Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, u shpreh gjatë fjalës së tij në Kuvend se, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe raport progresi i Komisionit Europian, përtej rekomandimeve dhe sfidave, vlerësojnë progresin e vendit në shumë fusha, zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, angazhimin e qeverisë për të ndërtuar institucione më të konsoliduara dhe për të ndërmarrë reforma të thella.
Ministri theksoi rëndësinë që debati publik dhe politik mbi problematikat dhe sfidat që ngrenë këto dy raporte të bëhet i bazuar mbi fakte.
Duke përmendur disa nga treguesit kryesorë makroekonomikë, Ministri tha se këta tregues përbëjnë një provë konkrete të disiplinës fiskale, menaxhimit të kujdesshëm të financave publike dhe të qëndrueshmërisë ekonomike të ndërtuar bazuar reformave të ndërmarra.
Vetë raporti i DASH, tha z. Malaj, nënvizon progresin e bërë sa i takon fiskalizimit, digjitalizimit të shërbimeve tatimore e doganore, forcimit të administrimit tatimor dhe masat kundër pastrimit të parave.
Ndërkohë, duke iu referuar raportit të KE, Ministri tha se përmes tij vlerësohet progresi i Shqipërisë rrugën europiane, por edhe aspekte që lidhen me luftën kundër pastrimit të parave dhe administrimit fiskal, etj.
Ministri i Financave theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve europiane, duke nënvizuar se vendi sot është më i fortë ekonomikisht, më i qëndrueshëm financiarisht dhe më afër Bashkimit Europian se kurrë më parë.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, në Kuvend

Seanca e sotme ka në qendër të diskutimeve dy raporte të rëndësishme, raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve (2025) dhe gjetjet e raport- progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Të dy këto dokumente, përtej rekomandimeve dhe sfidave që na përcjellin, kanë emërues të përbashkët progresin e Shqipërisë në shumë fusha, zhvllimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe angazhimin e qeverisë për të ndërtuar institucione më të konsoliduara dhe si dhe për të ndërmarrë reforma të thella.
Në fillim dëshiroj të ndalem te Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili evidenton qartë stabilitetin makroekonomik të vendit dhe progresin e bërë në vitet e fundit.
Me lejoni të citoj: “ Ekonomia shqiptare u rrit me rreth 4% gjatë vitit 2024, e nxitur nga turizmi, investimet dhe politikat makroekonomike të kujdesshme. Inflacioni është rikthyer në nivele të kontrolluara, në 2.2% në vitin 2024, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Një tjetër tregues domethënës është ulja e borxhit publik nga 75% e PBB-së në vitin 2021 në rreth 55% në vitin 2024”.
Kjo është provë konkrete e disiplinës fiskale, e menaxhimit të kujdesshëm të financave publike dhe e qëndrueshmërisë ekonomike që kemi ndërtuar.
Po ashtu, raporti evidenton rritjen rekord të Investimeve të Huaja Direkte, të cilat arritën në 1.7 miliardë dollarë në vitin 2024, ndërsa stoku total i investimeve të huaja ka shkuar në rreth 16.7 miliardë dollarë.
Këto janë tregues që reflektojnë besimin real të investitorëve ndërkombëtarë tek ekonomia shqiptare.
Të nderuar deputetë,
Natyrisht që në këtë raport evidentohen edhe sfida, veçanërisht në lidhje luftën kundër informalitetit dhe pastrimit të parave.
Por, është shumë e rëndësishme që debati publik dhe politik mbi këto sfida të bëhet bazuar mbi fakte.
Shqipëria ka një rritje progresive të të ardhurave dhe kjo është arritur falë një administrimi më të mirë tatimore dhe doganor dhe Jo përmes rritjes së taksave.
Vetë raporti nënvizon progresin e bërë sa i takon:

  • fiskalizimit;
  • digjitalizimit të shërbimeve tatimore e doganore;
  • forcimit të administrimit tatimor;
  • dhe masat kundër pastrimit të parave.

Me lejoni të ndalem pak më shumë të kjo e fundit, për të risjellë në vëmendjen tuaj vlerësimet që ka marrë Shqipëria nga organizmat ndërkombëtare.
Financial Action Task Force/ FATF
FATF, në raportin e saj, do të shprehej se : “Shqipëria ka adresuar me sukses të gjitha mungesat strategjike të identifikuara. Progres i konsiderueshëm është bërë në forcimin e sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përmes përmirësimit të analizës së riskut dhe rritjes së transparencën mbi pronësinë përfituese.
Shqipëria, që prej vitit 2023  nuk është më në proces monitorimi të shtuar ose siç njihet ndryshe si “ lista gri”.
Kroacia, si vend i BE-së arriti të dalë nga kjo listë në vitin 2025, ndërsa ka shtete si Bullgaria apo dhe Monako që vijojnë të jenë ende pjesë e listës gri.
MONEYVAL/Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (organ monitorues i përhershëm i Këshillit të Evropës ).
“Shqipëria ka rritur ndjeshëm përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, veçanërisht për transparencën e pronësisë përfituese dhe mbikëqyrjen e profesioneve jofinanciare. Si rezultat, vendi ka arritur të sigurojë mbi 95% përputhshmëri me rekomandimet e FATF, çka tregon forcim të kuadrit ligjor dhe institucional.
Komisioni Europian – Raporti 2025
Në Raport – Progresin e fundit, Komisioni Europian, vlerëson progresin e Shqipërisë, referuar Kapitullit 4 dhe 24, veçanërisht sa i takon:

  • Rritjes së hetimeve financiare;
  • Sekuestrimit të pasurive nga krimi i organizuar;

Aktualisht, Shqipëria është në procesin e vlerësimit të raundit të gjashtë nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit – MONEYVAL.
Ky është një proces shumë i rëndësishëm, i cili synon të vlerësojë në mënyrë konkrete efektivitetin e zbatimit të standardeve ndërkombëtare në fushën e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve të dëmtimit në masë.
Pritshmëritë tona janë që ky raport do të jetë pozitiv për Shqipërinë.
Të nderuar deputetë,
Sikundër e theksova edhe më lart, edhe Komisioni Europian ka vlerësuar progresin e Shqipërisë sa i takon luftës kundër pastrimit të parave.
Nga ana tjetër gjetjet e Progres – Raportit të Komisionit Europian gjithashtu konfirmojnë progresin e Shqipërisë në rrugën europiane.
Në të citohet se : “Shqipëria ka nivel të mirë përgatitjeje në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale”.
Gjithashtu theksohet se Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm rezultatet fiskale, madje duke tejkaluar edhe objektivat buxhetorë.
Pozitivisht vlerësohet edhe fakti se Shqipëria dorëzoi në kohë pranë Komisionit Europian, Programin e Reformës Ekonomike (ERP) 2025–2027, në mesin e janarit 2025. Në të theksohet se angazhimin e qeverisë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, arritjen e suficiteve në balancën primare dhe respektimin e rregullave fiskale të përcaktuara në ligjin organik të buxhetit.
Një nga vlerësimet e Komisionit Europian është gjithashtu edhe miratimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, e cila synon rritjen e eficiencës fiskale dhe forcimin e administrimit, pa rritur barrën tatimore për qytetarët dhe biznesin.
Dhe në këtë kontekst dëshiroj të nënvzoj një element domethënës, siç është përmirësimi i vlerësimit për Kapitullin 16 “Tatimet”, i cili kaloi nga “progres i kufizuar” në “njëfarë progresi”.
Ky është një vlerësim konkret për punën që kemi bërë në drejtim të modernizimit të administratës fiskale dhe forcimit të miradministrimit tatimor.
Në të njëjtën kohë, raporti evidenton progres sa i takon edhe:

  • digjitalizimit të shërbimeve doganore;
  • zhvillimin e Sistemit të Ri të Kompjuterizuar të Tranzitit (NCTS P5)
  • përgatitjen për përafrimin legjislativ me ato të BE-së;
  • si dhe forcimin e luftës kundër kontrabandës dhe evazionit.

Natyrisht, që kemi ende sfida sepse rruga drejt Bashkimit Europian, nuk ka të bëjë vetëm me harmonizimin e legjislacionit, por edhe me përgatitjen e tregut, si dhe rritjen e kapaciteteve për të përballuar sa më mirë konkurrencën.
Pikërisht në këto drejtime angazhimi i qeverisë është i përditshëm.
Ne sot flasim për një administratë tatimore dhe doganore tërësisht të transformuar falë proceseve digjitale.
Sot mbi 95% e shërbimeve ofrohen online. Vetëm në administratën tatimore janë kursyer miliona orë pune për bizneset dhe qytetarët. Në dogana, koha e shqyrtimit të aplikimeve është ulur ndjeshëm.
Kemi ndërtuar një sistem fiskal më të drejtë, po zbatojmë një sërë reformash, po administrojmë më mirë, por pa rritur taksat.
Të nderuar deputetë,
Progresi i Shqipërisë dhe integrimi europian kanë të bëjnë me zbatimin e një sërë reformave, standardeve dhe rritje të përgjegjësive institucionale.
Shqipëria ka ende shumë punë përpara dhe askush nuk e mohon këtë.
Por, po kaq e rëndësishme është që raportet e partnerëve tanë ndërkombëtarë të lexohen me objektivitet, duke pranuar jo vetëm rekomandimet, por edhe progresin real që vendi ka arritur.
Shqipëria është “shtëpia” jonë e përbashkët. Integrimi europian është një objektiv strategjik kombëtar, që i përket çdo qytetari shqiptar dhe çdo force politike që beson tek e ardhmja europiane e vendit.
Shqipëria sot është më e fortë ekonomikisht, më e qëndrueshme financiarisht dhe më afër Bashkimit Europian se kurrë më parë.