Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, informoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave mbi miratimin e tre projektligjeve që lidhen me modernizimin e mëtejshëm të sistemit financiar të vendit tonë dhe përafrimin e kuadrit ligjor me atë të Bashkimit Europian. Përmes projektligjeve janë propozuar ndryshime në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, ligjin “Për sistemin e pagesave” dhe ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.

Ministri Malaj theksoi se ndryshimet e propozuara sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe biznesin, reduktim të kostove të shërbimeve financiare, rritje të sigurisë dhe efikasitetit në sistemin financiar, forcim të mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe nxitje të konkurrencës dhe inovacionit në treg.

Deklaratë e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam disa ndryshime të rëndësishme që prekin :

  • Ligjin Për shërbimet e pagesave;
  • Ligjin “Për sistemin e pagesave”;
  • Si dhe ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.

Të treja projektligjet e propozuara i shërbejnë, jo vetëm modernizimit të mëtejshëm të sistemit financiar, por edhe përafrimit me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër,  këto ndryshime sjellin përfitime konkrete edhe për qytetarët dhe biznesin, përmes :

  • Reduktimit të kostove të shërbimeve financiare;
  • Rritjes së sigurisë dhe efikasitetit të sistemit financiar;
  • Forcimit të mbrojtjes së konsumatorëve;
  • Nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit në treg.

Kjo paketë projektligjesh do të shërbejë si për zhvillimin e tregut financiar, ashtu edhe për transformimin e mëtejshëm të ekonomisë.
Këto ndryshime jo vetëm përmirësojnë sistemin aktual financiar të Shqipërisë, por diktojnë natyrisht edhe ecurinë ekonomike të vendit, pasi një sistem financiar i shëndoshë dikton dhe një ekonomi të shëndoshë.