Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Aktin Normativ nr.6 datë 11.06.2025 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025, të ndryshuar” i miratuar në Këshillin e Ministrave.

Gjatë fjalës së tij Ministri Malaj tha se hartimi i këtij Akti u realizua pas një analize të plotë që Ministria e Financave i bëri performances 5-mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve nga e cila rezultoi se kishte nevojë për ndërhyjrje në Buxhetin 2025, duke marrë në konsideratë ecurinë e projekteve deri në këtë fazë, si dhe nevojën për të siguruar përdorimin eficient të fondeve të alokuara për investimet publike.

“Duke pasur në konsideratë devijimet në ecurinë e investimeve nga planifikimi fillestar, lindi nevoja për një rishikim të parametrave buxhetorë, me qëllim harmonizimin e tyre me ecurinë reale, të zbatimit të buxhetit për vitit 2025.

Nga ana tjetër, siç është tashmë praktike ligjore dhe kushtetuese e konsoliduar, rishikimi i ligjit të buxhetit duhet të bëhet me Akt Normativ, si një instrument ligjor që vepron me fuqinë e tij, për një periudhë të caktuar kohore dhe e kthen atë në ligj me miratimin nga Kuvendi, duke sjellë miratimin në një kohë më të shkurtër sesa ajo e nevojshme për një projektligj të zakonshëm. Kjo urgjencë buron nga nevoja për të siguruar përdorimin eficient të fondeve publike dhe rialokimin e menjëhershëm të atyre fondeve, në ato projekte investimesh që kanë pasur ecuri më të mirë”, tha Ministri Malaj.

Gjithashtu ai theksoi se ndryshimet buxhetore të parashikuara janë vetëm rialokime në zërat e shpenzimeve buxhetore, të cilat nuk kanë efekte te treguesit bazë makrofiskalë dhe ata buxhetorë. Pra, e thënë me fjalë më të thjeshta, të ardhurat, totali i shpenzimeve, deficiti dhe borxhi publik mbeten të pandryshuara nëpërmjet këtij Akti Normativ.

Ky Akt Normativ, më herët mori gjithashtu edhe miratimin e Komisionit të Ligjeve.

Fjala e Ministrit Malaj:

I nderuar Kryetar i Komisionit

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Përpara sesa të vijoj me elementët kryesorë të këtij Akti Normativ, më lejoni të paraqës shkurtimisht ecurinë paraprake të treguesve fiskalë për periudhën Janar – Maj 2025.

Të ardhurat totale, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, arritën në rreth 305.92 miliardë lekë, me një realizim në masën 100.2 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 18.7 miliardë lekë ( 187 mln euro) ose 6.5 % më shumë. Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 5- mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 40.4% të planit vjetor.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar – Maj 2025,  janë në shumën 203.4 miliardë lekë ose 1.7 miliardë lekë më shumë se plani për periudhën Janar – Maj 2025. Krahasuar me Janar – Majin e vitit 2024, janë mbledhur 19.8 miliardë lekë ( 198 mln euro) ose 10.8% më shumë.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në vlerën 92.7 miliardë lekë ose 3 miliardë lekë (3.3%) më shumë se Janar – Maji i vitit 2024.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në shumën 110.8 miliardë lekë, 16.8 miliardë lekë më shumë se Janar – Maji 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 5.3 miliardë lekë (53 milionë euro) ose 5% më shumë.

Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën Janar – Maj 2025, u realizuan në shumën 73.5 miliardë lekë ose 8 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe me realizim prej 104.5% të planit të periudhës.

Sa i takon shpenzimeve të përgjithshme publike, për periudhën 5-mujore të vitit 2025, arritën në rreth 265.52 miliardë lekë me një realizim në masën 95.4% e planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 12.1% më i lartë ose rreth 28.6 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 5- mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 32.2% e planit vjetor.

Shpenzimet korente, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 243.42 miliardë lekë dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 12.6% më i lartë.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 21.23 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.2% më i lartë ose rreth 461 milionë lekë më shumë.

Niveli i suficitit, në periudhën 5 mujore të vitit 2025, rezultoi në masën 40.41 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i suficitit ka rezultuar rreth 20% më i ulët ose 9.9 miliardë lekë më pak (ose 100 mln euro).

Sa i takon ecurisë së ekonomisë në tërësi ajo që mund të themi është se për vitin 2025, ne parashikojmë të vijohet me një ritëm të qëndrueshëm rritjeje prej 3.9%. Kjo performancë do të mbështetet kryesisht nga forcimi i konsumit familjar, aktiviteti i vazhdueshëm i investimeve, si dhe të ardhurat nga turizmi, një sektor që po ndikon ndjeshëm në fuqizimin e ekonomisë. Edhe për periudhën afatmesme parashikohet që ritmi i rritjes të jetë në nivelin rreth 4%.

Programi ynë ambicioz i investimeve publike së bashku me Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor do të sjellë një rimëkëmbje të qënësishme, kryesisht të performancës së eksporteve, por edhe një zgjerim të vazhdueshëm të sektorit të shërbimeve, turizmit në veçanti.

 

Të nderuar anëtarë,

Sikundër e theksova edhe me lart, në tërësi rishikim i buxhetit 2025, parashikon një volum të përgjithshëm të fondeve që alokohen apo rialokohen në masën prej rreth 11.8 miliardë lekë.

Në mënyrë më të detajuar mund të përmend :

  • Rialokim të kursimeve të evidentuara gjatë 5-mujorit të vitit 2025 në masën 5.9 miliardë lekë nga shpenzimet korente e kapitale, si dhe nga akomodimi i një sërë kërkesave shtesë prioritare, në të njëjtën vlerë. Këto prioritete sigurojnë forcimin e kapaciteteve shtetërore në përballimin e kërcënimeve digjitale në rritje dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës kombëtare.

Gjithashtu :

  • Reflektimin e disa sistemimeve dhe rishpërndarjeve të brendshme të fondeve mes programeve dhe llogarive ekonomike, me efekt neutral buxhetor, ku vendin kryesor e zënë projektet IT të programuara në buxhetet e institucioneve që transferohen tek AKSH-i. Kjo, në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të performancës së sistemeve të teknologjisë së informacionit në administratën publike, me synim qendërzimin e fondeve për të mundësuar koordinim më të mirë, shmangien e fragmentimit dhe sigurimin e standardeve të unifikuara gjatë zbatimit të tyre.

 

 

 

Nga kursimet e realizuara kemi alokuar shtesë:

 

  • Rreth 3.3mld LEK për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike për produkte e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale.
  • Kemi alokuar Rreth 1.5mld LEK shtesë për projekte të reja inffrastrukturore për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
  • Gjithashtu për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit janë parashikuar rreth 318 milionë lekë shtesë për projektet e ekipeve sportive në shkolla.
  • Ministria e Drejtësisë do të ketë rreth 142 milionë lekë shtesë për detyrimin që ka pasur për rikonstruksionin e godinës së Institutit të Mjekësisë Ligjore.
  • Si dhe kemi akorduar fonde shtesë, nëpërmjet këtyre kursimeve rreth 64 milionë lekë të Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për blerjen e disa pajisjeve mjekësore, kryesisht skanera për strukturat universitare spitalore.

Nëpërmjet këtij Akti Normativ

 

  • Kemi miratuar një skeme të re Garancie Sovrane për sektorin e Bujqësisë, për një vlerë 3 miliardë lekë. Nga analiza fiskale rezulton se kjo politikë respekton kufizimet e rregullave fiskale në fuqi, pa cënuar nivelin e borxhit publik. Në hapësirën ekzistuese të borxhit publik është akomoduar vlera e kësaj garancie prej 3 miliardë lekë, e cila plotëson kërkesën për mbështetje të sektorit të bujqësisë.

Konkretisht, në vijim të mbështetjes së  sektorit privat dhe lehtësimin e aksesit në financë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme të iniciuar nga Banka e Shqipërisë në fillim të vitit 2025, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka propozuar një skemë garancie që plotëson programin e rifinancimit për bankat tregtare të miratuar nga Banka e Shqipërisë.

Kjo skemë garancie synon të adresojë problematikën e mungesës së kolateralit, e cila kufizon ndjeshëm aksesin në financimin e sektorit të bujqësisë, si dhe do të mbështesë financimin me kosto të ulët.

Elementët kryesorë të Garancisë Sovrane janë:

  • Alokim nga bankat e nivelit të dytë tregtare, duke mbuluar 70% të principalit të kredive, skemë e cila do të mundësojë kreditimin e fermërëve dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në sektorin e bujqësisë deri në vlerën 4.3 miliardë lekë.
  • Kredi të buta për fermëret dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë , ku norma e interesit kufizohet në një tavan prej 2% në rrethanat e kombinimit të Garancisë Sovrane me produktin e Bankës Qendrore.
  • Kjo Garanci Sovrane do të mund të përdoret vetëm për investime me fokus rritjen e kapacitetit dhe cilësinë prodhuese në agropërpunim, modernizimin e mekanikës bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera etj..

 

 

 

 

Për rrjedhojë, reflektimi i ndryshimeve të sipërcituara, siguron:

  • Ruajtjen e pandryshuar të deficitit buxhetor.
  • Ruajtjen e pandryshuar të niveleve të planifikuara të të ardhurave të përgjithshme.
  • Moscënimin e parametrave të qëndrueshmërisë së borxhit publik dhe kufijve të tij të miratuar në buxhëtin 2025.

 

Në përfundim të fjalës sime më lejoni të nenvizojë se ekonomia jonë ka treguar rezistencë dhe dinamikë të admirueshme. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara, veçanërisht nisur nga zhvillimet gjepolitike që mund të ndikojnë potencialisht në trajektoren ekonomike të partnerëve tanë të Bashkimit Evropian.

Megjithatë ne besojmë se progresi i vazhdueshëm në integrimin evropian dhe ritmi i fortë veçanërisht i sektorit tonë të turizmit paraqesin mundësi për të mitiguar këto risqe dhe për të përmbushur parashikimet që kemi në Buxhetin afatmesëm 2025- 2027.

Nisur nga sa më sipër parashtruar, theksojmë se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ do të vijojnë të garantojnë trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB-në kjo  në përputhje me rregullin respektiv fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërisë afatmesme e afatgjatë të financave publike dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Mbetemi të hapur për pyetjet tuaja!