Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin “Për ratifikimin e Konventës shumëpalëshe për lehtësimin e zbatimit të shtyllës së dytë subjekt i rregullit tatimor”, i cili përbën një hap të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit fiskal të vendit dhe synon përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Projektligji, tha z. Malaj, përbën një dëshmi konkrete se Shqipëria vepron në mbrojtje të interesave të saj, në një kohë që globalizimi dhe digjitalizimi i ekonomisë ka diktuar nevojën për një reformë të thellë ndërkombëtare të sistemit tatimor.
Kjo reformë njihet ndryshe si zgjidhja me dy shtylla ku shtylla e parë fokusohet te ndarja e të drejtave të tatimit midis vendeve, ndërsa shtylla e dytë vendos një nivel minimal tatimi global.
Ratifikimi i Konventës, tha z. Malaj, i hap rrugën zbatimit të shtyllës së dytë dhe një elementi të rëndësishëm si “Subject to Tax Rule” (STTR), i cili është një mekanizëm që mbron të drejtën e vendeve për të taksuar të ardhurat ndërkufitare, kur ato tatohen në nivele shumë të ulëta në juridiksione të tjera.
Ministri theksoi se kjo përbën një hap konkret për të garantuar që tatimi të paguhet aty ku krijohet vlera dhe nuk është thjesht një çështje teknike, pasi ka ndikim të drejtpërdrejtë tek ekonomia, te biznesi vendas dhe te konkurrenca e ndershme në treg.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, në Kuvend:
Projektligji “Për ratifikimin e Konventës shumëpalëshe për lehtësimin e zbatimit të shtyllës së dytë subjekt i rregullit tatimor”, që paraqesim sot për diskutim dhe miratim është një tjetër hap i rëndësishëm në përmirësimin e sistemit tonë fiskal dhe që synon përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Ky projekligj, është dëshmi e qartë sesi Shqipëria vepron në mbrojtje të interesave të saj, në një botë ku kapitali lëviz shpejt e ku globalizimi dhe digjitalizimi i ekonomisë, ka diktuar nevojën për një reformë të thellë ndërkombëtare të sistemit tatimor.
Është një reformë e cila njihet ndryshe edhe si zgjidhja me dy shtylla:
Ku “Shtylla e Parë” fokusohet tek ndarja e të drejtave të tatimit midis vendeve. ( Problematika: kompanitë e mëdha shumëkombëshe, sidomos ato digjitale, gjenerojnë të ardhura në një vend, por paguajnë pak ose aspak taksa aty, sepse nuk kanë prani fizike).
Ndërsa “Shtylla e Dytë”, vendos një nivel minimal tatimi global.
Këtij kuadri i shërben edhe ratifikimi i Konventës Shumëpalëshe, duke i hapur rrugën zbatimit të shtyllës, por edhe një elementi tejet të rëndësishëm, siç është rregulli “Subject to Tax Rule” (STTR), i cili, është një mekanizëm që mbron të drejtën e vendeve, për të taksuar të ardhurat ndërkufitare, kur ato tatohen në nivele shumë të ulëta, në juridiksione të tjera.
Është një hap konkret për të garantuar që tatimi të paguhet aty ku krijohet vlera. Dhe kjo nuk është një çështje thjesht teknike, por që ka ndikim të drejtpërdrejtë tek ekonomia, te biznesi vendas dhe te konkurrenca e ndershme në treg.
Konventa që propozohet për ratifikim është zhvilluar nga OECD dhe është finalizuar në vitin 2023, si pjesë e paketës globale të reformave, me qëllim që të mundësojë zbatimin këtij mekanizmi, në mënyrë të shpejtë dhe të koordinuar në marrëveshjet ekzistuese për shmangien e tatimit të dyfishtë, pa pasur nevojë për rinegociata të gjata dypalëshe.
Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në shtator 2025 në Paris, duke u bërë një ndër vendet që iu bashkua kësaj nisme me qëllim për të zbatuar standardet më të avancuara ndërkombëtare në fushën e tatimeve.
Por, cilat janë përfitimet konkrete?
Së pari, kjo Konventë i jep Shqipërisë të drejtën të aplikojë një tatim shtesë deri në një nivel minimal, – aktualisht është 9% – në rastet kur pagesa të caktuara ndërmjet subjekteve të lidhura, si interesat apo honoraret, tatohen nën këtë nivel në vendin pritës. Kjo do të thotë më pak mundësi për zhvendosje artificiale të fitimeve dhe më shumë të ardhura që mbeten në ekonominë tonë.
Së dyti, krijon një fushë loje të barabartë për biznesin vendas. Bizneset shqiptare që paguajnë taksat në mënyrë të rregullt nuk do të penalizohen më nga praktikat e kompanive që përdorin struktura ndërkombëtare për të ulur artificialisht detyrimet e tyre. Kjo është një çështje drejtësie ekonomike dhe një mbështetje direkte për sipërmarrjen e ndershme.
Së treti, rrit sigurinë dhe besueshmërinë kundrejt investitorëve ndërkombëtarë.  Investimet që Shqipëria synon të tërheq duhet të krijojnë vlerë reale, vende pune dhe zhvillim afatgjatë dhe jo ta shohin vendin si mundësi për të përfituar nga boshllëqet ligjore. Ky instrument jep një mesazh të qartë se: Shqipëria është një treg i qëndrueshëm, me rregulla të qarta dhe të njëjta për të gjithë.
Së katërti, krijon mundësi për ulje të barrës administrative dhe rritje të efikasitetit. Pra, me ratifikimin e kësaj konvente, ne nuk do të rinegociojmë më një për një marrëveshjet tatimore, por 21 marrëveshje të tilla ( nga 46 marrëveshje tatimore bilaterale që ka të nënshkruara Shqipëria), të cilat tashmë ne i kemi përfshirë në këtë proces. Kjo na lejon të bëjmë ndryshime “në bllok”, të koordinuara, në mënyrë të shpejtë dhe të harmonizuar.
Së pesti, forcon besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë. Në një kohë kur konkurrenca për investime është e fortë, reputacioni fiskal është një aset kyç. Duke qenë pjesë aktive e kësaj reforme globale, ne rrisim kredibilitetin tonë dhe hapim më shumë mundësi për bashkëpunim ekonomik dhe financiar.
Të nderuar deputetë,
Ky projektligj vjen në mbështetje të pikërisht të atij biznesi që investon, që punëson dhe kontribuon në mënyrë të ndershme në këtë vend.
Ai është një instrument i fortë për të parandaluar praktikat abuzive, që mund të dëmtojnë konkurrencën e që në fund të ditës përkthehen në kosto për ekonominë tonë.
Pra, qasja jonë është e mirëtargetuar, e matur dhe e bazuar në analiza.
Ndaj, në përfundim të fjalës sime, ju ftoj të miratojmë këtë projektligj, jo thjesht si një detyrim ndërkombëtar, por si një instrument konkret për të mbrojtur ekonominë tonë, për të mbështetur biznesin e ndershëm dhe për të ndërtuar një sistem fiskal më të drejtë dhe më modern.