Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Doganave, z. Fation Shehu, i cili zëvendëson në këtë detyrë z. Besmir Beja.
Z. Shehu vjen në këtë pozicion me një përvojë disavjeçare në Administratën Doganore, ku ka drejtuar Drejtorinë e Antikontrabandës.
Ministri Malaj vlerësoi se eksperienca e tij profesionale, së bashku me formimin dhe përvojën në fushën juridike, përbëjnë një vlerë të shtuar në drejtimin e mëtejshëm të institucionit.

Gjatë prezantimit, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së standardeve të punës, integritetit dhe angazhimit për arritjen e rezultateve konkrete.
“Ndryshimet në drejtimin e institucioneve janë pjesë e një procesi normal të forcimit dhe përmirësimit të administratës publike. Ajo që duhet të mbetet e pandryshuar është standardi i punës, integriteti dhe angazhimi për rezultate. Prioriteti ynë është një administratë doganore moderne, profesionale dhe transparente, që garanton zbatimin e ligjit, lufton me vendosmëri paligjshmërinë dhe përmirëson shërbimet ndaj biznesit dhe qytetarëve”, u shpreh ministri Malaj.
Ministri i Financave shprehu gjithashtu falënderimet dhe vlerësimin për drejtuesin e deritanishëm, z. Beja, për kontributin dhe angazhimin e tij në drejtimin e Administratës Doganore.