet, me rritje respektivisht prej 5.3% dhe 3.7%, krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2023.
Ndërkohë, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u kontraktuan me 2.5% krahasuar me një vit më parë, kryesisht për shkak të rënies së eksporteve të mallrave si pasojë e çmimeve në rënie në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimit të monedhës vendase. Në një njëtën konë, eksporti i shërbimeve ka shënuar rritje të fortë pozitive, kryesisht të lidhura me sektorin e turizmit, në pasqyrim të një sezoni turistik mjaft të mirë edhe për gjatë këtij viti.
Nga ana tjetër, importet e mallrave dhe shërbimeve u zgjeruan me 6.7% në gjysmën e parë dhe për rrjedhojë kërkesa e huaj neto pati një kontribut lehtësisht negativ në rritjen ekonomike të gjysmës së parë.
Të dhënat paraprake indirekte për tremujorin e tretë tregojnë për një qëndrueshmëri të rritjes ekonomike. Treguesit e ndjesisë ekonomike janë mbi mesataren historike, duke reflektuar rritjen e besimit të biznesit dhe konsumatorit për të ardhmen e ekonomisë.
Duke faktorizuar këto zhvillimeve pozitive disi mbi pritshmëritë tona fillestare, kemi rishikuar në rritje projeksionet tona për rritjen ekonomike të këtij viti në 3.9% nga 3.7% që parashikonim fillimisht, pra që parashikonim në vjeshtën e një viti më parë.
Edhe zhvillimet në tregun e punës kanë reflektuar përgjithësish dinamikat pozitive të ekonomisë reale. Tregu i punës u karakterizua nga zhvillime pozitive, si rritja e punësimit, rënia e numrit të të papunëve të regjistruar, si dhe vijueshmëria e rritjes së qenësishme të nivelit të përgjithshëm të pagave. Në vitin 2023, punësimi u rrit me një mesatare prej 1.6%, ndërsa shkalla e papunësisë ra në nivelin më të ulët historik prej 10.7% në tremujorin e fundit 2023. Pjesëmarrja në forcat e punës u zgjerua më tej, duke arritur në 75.1%, ndërsa norma e punësimit arriti në 66.7%. Këto shifra tregojnë se ekonomia jonë po krijon mundësi të reja pune dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për forcën punëtore, dinamika të cilat mund të jenë mjaft ndihmuese për të pasur një adresim më të lehtë dhe më gradual me sfidat demografike me të cilat përballemi.
Sa i përket inflacionit, që ka qenë problemi kryesor global makroekonomik gjatë kohëve të fundit, ashtu si shumë vende të tjera, edhe ne u përballëm me presione inflacioniste të ndjeshme gjatë vitit 2022 dhe në fillim të 2023, të cilat çuan në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve dhe veçanërisht në disa kategori të vecanta të shportës të cilat ishin më direkt të ekspozuara ndaj këtyre goditjeve, si produktet ushqimore dhe produktet energjitike. Rrjedhimisht, patëm një rritje të ndjeshme të inflacionit, me normë vjetore që arriti kulmin në 8.3% në tetor të vitit 2022, niveli më i lartë që nga marsi 2002.
Megjithatë, theksoj se, norma e inflacionit në vendin tonë mbeti vazhdimisht në nivele më të ulta se ajo e vendeve të tjera të rajonit, si dhe mesatarja e BE-së. Nga një mesatare prej 6.7% në vitin 2022, inflacioni mesatar në vendin tonë ra në 4.8% në 2023 dhe më tej në një mesatare prej 2.3% për nëntë muajt e vitit 2024.
Vlerësojmë se një nga faktorët kryesorë në këtë inflacion ndjeshëm më të ulët në vendin tonë krahasuar me rajonin dhe BE, pervec uljes së normave të inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe nomalizimit të politikës monetare, ka qenë kursi i këmbimit, ku forcimi i monedhës vendase ka ndikuar në mënyrë domethenëse në një nivel inflacioni mjaft më të moderuar në terma relativ përgjatë viteve të goditjes së ofertës globale, si dhe në një rënie dhe rikthim më të shpejtë të tij poshtë nivelit 3%. Kursi i forcuar i këmbimit të Lekut ndaj monedhave të tjera kryesore, veçanërisht kundrejt Euros, ka reflektuar kryesisht flukset e rritura të turizmit, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte.
Kursi i këmbimit pasqyron ndërveprimin e një tërësi variablash, ekuilibrash dhe fondamentesh të tjerë makroekonomikë, dhe duke pasur një regjim të lirë të kursit të këmbimit, vlerësojmë se këto dinamika të kursit të këmbimit janë një tregues i qartë i një performance pozitive të përgjithshme të ekonomisë dhe në veçanti i dinamikës qartësisht forcuese të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
Këtu vlen të përmendet se deficiti i llogarisë korente u ngushtua në nivelin më të ulët historik prej 1.2% të PBB-së në vitin 2023, nga 5.9% në 2022 apo nga një mesatare prej rreth 7.3% gjatë 5-vjeçarit të fundit.
Gjysma e parë e këtij viti është karakterizuar nga një zgjerim i deficitit korrent në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht për shkak të rritjes së deficitit të mallrave gjatë tremujorit të parë. Nga ana tjetër, kontribut pozitiv dhanë rritja e flukseve neto të valutës nga shërbimet dhe nga remitancat. Të hyrat nga shërbimet të lidhura përgjithësisht me “Turizmin” shënuan rritje prej +25.4%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2023. Gjithashtu për këtë periudhë, edhe “Remitancat” shënuan rritje prej +15%. Këto zhvillime, së bashku me zgjerimin e të ardhurave dytësore dhe ngushtimin e balancës negative të të ardhurave parësore ndikuan pozitivisht ecurinë e deficitit të llogarisë korrente, duke kompensuar thellimin e deficitit tregtar në mallra.
Gjithashtu, ekonomia ka vijuar të tërheqë një nivel të lartë të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, të cilat u rritën me 8.7% në 2023. Ky trend pozitiv ka vazhduar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, me një rritje prej 8.1%. Këtë gjashtëmujor, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme (e cila reflekton kryesisht zhvillimet korente dhe perspektivën e pritshme për sektorin e turizmit), sektorin e ndërmjetësimit financiar, e hidrokarbureve, e energjitikës, si dhe telekomunikacionit.
Stoku i rezervës valutore të vendit në fund të qershorit 2024 arriti në rreth 5,5 miliard euro, ose ekuivalent me rreth 6.4 muaj importe mesatare vjetore në mallra dhe shërbime, pra një nivel mëse adekuat për të amortizuar impaktet negative në rast të ndonjë goditjeje të pa parashikueshme makroekonomike.
Gjithashtu, sa i takon fondamenteve makroekonomike të vendit tonë, financat publike dhe qëndrueshmëria e tyre afatgjatë janë padyshim një nga elementët më të rëndësishëm për strukturën makroekonomike të Shqipërisë, një ekonomi e vogël, e hapur, dhe me një borxh publik që, megjithëse është reduktuar ndjeshëm, kërkon ende një menaxhim të kujdesshëm dhe të matur.
Është arritur një progres mjaft i qenësishëm në konsolidimin fiskal. Në vitin 2023, regjistruam një balancë primare pozitive prej 0.7%, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul sërisht ndjeshëm me 6.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 57.5% – niveli më i ulët që nga viti 2008. Patjetër një nga synimet primare të politikës fiskalë është të vazhdojmë këtë trend pozitiv të konsolidimit fiskal, duke forcuar më tej qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe stabilitetit makroekonomik të vendit, që përbën shtratin thelbësor për një rritje ekonomike relativisht të lartë, të qëndrueshme dhe sa më gjithëpërfshirëse.
Rezultatet e deritanishme janë reflektuar edhe në përmirësimet e vlerësimeve të kreditit për vendin tonë. Në vitin 2023, S&P e ngriti vlerësimin e Shqipërisë nga “B+, e qëndrueshme” në “BB-, pozitive” dhe së fundmi, në tetor 2024, gjithashtu Moody’s e ngriti vlerësimin nga “B1, pozitive” në “Ba3, e qëndrueshme”. Këto janë dëshmi të besimit të tregjeve financiare ndërkombëtare në qëndrueshmërinë dhe drejtimin që ka marrë ekonomia shqiptare.
Projekt-buxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale.
– Materializohet plotësisht objektivi kryesor operacional i politikës fiskale për një balancë primare jo-negative. Konkretisht ky projekt-buxhet targeton një balancë primare lehtësisht pozitive, pra me një suficit primar prej rreth 0.5 miliard Lekë.
– Materializohet plotësisht objektivi thelbësor i politikës fiskale, ai i reduktimit të borxhit publik si raport ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB nga 56.3% i pritshëm për vitin 2024.
– Në të njëjtën kohë materializon gjithashtu edhe objektivin tjetër mjaft të rëndësishëm të politikës fiskale, atë të një raporti produktiv (të shëndetshëm) midis humarrjes totale neto të buxhetit (ose deficitit të përgjithshëm) dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qëndrore (ose investimeve publike).
Për sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë të programimit makro-fiskal për vitin 2025, parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak vijueshmërisë së rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit.
Lidhur me risqet për periudhën afatmesme, vlerësojmë se ato mbeten përgjithësisht të balancuara dhe të menaxhueshme. Në tërësi vlerësojmë se perspektiva afatmesme e ekonomisë sipas skenarit tonë bazë mbetet përgjithësisht inkurajuese dhe se ka një probabilitet të lartë për t’u materializuar përgjithësisht në linjë më këtë skenar bazë.
Mbështetur në skenarin e mësipërm makroekonomik po ju paraqes më poshtë parashikimet e të ardhurave dhe shpenzimeve të projektbuxhetit për vitin 2025:
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë ose 0.2% e PBB më shumë.
Faktorët që janë marrë në konsideratë, të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2025 përfshijnë:
• Kuadrin makroekonomik për vitin 2025 ku është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.9%, dhe indeksi i çmimeve me 3%.
• Të ardhurat që do gjenerohen në formën e të ardhurave nga tatimi mbi pagën dhe kontributet si rezultat i zbatimit nga Qeveria të reformës në fushën e pagave në 1 korrik 2024 dhe që do ketë efekt në muajt e parë të vitit 2025.
• Të ardhurat e projektuara që do gjenerohen nga përmirësimi në administrimin e tatimeve, taksave dhe detyrimeve të kontributeve, hapa të cilat janë parashikuar edhe në kuadër të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, 2024-2027.
Të ardhurat tatimore 2025 në raport me PBB-në krahasuar kjo po me vitin 2024, parashikohen të rriten nga 26.3% e PBB-së në 27.1% e PBB-së ose +0.8% e PBB-së. Ky programim i të ardhurave tatimore mbështet objektivat e Ministrisë së Financave për rritjen e të ardhurave me qëllim mbështetjen e shpenzimeve publike për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, dixhitalizimin e shërbimeve publike, investimeve në infrastrukturë, bujqësi, energji dhe drejtime të tjera të cilat gjenerojnë zhvillim duke rritur konsumin dhe investimet.
Të ardhurat tatimore, parashikohen të arrijnë në 709.8 miliardë lekë, dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat në 499 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat nga kontributet për sigurimin shoqëror dhe sigurimin shëndetësor, planifikohen të jenë 168.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2024, të ardhurat tatimore rriten rreth 54 miliardë lekë.
Burimet kryesore të rritjes së të ardhurave tatimore dhe kontributeve në buxhetin e vitit 2025 parashikohen të jenë 15.2 miliardë lekë nga mirëadministrimi, 14.8 miliardë lekë të ardhurat shtesë nga rritja ekonomike dhe 9.2 miliardë lekë të ardhura shtesë nga efektet e politikave fiskale të ndërmarra vitet e mëparshme, si dhe efektet e politikave buxhetore në fushën e pagave.
Parashikimi i të ardhurave nga tatime-dogana dhe kontribute sipas zërave për vitin 2025, janë:
Të ardhurat nga “T.V.SH-ja” parashikohet të jetë rreth 236 miliardë lekë ose 22,2 miliardë lekë (10.4%) më shumë se pritshmëria e vitit 2024. Fokusi është te rritja e të ardhurave nga sektorë si turizmi, akomodimi, ndërtimi dhe gjithë sektorët e tjerë ekonomikë.
Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin Korporativ” programohen të jenë +6.1 miliardë lekë ose +10.1% më shumë krahasuar me të pritshmin e vitit 2024. Parashikimi i tatimit mbi fitimin korporativ për vitin 2025 bazohet në:
• Të ardhura nga mirëadministrimi dhe të ardhura shtesë nga draft Strategjia Afatmesme e të Ardhurave për vitin 2025.
• Forcimin e kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut, etj..
Të ardhurat nga “Akciza” programohen 66,9 miluardë lekë , + 2.6 miliardë lekë më shumë se i pritshmi i vitit 2024. Faktorët kryesorë në parashikimin e të ardhurave nga akciza lidhen me:
• Rritjen e të ardhurave nga akciza që gjeneron rritja ekonomike shtesë; rritjen e sasive të importit dhe konsumi i mallrave si karburante, cigare, pije alkoolike, verë, birrë etj;
• Rritja e nivelit të akcizave për shkak të zbatimit të kalendarit të rritjes së niveleve të akcizës për duhanet;
Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” parashikohen 70 miliardë lekë, me rritje prej +5,6 miliardë lekë më shumë se pritshmëritë për vitin 2024. Mbi këtë bazë, në parashikimin e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë marrë në konsideratë:
• Rritja e të ardhurave që gjeneron rritja ekonomike;
• Efektet e reformës së pagave në sektorin shtetëror që filloi në 1 Korrik 2024, rritja e të cilave do gjenerojë të ardhura shtesë nga tatimi mbi pagat për 7 muajt e parë të vitit 2025;
• Rritja e numrit të punëmarrësve dhe pagës mesatare në sektorin privat, i cili për shkak të lëvizjeve është i detyruar të ndjekë ritmin e rritjes së pagave në sektorin shtetëror;
Të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera” programohen në nivelin 49,2 miliardë lekë ose +1.7 miliardë lek më shumë se i pritshmi 2024.
Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2025 programohet 11 miliardë lekë, me rritje +1.75 miliardë lekë se i pritshmi për vitin 2024.
Të ardhurat gjithsej nga “Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore” janë programuar të jenë 168,9 miliardë lekë, në rritje krahasuar me vitin 2024 prej + 10.53 miliardë lekë, ose +6.6%.
Masat e politikave fiskale
Ndër masat e politikave fiskale të parashikuara në këtë buxhet janë ligje tatimore të miratuara në paketat e mëparshme dhe që sjellin efekte në të ardhura në vitin 2025, si dhe të ardhura nga efekti i politikave buxhetore dhe konkretisht:
1. Në zbatim të ligjit për akcizat, lidhur me cigaret dhe duhanet ka një kalendar 2022-2026 lidhur me rritjen e nivelit të akcizës çdo vit. Për vitin 2025 janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lekë si dhe 20% TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize.
2. Nga data 1 Korrik 2024 u zbatua reforma e dytë buxhetore e rritjes së pagave në administratën shtetërore. Rritja e fondit të pagave për administratën shtetërore ka efekt në të ardhurat nga tatimi mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për vitin 2025, janë parashikuar që 7 muajt e parë, efekti në të ardhura do të jetë 6,2 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë lekë janë të ardhura nga tatimi mbi pagën dhe 4,3 miliardë lekë janë të ardhurat nga kontributet.
Dëshiroj të sjell në vëmendjen Tuaj se Ministria e Financave është në fazën e finalizimit të draft-Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planin e tij të Veprimit, për periudhën 2024-2027. Miratimi i kësaj draft strategjie është programuar të bëhet brenda muajit Dhjetor 2024 dhe përbën një parakusht që Shqipëria duhet ta plotësojë në kuadër të dokumentit të politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027” me Bashkimin Evropian.
Objektivi i draft Strategjisë është rritja e të ardhurave tatimore me 2.5 % e PBB-së, krahasuar me vitin 2023, duke arritur në vitin 2027 mbi 27.7 % e PBB-së. Nga zbatimi i masave të parashikuara në draft Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave për periudhën 4-vjeçare parashikohen të gjenerohen rreth 64.9 miliardë lekë të ardhura, ku peshën kryesore e kanë masat që do të ndërmerren nga miradministrimi tatimor.
Draft-Strategjia është e ndërtuar mbi tre shtylla me komponentët përkatës që parashikohet se do të gjenerojnë të ardhura shtesë në buxhet:
Shtylla e parë ka në fokus rishikimin e politikës tatimore, nga e cila do të ketë rritje të të ardhurave tatimore me 9.28 miliardë lekë, përgjatë 2024-2027,shtylla e dytë fokusohet në “Mirëadministrimin Tatimor”, nga e cila do të ketë rritje të të ardhurave tatimore me rreth 51 miliardë lekë, dhe shtylla e tretë fokusohet në “Miradministrimin Doganor”, nga e cila do të ketë rritje të të ardhurave doganore 4.5 miliardë lekë, përgjatë 2024-2027.
Në krahun e Shpenzimeve Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar të shpenzohen 822.7 miliardë lekë me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024. Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqëndrohen në financimin e sektorëve prioritarë si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet dixhitale, dhe bujqësia. Dëshiroj të nënvizoj, gjithashtu, se shpenzimet buxhetore për këtë vit do të financojnë me prioritet Planin e Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE.
Theksoj se alokimi i shpenzimeve buxhetore në financimin me prioritet të sektorëve të lartpërmendur ofron garanci për një rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit dhe një nivel më të lartë mirëqënieje sociale.
Shpenzimet e Personelit për vitin 2025 reflektojnë koston aktuale të administratës publike qëndrore, si dhe koston e plotë të politikës së rritjes së pagave të nisur në prill të vitit 2023 dhe të finalizuar në korrik të vitit 2024. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 127.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB. Dëshiroj të theksoj këtu se numri i punonjësve të planifikuar për vitin 2025 shkon në 84,038 punonjës.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore, për vitin 2025 janë parashikuar në masën 71.3 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave të qeverisë, si: skema e mbështetjes së fermerëve me 4.3 miliardë lekë në vitin 2025, mirëmbajtja e infrastrukturës dixhitale dhe siguria kibernetike me 6.9 miliardë lekë, mirëmbajtja e rrugëve kombëtare me 3 miliardë lekë dhe transferta për institucionet e arsimit të lartë publik me 11.6 miliardë lekë.
Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 68.5 miliardë lekë ose 2.6% të PBB, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 5.8 miliardë lekë për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, kursit të këmbimit etj..
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë ose rreth 0.1% e PBB. Subvencionet shtetërore për vitin 2025 janë përqëndruar në financimin e skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.
Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe Kompensimin në Vlerë të Pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 263.8 miliardë lekë, për vitin 2025.
Skema e Sigurimeve Shoqërore parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Ndërkohë që, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.6 miliardë lekë dhe 3.75 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët. Njëkohësisht, vijon objektivi për të pasur një raport sa më të favorshëm të pjesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore ndaj totalit të fondeve të alokuara për skemat e sigurimeve shoqërore, duke ruajtur nivelin prej rreth 74% në 2025.
Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2025 parashikohet në masën 63.1 miliardë lekë ose 2.4% e PBB-së, nga 58 miliardë lekë të planifikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2024.
Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë ose 0.1% e PBB.
Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:
• Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë;
• Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 23.7 miliardë lekë.
• Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.4 miliardë lekë;
• Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.25 miliardë lekë.
Investimet Publike për vitin 2025 janë planifikuar në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë dhe 4.5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE). Në planifikimin e investimeve për vitin 2025 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025 parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.
Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë, në parantezë doja të theksoja se në parashtrimet respektive kemi marrë në analizë krahasuese me vendet e Ballkanit Perëndimor indikatorin më të përshtatshëm sikurse është ai i shpenzimeve buxhetore për sektorin specifik në raport me totalin e shpenzimeve buxhetore.
Dëshiroj ta filloj me Arsimin, ku parashikojmë që për vitin 2025 shpenzimet totale të sektorit të jenë 85.3 miliardë lekë apo 3.3% në raport me PBB. Ndërkohë krahasuar me rajonin, shpenzimet e vendit tonë për këtë sektor në raport me shpenzimet totale buxhetore në vitin 2023 janë 10.1% duke rezultuar më të larta se Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi.
Në këtë sektor do të financohen me përparësi gjatë vitit 2025, përveç përfshirjes së efektit të plotë të rritjes së pagave të kryer në korrik të vitit 2024, politikat si vijon:
• Ofrimi i teksteve shkollore falas për rreth 240 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë nga klasa e parë në klasën e nëntë, si dhe tekste shkollore falas për rreth 16 mijë nxënës nga shtresa sociale në nevojë në arsimin e mesëm të lartë;
• Ofrimi i bursave financiare apo kuotës ushqimore/financiare për 2,800-3,000 nxënës me nevoja të veçanta;
• Sigurimi i shërbimit të transportit për 33,000 fëmijë dhe nxënës që kanë vendbanimin e tyre mbi 2 km nga shkolla, si dhe transportin për rreth 17,300 mësues që punojnë mbi 5 Km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë;
• Në kuadër dhe të Agjendës Kombëtare të Rritjes, mbështetet me përparësi financimi programi “Art dhe Zeje” në arsimin bazë dhe atë të mesëm;
Sa i përket Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të ndalem në një analizë për secilën fushën më vete nisur nga rëndësia dhe prioriteti që mbart secila prej tyre në këtë projektbuxhet.
Shëndetësia
Shpenzimet e sektorit të shëndetësisë për vitin 2025 planifikohen të jenë në masën 76.3 miliardë lekë dhe rreth 2.9% të PBB-së ose rreth 4 miliardë lekë më shumë.
Theksoj që përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët të kryer në korrik 2024, projektbuxheti 2025 do të financojë me prioritet këto politika:
• Mbështetjen e mbi 400 mijë qytetarëve në përgjigje të trajtimit të sëmundjeve kronike dhe impaktit post-Covid për rimbursimin e barnave falas nëpërmjet rritjes së financimit të skemës së rimbursimit me mbështetje 12.6 miliardë lekë nga 12 miliardë lekë të parashikuar në vitin 2024;
• Programet e Kontrollit Mjekësor Bazë për qytetarët 35-70 vjeç si dhe programeve të diagnostikimit të hershëm për tumoret që prekin gratë, nga të cilët do të përfitojnë analiza dhe kontrolle periodike falas mbi 492 mijë qytetarë në vit.
• Programet e mbrojtjes së shëndetit publik, nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit anticovid, vaksinimit ndaj gripit, programit të plotë të imunizimit të fëmijëve, nga ku përfitojnë mbi 190 mijë fëmijë dhe 250 mijë qytetarë.
Mbrojtja sociale:
Shpenzimet për mbrojtjen sociale për vitin 2025 parashikohen të jenë 248.1 miliardë lekë ose rreth 9.5% e PBB. Ndërkohë krahasuar me rajonin, shpenzimet e vendit tonë për këtë sektor në raport me shpenzimet totale buxhetore në vitin 2023 janë 30.7% duke rezultuar më të larta Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.
Projektbuxheti 2025 garanton rritjen e qëndrueshme të mburojës sociale për shtresat në nevojë, me fokus tek fëmijët, nënat më shumë fëmijë, të moshuarit dhe familjet. Nga programet e mbrojtjes sociale përmendim:
• Nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të jetë mesatarisht 62 000 përfitues në vit ku për vitet 2026-2027 parashikohet të ulet me 1000 familje, me objektiv futjen në skemat aktive të punësimit të anëtarëve në moshë pune të familjeve përfituese;
• Mbështetjen e programit të pagesave për 164 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.
• Mbështetje të veçantë për gratë e papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, duke synuar të përfitojnë mesatarisht 8 500 gra përgjatë 2025-2027;
• Financojmë Programin e Bonusit të Bebes për çdo të porsalindur, duke garantuar shpërblimin financiar nga 40,000-120,000 lekë për mbi 33 mijë fëmijë/vit.
Bujqësia do të përfitojë rreth 14.6 miliardë lekë në vitin 2025 ose 0.6% të PBB. Krahasuar me vendet e rajonit, shpenzimet e vendit në këtë sektor ndaj shpenzimeve totale buxhetore në vitin 2023 janë 2%, duke rezultuar më të larta se Mali i Zi (1.8%) dhe Bosnje Hercegovina (1.7%).
Ndër prioritetet kryesore që parashikohet të financohen për bujqësinë janë:
• Skema kombëtare e fermerëve dhe e subvencionimit të naftës, me një fond total 4.3 miliardë lekë në vitin 2025 i cili parashikohet në rritje përgjatë 2026-2027 duke kulmuar në 5 miliardë lekë.
• Në fushën e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit synohet fuqizimi i sistemit të kontrollit dhe inspektimit, duke përfshirë të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë;
• Lidhur me Menaxhimin e Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit, fokusi do të jetë në rehabilitimin e kanaleve ujitës dhe investimeve në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse me një fond total prej 1.9 miliardë lekë nga të cilat 600 milionë janë fonde të dedikuara për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore.
• “Mbështetjen për Peshkimin”, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës, shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve peshkore, duke financuar politikat e sektorit me një buxhet prej 527 milionë lekësh.
infrastrukturë synohet:
• Mirëmbajtja sipas standardeve e sistemi rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë, me fond total për shpenzimet e mirëmbajtjes, prej 3 miliardë lekë;
• Financimi i projekteve të rëndësishme, ku përmendim “Zgjerimi i Autostradës Tiranë – Durrës”, “Elbasan – Lekaj”, “By Pass i Elbasanit” dhe “Berat – Ballaban”.
• Vijimi i zbatimit të projekteve koncesionare prioritate si: Rruga e Arbrit Rruga Orikum-Dukat, by pass Porti i Jahteve, si dhe Rruga “Milot-Morinë”
• Furnizimi me ujë të pijshëm në masën 100% për zonën urbane dhe 80% për zonat rurale, si dhe vazhdimi i ndërtimit të projekteve ekzistuese dhe të reja në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në vlerën totale prej 11.3 miliardë lekë;
• Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës – Terminali pasagjerëve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas;
Për sektorin e infrastrukturës dixhitale synohet:
• Mirëmbajtja e rreth 120 sistemeve qeveritare, me kosto rreth 3.9 miliardë lekë për vitin 2025;
• Licensa te ndryshme sigurie dhe Sherbime te Microsoft Company me një kosto totale prej 2.5 miliardë lekë për vitin 2025;
• Financohen projekte të ndryshme për infrastrukturën digjitale dhe sigurinë kibernetike me një fond total prej 3.8 miliardë lekë.
Lidhur me procesin e rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019, gjatë periudhës 2020-2024, janë programuar dhe financuar me prioritet skemat dhe projektet deri në përmbylljen e plotë të këtij procesi. Fondi i Rindërtimit i planifikuar për vitin 2025 kap vlerën e 5 miliardë lekë. Theksoj këtu se vijojmë të mbajmë parashikimin e ligjeve të buxhetit 2023 dhe 2024, ku rialokimet buxhetore gjatë vitit buxhetor në favor të Fondit të Rindërtimit nuk do t’i nënshtrohen limiteve prej 10% të totaleve të fondit të programeve.
Dhe së fundi, për sektorin e Mbrojtjes garantohet respektimi i angazhimit të shtetit Shqiptar ndaj NATO-s për mbajtjen e shpenzimeve për sektorin e Mbrojtjes në nivelin 2% të PBB. Në vitin 2025, Ministria e Mbrojtjes do të përfitojë rreth 52.4 miliardë lekë ose rreth 2.2 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.
Përpara se të prezantoj pritshmëritë dhe objektivat e buxhetit të pushtetit vendor për vitin 2025, dëshiroj të ndalem tek respektimi i një nga rregullave fiskalë të sanksionuar në ligjin organik të buxhetit, ai i mbajtjes së pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP brenda nivelit prej 5% të totalit të të ardhurave buxhetore të vitit paraardhës. Ky rregull për projektbuxhetin 2025, sikurse dhe për vitet e kaluara, respektohet rigorozisht duke rezultuar me pagesa buxhetore që kapin 2.2% të totalit të të ardhurave tatimore për vitin 2024. Ky rregull vijon të respektohet rigorozisht edhe për vitet 2026 dhe 2027, ku përqindja e pagesave buxhetore të kontratave koncesionare/PPP ndaj totalit të parashikuar të të ardhurave tatimore të një viti më parë, ulet respektivisht në 1.7% dhe 1.5%. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se numri i kontratave aktive koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore është në ulje (10 të tilla), ndërkohë që shumica dërrmuese e projekteve koncesionare/PPP të kontraktuara apo planifikuar për të filluar gjatë vitit 2025, bazohen në skemën e tarifimit të shërbimit/përdorimit të asetit nga përdoruesit fundorë, duke mos implikuar kësisoj pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit.
Për të kaluar tek Buxheti Vendor, ku shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.8 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% në raport me buxhetin e vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë rreth 3.43% të PBB-së nga 2.9% që zinin në vitin 2024.
Të ardhurat e veta të pushtetit vendor përgjatë viteve të fundit paraqiten me një rritje të ndjeshme, me rreth 20 miliardë lekë dhe për vitin 2025 parashikohet të rriten me rreth 3.6 miliardë lekë, ose 10% më shumë.
Reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të vazhdojë të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor. Në buxhetin e vitit 2025, kjo taksë është parashikuar në vlerën 8.6 miliardë lekë, dhe krahasuar me vitin 2024, rreth 2 miliard lekë më shumë të ardhura për njësitë vendore.
Mbështetja që ka dhënë qeverisja qendrore për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra pasqyrohet në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila në krahasim me vitin 2024 është rritur në vlerën 1.8 miliardë lekë.
Transferta e pakushtëzuar për çdo bashki në vitin 2025, do të jetë me rritje mesatare në nivelin rreth 8.2% dhe për qarqet me një rritje mesatare në nivelin rreth 3%, krahasuar me një vit më parë.
Një risi në buxhetin vendor 2025 do të jetë edhe financimi i grantit të performancës në shumën 200 milion lekë me qëllim nxitjen e bashkive për të përmirësuar performancën e tyre në qeverisje, menaxhimin më të mirë të financave publike vendore dhe rritjen e transparencës.
Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2025 në masën 26.2 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 13.2 miliard lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, 200 milion lekë grant performance, si dhe 3.5 miliardë lekë transfertë për rritjen e pagave, duke e çuar totalin e transfertës nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në 43.1 miliardë lekë.
Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të ritheksoj dhe njëherë objektivat mbi të cilat bazohet projektbuxheti 2025: mbështetja e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe konsolidimi i vazhdueshëm fiskal, dy ankora të rëndësishme të cilat do të sigurojnë financa publike të qëndrueshme në afatin e gjatë dhe zhvillim ekonomik e social të qënësishëm.