Ministria e Financave

Konferencë për shtyp – Ministri Malaj prezantoi treguesit ekonomikë dhe fiskalë të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi sot një konferencë për shtyp, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, z. Ilir Binaj, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Besmir Beja, ku prezantoi treguesit kryesorë ekonomikë dhe fiskalë të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se rezultatet e 6-mujorit të parë të vitit tregojnë një rritje të ndjeshme të të ardhurave, rritje të shpenzimeve publike, një përmirësim të mëtejshëm të nivelit të formalizimit të ekonomisë, si dhe vazhdimin e trendit pozitiv në punësim dhe aktivitetin ekonomik.

Ministri Malaj bëri të ditur se gjatë periudhës janar–qershor 2026 të ardhurat totale buxhetore arritën në rreth 410 miliardë lekë, me realizim 105% të planit të periudhës, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore, doganore dhe kontributet arritën në 359.3 miliardë lekë, ose 7.1 miliardë lekë mbi plan.
“E gjithë kjo arritje vjen si rezultat i miradministrimit tatimor dhe doganor dhe, nëse bëjmë një analizë të periudhës 2025–2026, kemi mbledhur në total 1.2 miliardë euro më shumë krahasuar me vitin 2024”, u shpreh Ministri Malaj.

Ministri vuri në dukje se rritja domethënëse e të ardhurave tatimore dhe doganore nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave apo barrës fiskale, por i miradministrimit tatimor dhe doganor, si dhe i zbatimit korrekt të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave. Sipas tij, kjo përbën një sinjal të qartë të forcimit të bazës ekonomike të vendit.
Gjatë konferencës u prezantua edhe ecuria e zbatimit të nismave të Paketës Fiskale, ku u veçuan procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët, rimbursimi i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), si dhe zbatimi i ligjit për faljen e detyrimeve tatimore e doganore dhe i Paqes Fiskale.
 
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, gjatë konferencës për shtyp:

Përshëndetje të gjithëve dhe ju falënderoj për praninë tuaj në këtë komunikim periodik të Ministrisë së Financave ku së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganeve duam të ndajmë me ju rezultatet e gjashtëmujorit të parë të këtij viti, një gjashtëmujor që konfirmon se ecuria e ekonomisë shqiptare vijon të ecë në një trajektore të qëndrueshme rritjeje ekonomike dhe konsolidimi.
Të dhënat paraprake tregojnë për një rritje të ndjeshme të ardhurave. Kemi një rritje të shpenzimeve publike. Kemi një përmirësim të mëtejshëm përsa i përket formalizimit të ekonomisë si dhe vazhdimin e një trendi pozitiv përsa i përket punësimit, por edhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik të sipërmarrjeve shqiptare.
Më lejoni të vijoj me prezantimin dhe më tej pastaj mund t’u përgjigjemi të gjitha pyetjet e mundshme që keni.
Po ndalem te rritja ekonomike.
Shqipëria gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ka shënuar një rritje ekonomike prej 3.7%, më e larta sesa mesatarja e Ballkanit Perëndimor, por edhe e Bashkimit Europian. Kemi një rritje ekonomike e cila, sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, deri në fund të vitit do të arrijë në 4%, ku padyshim sektorët me kontributin më të madh janë sektori i shërbimeve dhe sektori i investimeve, qofshin këto private apo publike.
Parashikimi ynë është që deri në fund të vitit 2026 Prodhimi i Brendshëm Bruto të arrijë në nivelin e 29 miliardë eurove ndërsa, ashtu siç kemi thënë dhe më herët, deri në fund të mandatit prishmëritë tona janë që Prodhimi i Brendshëm Bruto të shkojë në masën e 35 miliardë eurove.
Për vitin 2026 ne parashikojmë që të ardhurat për frymë të shkojnë në masën 12.200 euro krahasuar me 11.355 euro që ishin në fund të vitit 2025. Pra, kemi një rritje të të ardhurave për frymë përgjatë vitit 2026 në masën 845 euro më shumë. Objektivi final është që deri në fund të vitit 2029 të ardhurat për frymë për shqiptarët të shkojnë në masën 15.000 euro.
Në lidhje me inflacionin, përgjatë këtij gjashtëmujori, Shqipëria renditet si vendi me normën e inflacionit më të ulët në Ballkanin Perëndimor. Inflacioni mesatar përgjatë këtij gjashtëmujori është në masën 2.7% kur Ballkani Perëndimor përgjatë këtij gjashtëmujori ka shënuar një normë inflacioni rreth 4%. Pa diskutim që një inflacion i ulët do të thotë ruajtja e fuqisë blerëse për qytetarët shqiptarë.
Për sa i përket papunësisë, papunësia edhe për tremujorin e parë të 2026 ka zbritur në nivelin 8.4%, një nivel rekord për sa i përket uljes së papunësisë. Është dukshëm më i ulët edhe se sa mesatarja e normës së papunësisë në Ballkanin Perëndimor, e cila në fund të vitit 2025 shënoi 10.6%.
Krahas rënies së papunësisë kemi dhe një rritje të pagave për sa i përket pagave në sektorin privat dhe në sektorin publik. Kemi një rritje të pagës mesatare përgjatë tremujorit të parë të vitit 2026 në masën 935 euro dhe krahasuar kjo me pagën mesatare përgjatë tremujorit të vitit 2025, e cila shënoi vetëm 831 euro, kemi një rritje me mbi 100 euro të pagës mesatare në vend përgjatë këtij tremujori.
Paga mesatare në sektorin publik ka arritur në masën 1094 euro ndërkohë që paga mesatare në sektorin privat ka arritur në 871 euro në fund të tremujorit të parë të 2026-s nga 753 euro që ka qenë në fund të tremujorit të vitit 2025.
Nga ana tjetër, falë edhe masave të marra për formalizimin e punësimit në sektorë kyç të ekonomisë, vihet re që kemi një rritje të numrit të punonjësve të cilët kanë pësuar rritje pagash, pra drejt fashave me paga më të larta.
Kemi një rritje të numrit të punonjësve që përfitojnë paga nga 70.000 lekë deri në 100.000 lekë dhe kjo rritje është me 14.6% krahasuar me qershorin e vitit 2025. Sikundër, për ata punonjës të cilët përfitojnë paga midis fashave 100.000 lekë dhe 120.000 lekë, rritja është më e madhe, është 25.3% krahasuar me qershorin e vitit 2025.
Nga ana tjetër, Shqipëria vijon të regjistrojë shifra të larta për sa i përket investimeve të huaja direkte. Përgjatë tremujorit të parë të vitit 2026 kemi një rritje të investimeve të huaja direkte me 11.8% ose 404 milionë euro më shumë sea tremujori i vitit 2025. Vendet që kryesojnë janë: Austria në vend të parë, Italia, Hollanda, e ndjekur më pas nga Turqia dhe Kosova.
Në lidhje me kreditimin e ekonomisë, shifrat tregojnë një zgjerim të kreditimit përgjatë pesëmujorit të parë të vitit 2026, e cila në fakt mbështet investimet, konsumin, por edhe aktivitetin ekonomik në vend.
Kemi një rritje të kreditimit të ekonomisë me mbi 1 miliardë euro krahasuar me pesëmujorin e vitit 2025, ku në fund të muajit maj për herë të parë kemi regjistruar një stok total të kredive në masën 10.2 miliardë euro.
Për sa i përket ecurisë së buxhetit:
Të ardhurat totale të realizuara përgjatë periudhës janar-qershor 2026 arritën në masën 410 miliardë lekë, me një realizim 105% të planit të periudhës ose e përkthyer ndryshe në terma monetarë, 44.5 miliardë lekë më shumë.
Ky parashikim tejkalon edhe objektivin e vendosur në realizimin e të ardhurave në planin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave një plan që, siç e dini, është dakordësuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ky në fakt është një sinjal i qartë përsa i përket forcimit të bazës ekonomike në vendin tonë.
Për sa i përket realizimit të shpenzimeve buxhetore për periudhën janar-qershor 2026, ecuria ka qenë e kënaqshme. Kemi një realizim të përgjithshëm të shpenzimeve publike në masën 357.8 miliardë lekë, me një realizim të planit në masën 97.4%. Shpenzimet e përgjithshme publike, krahasuar me 6 mujorin e vitit 2025, vijnë me rritje me 24.8 miliardë lekë ose rreth 250 milionë euro më shumë shpenzime publike përgjatë këtij gjashtëmujori krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar.
Edhe shpenzimet kapitale gjithashtu vijnë me rritje përgjatë këtij gjashtëmujori. Kemi një rritje me 10.2% krahasuar me gjashtëmujorin e vitit 2025 ndërkohë që në total shpenzimet kapitale për këtë gjashtëmujor janë 36.8 miliardë lekë, me një realizim 103.8% të planit të periudhës.
Për sa i përket shpenzimeve korrente, shpenzimet korrente kanë një realizim në masën 96.7% duke kapur një total prej 321.1 miliardë lekë dhe krahasuar me gjashtëmujorin e vitit 2025 kemi një rritje me 21.4 miliardë lekë.
Në lidhje me performancën e Tatimeve dhe të Doganave:
Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë mbledhur në masën 359.3 miliardë lekë. Kemi 7.1 miliardë lekë më shumë të realizuara sesa plani i gjashtëmujorit 2026 ndërkohë që, në qoftë se do të krahasonim me gjashtëmujorin e vitit 2025, keni mbledhur rreth 300 milionë euro më shumë.
E gjithë kjo arritje vjen si rezultat i miradministrimit tatimor dhe doganor dhe në qoftë se do të bëjmë një analizë totale, përgjatë vitit 2025-2026 kemi mbledhur në total 1.2 miliardë euro më shumë sesa viti 2024.
Pra, kemi një rritje domethënëse të të ardhurave tatimore dhe doganore dhe kjo jo si rezultat i rritjes së bazës së taksave, jo si rezultat i rritjes së barrës fiskale, por si rezultat i miradministrimit tatimor dhe doganor, si dhe falë edhe implementimit korrekt të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Në lidhje me zhvillimet ekonomike dhe për sa i përket aktivitetit ekonomik të sipërmarrjeve shqiptare:
Kemi një rritje të qarkullimit të bizneseve, pra të xhiros së deklaruar. Përgjatë këtij gjashtëmujori, krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, xhiro e deklaruar është rritur me 7%. E përkthyer në terma monetarë, kemi 1.3 miliardë euro më shumë të deklaruara nga bizneset shqiptare.
Kemi rritje të xhiros së deklaruar në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë tonë. Kemi rritje të xhiros së deklaruar në sektorin e tregtisë me 10%. Kemi rritje të xhiros në sektorin e ndërtimit me 9%, në sektorin e prodhimit me 2%, në sektorin e shërbimit me 4%.
E gjithë kjo në fakt vjen si një kombinim i zhvillimeve ekonomike në vend, vjen si rezultat i formalizimit të ekonomisë, por pa diskutim edhe si rezultat i rritjes së konsumit në vend, që mbështetet natyrisht nga paga më më të larta, por edhe nga një punësim më i lartë në vend.
Në lidhje me numrin e bizneseve të regjistruara, në fund të qershorit kemi pasur në total një numër prej 148.270 biznesesh ose subjektesh të regjistruara pranë Administratës Tatimore.
Kemi një rritje të numrit të bizneseve krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar me mbi 12%, çfarë në fakt reflekton edhe klimën e biznesit ose të bërit biznes në vendin tonë.
Tani dua të ndalem pak tek nismat e Paketës Fiskale që miratuan vitin e kaluar, ku ndër më kryesoret mund të përmendim rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, kompensimin e TVSH-së në bujqësi, rimbursimin e DIVA-s, Paqen Fiskale apo dhe fshirjen dhe faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Për sa i përket të ardhurave të gjeneruara nga procesi i rivlerësimit, proces i cili në fakt nisi në shkurt të vitit 2026, të ardhurat kapin vlerën e 5 miliardë lekevë apo rreth 50 milionë euro. Kjo shifër e arkëtuar deri tani është pothuajse e njëjtë me atë të procesit të fundit të bërë nga rivlerësimi në vitin 2022, e cila në total përgjatë gjithë vitit 2022 ishte në masën 5.6 miliardë lekë.
Kjo në fakt tregon që ka një interes të lartë të qytetarëve dhe ecuria tregon se deri në përfundim të procesit, i cili do të jetë deri në 31 dhjetor 2026, të ardhurat do të jenë më të larta se sa nga procesi i fundit.
Për sa i përket kompensimit të TVSH-së në bujqësi, deri në datën 27 korrik të këtij viti, kemi pasur në total 2397 aplikime nga fermerët, me një vlerë totale të kërkuar për kompensim në masën 587 milionë lekë ose rreth 5.9 milionë euro. Ndërkohë që, nga vlera e faturave që ne shohim në sistem, shuma potenciale për kompensim është në masën 13.8 milionë euro, ndërsa aplikimi për fermerët është i hapur deri në datën 31.12.2026.
Gjej rastin nëpërmjet kësaj konference që tu bëj edhe njëherë thirrje subjekteve grumbulluese dhe përpunuese që të vijojnë të lëshojnë faturat për fermerët pasi kemi shqetësime të marra nga ky grup përsa i përket marrjes së faturave. Është një sektor që ka një monitorim të thelluar nga e Administratës Tatimore.
Për sa i përket rimbursimit të DIVA-s, pra Deklaratave Individuale Vjetore të të Ardhurave, në total nga ana e Administratës Tatimore janë identifikuar 41.195 individë të cilët kanë kaluar tashmë për rimbursim. Nga këta 41.195 individë janë rimbursuar tashmë 39.965 individë, me një vlerë totale prej 597.8 milionë lekë. Personat që janë rimbursuar janë individë të cilët kanë mbipaguar tatim apo familjet të cilat kanë fëmijë në moshën 18 vjeç. Vlera e parashikuar për këtë zë, pra vlera e parashikuar për t’u rimbursuar, është në masën 15 milionë euro ose 1.5 miliardë lekë.
Po ndalem pak te zbatimi i ligjit të fshirjes dhe faljes:
Bazuar në të dhënat më të fundit që kemi marrë nga Administrata Tatimore dhe Doganore, përsa i përket Administratës Doganore falja e detyrimeve të cilat kanë një vjetërsi mbi 10 vjet, nga ky zë kanë përfituar në total 264 operatorë ekonomikë, me një vlerë totale të fshirë apo të falur në masën 505.4 milionë lekë.
Ndërkohë që falja e detyrimeve ose falja me kusht, ku paguhet një pjesë e detyrimeve dhe pastaj fshihet një pjesë e gjobave dhe penaliteteve, nga kjo masë kanë përfituar 260 operatorë ekonomik, me një vlerë totale të falur prej 168.5 milionë lekësh.
Për sa i përket ecurisë në Administratën Tatimore, në lidhje me faljen pa kusht, pra për ato detyrime që janë mbi 10 vjet të vjetra, kanë përfituar në total 121.630 tatimpagues, me një vlerë totale të fshirë prej 29.7 miliardë lekësh.
Ndërkohë që falja me kusht, pra për detyrimet që janë më pak sesa 10 vjet, ku paguhet një pjesë e detyrimit dhe pjesa tjetër pastaj falet apo fshihen gjobat dhe penalitetet, përfitues në total janë 43.366 tatimpagues, me një vlerë totale të fshirë prej 8.6 miliardë lekësh.
Pra siç e shihni, i gjithë procesi është një proces gjithëpërfshirës, përfshin shumë tatim pagues dhe shumë operatorë ekonomikë të cilët kalojnë mbi 100.000 subjekte.
Për sa i përket Paqes Fiskale që pa diskutim ka pasur shumë diskutime gjatë diskutimeve nëpër komisionet parlamentare të Kuvendit, ku është aluduar dhe është spekuluar se: “po bëhet pastrim parash, para të krimit, është një amnisti, ka evazion ose po lehtësohet evazioni fiskal”, më lejoni që t’ju paraqes shifrat.
Në total subjekte që kanë aplikuar për Paqen Fiskale janë 62, nga të cilët të kualifikuar për të përfituar nga Paqja Fiskale janë vetëm 19 dhe nga këta 19, 15 kanë kërkuar që të përfitojnë nga Paqja Fiskale, pra që të paguajnë një tatim fitimi të reduktuar në masën 5% në rast se fitimi i dakordësuar me Tatimet është mbi 18% i fitimit të vitit të mëparshëm. Ndërkohë që janë vetëm katër subjektet të cilët kanë aplikuar si për Paqen Fiskale, edhe për rishikimin e pasqyrave financiare të tre viteve të fundit.
Subjektet që kanë përfituar janë subjekte që shtrihen në gjithë territorin e Shqipërisë. Kemi shtatë subjekte në Tiranë, kemi pesë subjekte në Durrës, dy subjekte në Shkodër, një subjekt në Korçë e kështu me radhë. Pra, e gjithë ajo zhurmë për asgjë.
Si përfundim dua të ndalem pak edhe tek proceset integruese:
Si Ministri e Financave jemi duke punuar me harmonizimin e plotë të legjislacionit tonë fiskal, por dhe të Kodit Doganor me direktivat e Bashkimit Europian. Deri në fund të muajit shtator do të bëjmë një përafrim të plotë të Kodit Doganor me kërkesat e Bashkimit Europian, ndërkohë që deri në fund të këtij viti do të bëhet përafrimi i plotë i gjithë kuadrit tonë fiskal me kërkesat e direktivave.