Ministria e Financave

Ministri i Financave, Petrit Malaj: Të përkushtuar në përafrimin e procedurave tona me standardet e BE-së për tu bërë pjesë e Unionit Doganor

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në Konferencën e Dytë të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së “Partneriteti doganor për një Evropë të Lidhur -Thellimi i bashkëpunimit doganor CEFTA-BE për një lidhje të Pandërprerë”.
Me pjesëmarrjen edhe të zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, z. Genti Gazheli, konferenca mblodhi së bashku drejtorët e përgjithshëm të doganave nga vendet e CEFTA dhe nga shtetet anëtare të BE-së, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe partnerë të tjerë kyç rajonalë dhe ndërkombëtarë. Eventi u organizua nga Administrata Doganore e Shqipërisë, Agjencia Italiane e Doganave dhe Monopoleve, Sekretariati CEFTA/projekti SEED+ dhe Sekretariati i Komunitetit të Transportit.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e përmirësimit të efikasitetit doganor në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, që është një ambicie e përbashkët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ministri tha se qeveria shqiptare po ndërmerr një nga reformat më gjithëpërfshirëse në historinë e administratës doganore, teksa në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE sapo janë hapur edhe negociatat për Kapitulli 29 “Dogana”.
“Ne jemi të përkushtuar për të përafruar procedurat tona me standardet e BE-së, duke u siguruar që të jemi plotësisht të përgatitur për t’u bërë pjesë e Unionit Doganor”, tha z. Malaj.
Në këtë proces, ndër prioritet e qeverisë shqiptare, Ministri i Financave renditi: forcimin dhe përafrimin me standardet dhe proceset doganore të BE-së; rritjen e bashkëpunimit rajonal mes administratave doganore të Ballkanit Perëndimor; mbështetjen e lehtësimit të tregtisë dhe integrimit ekonomik më të thelluar; avancimin e Korridoreve të Gjelbër dhe të Kaltër ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së; investimin në ndërtimin e kapaciteteve dhe asistencë teknike; promovimin e marrjes së statusit AEO (Operator Ekonomik i Autorizuar).
Fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj:
E nderuar znj. Zëvendëskryeministre,
Të nderuar Drejtorë të Përgjithshëm të Doganave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së, me temë “Partneriteti Doganor për një Europë të Lidhur – Thellimi i Bashkëpunimit Doganor CEFTA-BE për lidhje të Pandërprerë”.
Pjesëmarrja e gjerë në këtë konferencë, sikundër dhe vihet re, pasqyron më së miri vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen, në themel të së cilës është partneriteti i fortë dhe përpjekja e vazhdueshme për një integrim të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Përkushtimi i secilit prej jush dhe institucioneve që ju përfaqësoni është dëshmi e qartë se vetëm duke punuar së bashku – duke bashkuar forcat – mund të arrijmë rezultate konkrete dhe të garantojmë konkurrencën e ndershme në tregun evropian dhe më gjerë.
Shqipëria, sikundër edhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë një ambicie të përbashkët dhe një synim të qartë: integrimin në Bashkimin Evropian.
Për të arritur me sukses drejt këtij objektivi apo finishi, sipërmarrjet tona do të duhet të jenë të gatshme të konkurrojnë në tregun unik të BE-së dhe të japin kontributin e tyre për një ekonomi të fortë, të përbashkët.
Ne duam të shohim që sipërmarrjet dhe ndërmarrjet tona të jenë të sukseseshme dhe të rriten, aftësojnë forcën e punës, ta bëjnë atë më konkurruese, tërheqin më shumë investime të huaja dhe të shtrihen në tregje të reja.
Kjo kërkon një angazhim të shtuar, vizion të qartë dhe më shumë përpjekje, por në këtë rrugëtim sipërmarrja është partneri ynë dhe për këtë, ne si qeveri shqiptare po ndërmarrim reforma në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm, krijimit të lehtësive të domosdoshme, reduktim të barrierave dhe në aftësimin e administratave tona për të qenë gjithmonë në ndihmë të biznesit dhe përmirësimit të klimës së të bërit biznes.
Këtij konteksti i shërben edhe Plani i Ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor (Growth Plan) i cili padyshim do të sjellë mundësi dhe përfitime të reja për ekonomitë tona.
Padyshim, një pikë kyçe, sikundër e preka edhe më lart, është përmirësimi i efikastetit të administratës doganore.
Doganat nuk kanë të bëjnë vetëm me kontrollin ndërkufitar – ato janë një shtyllë strategjike për lehtësimin e tregtisë, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
Në Shqipëri, ne po ndërmarrim një nga reformat më gjithëpërfshirëse në historinë e administratës doganore.
Teksa po punojmë për anëtarësimin e plotë në BE, Kapitulli 29, “Dogana” të cilin sapo e kemi hapur është për Ministrinë e Financave, një prioritet kyç ndaj dhe stafet tona po punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm.
Ne jemi të përkushtuar për të përafruar procedurat tona me standardet e BE-së, duke u siguruar që të jemi plotësisht të përgatitur për t’u bërë pjesë e Unionit Doganor.
Ndaj, prioritetet tona përfshijnë:
• Forcimin dhe përafrimin me standardet dhe proceset doganore të BE-së
• Rritjen e bashkëpunimit rajonal mes administratave doganore të Ballkanit Perëndimor
• Mbështetjen e lehtësimit të tregtisë dhe integrimit ekonomik më të thelluar, përfshirë përmes koordinimit ndërinstitucional dhe partneriteteve të forta mes doganës dhe biznesit
• Avancimin e Korridoreve të Gjelbër dhe të Kaltër ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për të mundësuar kalime më të shpejta dhe më integruara në kufi
• Investimin në ndërtimin e kapaciteteve dhe asistencë teknike
• Promovimin e marrjes së statusit AEO (Operator Ekonomik i Autorizuar).
Më duhet të nënvizoj këtu se Shqipëria ka bërë hapa para sa i takon njohjes reciproke të Programit të AEO i cili sjell lehtësimin e tregtisë së mallrave dhe thjeshtimin e procedurave doganore për to, por edhe sa i takon rregullave kalimtare të origjinës (PEM), si mundësi për rritjen e eksporteve në tregjet europiane.
Të gjitha këto janë hapa konkretë që po i ndërmarrim së bashku, ndaj më gëzon fakti që po shoh një përfshirje kaq të fortë mes autoriteteve doganore të rajonit tonë, shteteve anëtare të BE-së dhe kolegëve tanë të Directorate-General for Taxation and Customs Union (DG TAXUD).
Në përfundim të fjalës sime më lejoni të përgëzoj për organizimin e këtij aktiviteti Administratën Doganore Shqiptare, Agjencinë e Doganave dhe Monopoleve të Italisë, Sekretariatin e CEFTA-s, Projektin SEED+ dhe Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit të Transportit.
Shpreh bindjen time të plotë se kjo konferencë e këtij niveli të lartë do të na ndihmojë që të shpalosim ide konkrete në mënyrë që t’i materializojmë sa më mirë dhe të na shërbejnë për të krijuar një model zhvillimi që do t’i përgjigjet nevojave që koha dhe proceset integruese po na diktojnë.
Ju faleminderit dhe ju uroj diskutime sa më të frytshme!