Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”.
Gjatë fjalës së tij, z. Malaj tha se projektligji synon jo vetëm përmirësimin e mekanizmave ekzistues, por edhe harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë me përditësimet më të fundit të standardeve ndërkombëtare në këtë fushë.
Ministri nënvizoi progresin e arritur deri më tani dhe rëndësinë e masave të reja për rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit financiar dhe forcimin e besueshmërisë ndërkombëtare të vendit.
Projektligji sjell një sërë masash të reja, ndër të cilat përfshirja e konceptit të financimit të armëve të dëmtimit në masë, forcimi i qasjes së bazuar në rrezik për subjektet raportuese, përmirësimi i mekanizmave për ngrirjen e përkohshme të transaksioneve, si dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional. Gjithashtu, parashikohet një qasje më e balancuar për organizatat jofitimprurëse dhe forcimi i rolit të institucioneve përgjegjëse në analizën dhe parandalimin e rreziqeve financiare. Pas prezantimit dhe diskutimeve të deputetëve, projektligji mori miratimin e Kuvendit.
Fjala e plotë e Ministrit të Finanave, z. Petrit Malaj:
Shqipëria sot, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian ndodhet në një fazë të rëndësishme të konsolidimit të shtetit ligjor dhe të besueshmërisë ndërkombëtare. Gjithnjë e më shumë po intensifikojmë përpjekjet për të forcuar kapacitetet institucionale dhe për të garantuar përmbushjen e plotë dhe të qëndrueshme të standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Masat që kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim janë pjesë e një qasjeje të gjerë shtetërore për të forcuar sigurinë kombëtare, për të garantuar integritetin e sistemit financiar, si dhe për të mbrojtur ekonominë shqiptare nga ndikimet që mund të vijnë nga aktivitetet e paligjshme financiare.
Në një kohë kur financimi i terrorizmit dhe rrjetet kriminale operojnë në një kontekst global, përgjigjja jonë duhet të jetë e koordinuar dhe në përputhje të plotë me aleatët tanë strategjikë.
Ndaj, në këtë kuadër, projektligji që paraqesim sot përpara jush, që parashikon disa ndryshime në ligjin nr. 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, është një hap i domosdoshëm për të plotësuar më tej kuadrin ligjor dhe për të rritur efikasitetin në zbatim të ligjit.
Ky projektligj synon jo vetëm përmirësimin e mekanizmave ekzistues, por edhe harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë me përditësimet më të fundit të standardeve ndërkombëtare në këtë fushë, ku ndër të tjera përfshihen edhe aspektet që lidhen me financimin e armëve të dëmtimit në masë.
Shqipëria ka bërë një progres të ndjeshëm sa i takon angazhimeve të saj në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe këtë e konfirmojnë edhe vlerësimet që kanë dhënë institucionet ndërkombëtare të specializuara, por edhe Raport – Progresi i Komisionit Evropian për vitin 2025.
Me lejoni të citoj disa:
Financial Action Task Force/ FATF
FATF, në raportin e saj, do të shprehej se : “Shqipëria ka adresuar me sukses të gjitha mungesat strategjike të identifikuara. Progres i konsiderueshëm është bërë në forcimin e sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përmes përmirësimit të analizës së riskut dhe rritjes së transparencën mbi pronësinë përfituese.
Gjithashtu është rritur cilësia, numri i hetimeve dhe i ndjekjeve penale, zbatimi i sanksioneve financiare,  si dhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar”.
Shqipëria, që prej vitit 2023  nuk është më në proces monitorimi të shtuar ose siç njihet ndryshe si “ lista gri”. Kroacia, si vend i BE-së arriti të dalë nga kjo listë në vitin 2025, ndërsa ka shtete si Bullgaria apo dhe Monako që vijojnë të jenë ende pjesë e listës gri.
MONEYVAL/Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (organ monitorues i përhershëm i Këshillit të Evropës ).
“Shqipëria ka rritur ndjeshëm përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, veçanërisht për transparencën e pronësisë përfituese dhe mbikëqyrjen e profesioneve jofinanciare. Si rezultat, vendi ka arritur të sigurojë mbi 95% përputhshmëri me rekomandimet e FATF ( nga 40 rekomandime në total 2 janë ende në proces), çka tregon forcim të kuadrit ligjor dhe institucional.
Komisioni Europian – Raporti 2025
Në Raport – Progresin e fundit, Komisioni Europian, vlerëson progresin e Shqipërisë, referuar Kapitullit 4 dhe 24, veçanërisht sa i takon:
-Rritjes së hetimeve financiare;
-Sekuestrimit të pasurive nga krimi i organizuar;
Nga ana tjetër me nota pozitive është vlerësuar edhe hartimi i Strategjisë Kombëtare kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024–2030, e cila është duke u zbatuar.
Indeksi AML i Baselit
Një tjetër tregues i progresit të Shqipërisë është edhe Indeksi AML i Baselit i cili vlerëson riskune vendeve për pastrimin e parave dhe krimet financiare.
Në raportin e vitit 2025 ku u vlerësuan 177 vende, Shqipëria u vlerësua si vend me risk të ulët, me pikëzimin 4.35 ( ku 1 është pikëzimi më i mirë dhe 10-a tregon nivelin më të lartë të riskut). Kjo renditje është më e mirë se shumë vende të BE-së, si : Gjermania, Italia, Holanda, Hungaria, Kroacia, Rumania), por edhe se vende, si : SHBA, Kanadaja apo Japonia.
Të nderuar deputetë,
Përtej këtyre vlerësimeve, dëshiroj të ndalem edhe te një analizë e disa treguesve që kanë të bëjnë me flukset e valutës së huaj, kryesisht asaj euro dhe që vijnë nga disa burime dhe më konkretisht:
Remitancat, për vitin 2025, sipas të dhënave të Eurostat (përdor një koncept më të gjerë në llogaritjen e tyre ) u llogaritën në mbi 2 miliardë euro ( nga shtetet e BE-së dhe jashtë tyre).
Të ardhurat nga turizmi ( incomes) po për vitin 2025 kapën shifrën prej 5.7 miliardë euro (+14.7%).
Investimet e Huaja Direkte, u rritën në nivelin më të lartë historik gjatë 9M-2025 në 1.6 mld Eur.
Kreditimi në valutë përgjatë vitit 2025 ishte 1.8 mld Eur.
Investimet e shtetasve të huaj për blerjet e pasurive të palujtshme gjithashtu u llogariten në 560 milionë euro.
Të gjitha këto tregues që përmenda nuk mund dhe nuk duhet të interpretohen si elementë të “pastrimit të parave”. Ky do të ishte veçse një aludim, pa asnjë fakt të bazuar në analiza ekonomike dhe financiare.
Pra, këto të dhënat na tregojnë se :
-Turizmi, investimet në pasuritë e paluajtshme apo dhe remitancat po gjenerojnë valutë në mënyrë organike;
-Ndikimi i tyre në kursin e këmbimit është i shpjegueshëm dhe në linjë me konceptet ekonomike.
Natyrisht, që e gjitha kjo nuk përjashton nevojën për më shumë vigjilencë nga ana e insitucioneve tona, për të garantuar që flukset e valutave të huaja që hyjnë në ekonomi të jenë të gjurmueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Të nderuar deputetë,
Thënë të gjitha sa më sipër më lejoni tani të ndalem te ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, që përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në konsolidimin e integritetit të sistemit financiar dhe përgatitjen e vendit për një vlerësim sa më pozitiv në kuadër të vlerësimit nga Komiteti Moneyval i Këshillit të Evropës që do të kryhet përgjatë vitit 2026.
Dhe më konkretisht :
Një nga propozimet kryesore është përfshirja në ligj e konceptit të “financimit të armëve të dëmtimit në masë” në përputhje me rekomandim 1 të FATF.
Ky përkufizim i ri përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, nga sigurimi i fondeve deri tek ndërmjetësimi dhe transferimi i tyre për qëllime që lidhen me armët kimike, biologjike, radiologjike apo bërthamore.
Në të njëjtën linjë, forcohet ndjeshëm qasja e bazuar në rrezik. Subjektet e ligjit tashmë kanë detyrime më të qarta për të identifikuar, vlerësuar dhe kuptuar rreziqet që lidhen jo vetëm me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, por edhe me financimin e armëve të dëmtimit në masë, duke marrë në konsideratë faktorë si klientët, produktet, shërbimet, zonat gjeografike dhe kanalet e shpërndarjes.
Një element tjetër i rëndësishëm është forcimi i masave të brendshme të subjekteve raportuese edhe për sa i përket financimit të armëve të dëmtimit në masë. Këto masa synojnë rritjen e kapaciteteve parandaluese dhe përmirësimin e cilësisë së raportimit të subjekteve raportuese dhe institucioneve pjesë e sistemit parandalues.
Gjithashtu janë përmirësuar dispozitat që lidhen me parashikimin e mundësisë të bllokimit apo ngrirjes së përkohshme të transaksioneve deri në 72 orë kur ka arsye të bazuara në rrethana dhe fakte për financimin e armëve të dëmtimit në masë, duke e shtrirë këtë parashikim edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në drejtim të organizatave jofitimprurëse, projektligji sjell një qasje më të balancuar dhe proporcionale. Masat e vigjilencës së zgjeruar nuk do të aplikohen më në mënyrë të njëjtë për të gjitha OJF-të, por do të fokusohen tek ato që paraqesin rrezik të lartë. Ky ndryshim është në përputhje me standardet ndërkombëtare, (Rekomandimi 8 i FATF) dhe njëkohësisht redukton barrën administrative për organizatat jo fitimprurëse, por dhe për sektorin financiar si subjekte raportuese.
Në nivel institucional, zgjerohet dhe forcohet roli i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave. Ky organ do të ketë një përgjegjësi më të gjerë, duke përfshirë edhe financimin e armëve të dëmtimit në masë në përcaktimin e politikave, si dhe duke rritur bashkëpunimin ndërinstitucional përmes grupeve të punës teknike dhe operacionale.
Një nga shtyllat më të rëndësishme të këtij projektligji është edhe formalizimi i procesit të Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut. Përmes propozimeve ligjore tashmë përcaktohet qartë detyrimi për hartimin periodik të këtij vlerësimi dhe të planeve përkatëse të veprimit.
Ky proces garanton një mekanizëm të qëndrueshëm, të koordinuar dhe të bazuar në të dhëna që do të mblidhen nga të gjitha institucionet pjesë e sistemit parandalues.
Njëkohësisht Agjencisë së Inteligjencës Financiare i njihen më qartë funksionet analitike strategjike, duke mundësuar përdorimin më të gjerë të të dhënave dhe statistikave për identifikimin e trendeve dhe rreziqeve në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të armëve të dëmtimit në masë.
Të nderuar deputetë,
Në përfundim të fjalës sime, më lejoni të theksoj edhe njëherë se ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integritetit të sistemit financiar shqiptar, rritjes së transparencës dhe përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të vendit.
Projektligji konsolidon mekanizmat kombëtarë për parandalimin e pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e armëve të dëmtimit në masë, duke e bërë sistemin më efektiv, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt menaxhimit të rrezikut.
Për të gjitha sa më sipër ju ftoj ta miratojmë këtë projektligj.