Ministria e Financave

Qeveria shqiptare zyrtarizoi sot një partneritet të ri në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe sistemin bankar në vend për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”. Kjo nismë synon të mbështesë bizneset shqiptare, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar më shumë mundësi për sipërmarrësit. Memorandumi i Mirëkuptimit për këtë nismë u nënshkrua sot, në prani të Kryeministrit Rama.

Në fjalën e tij, Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, pohoi rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për ekonominë e vendit, si përsa i përket punësimit, ashtu edhe për vlerën e shtuar që ato sjellin.
Ministri theksoi se, nëpërmjet nismës “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, qeveria synon të rrisë aksesin në financë për SME-të në sektorë që janë të nënfinancuar, duke i mbështetur në rritjen e kapaciteteve teknologjike, në dixhitalizim apo në pjesën e efiçencës së energjisë.
Kjo mbështetje, tha z. Malaj, synon të sjellë rritje të konkurrueshmërisë së SME-ve dhe rritje të produktivitetit të tyre, që rrjedhimisht do të sjellë përshpejtim të rritjes ekonomike dhe përafrim më të shpejtë me standartet e Bashkimit Europian.

Ministri informoi se nisma do të mbështetet fillimisht me linjën e kredisë të çelur tashmë nga Banka e Shqipërisë në vlerën 250 milionë euro, e cila do të ofrohet me norma të ulëta interesi, ndërsa do të shoqërohet paralelisht edhe me garancinë sovrane prej 30 milionë eurosh që tashmë është çelur, e cila përveç sektorit bujqësor do të zgjerohet edhe për të mbeshtetur SME-të.
“Garancia sovrane do të rritet, pra nga vlera e 30 milionë që kemi aktualisht do të rritet gradualisht, bazuar në kërkesat që do të na vijnë nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por natyrisht duke mbajtur parasysh edhe mundësitë që ka buxheti i shtetit”, u shpreh z. Malaj.
Ministri Malaj theksoi se qeveria mbetet e angazhuar që të mbështesë sipërmarrjen dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm, për të rritur kapacitetet e tyre teknologjike dhe njerërore, në mënyrë SME-të të rrisin konkurrueshmërinë e tyre dhe të përgatiten për të hyrë në tregun e Bashkimit Europian, ku mundësitë janë të mëdha, por gjithashtu edhe konkurrenca.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
Kjo nismë që po ndërmerr qeveria lidhet me SME-të, të cilat përbën shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare.
99% e ndërmarrjeve në ekonominë shqiptare kategorizohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme.
82% e fuqisë punëtore në Shqipëri punësohet pikërisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Rreth 75% e investimeve të kryera në ekonomi vijnë pikërisht nga këto ndërmarrje.
Gjithashtu, 78% e vlerës së shtuar në ekonomi vjen nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Pra, kjo tregon që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë peshën kryesore në ekonomi, si në prodhim, si në shërbim dhe në të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike.
Nga ana tjetër, SME-të përbëjnë masën më të madhe të punësimit të fuqisë punëtore, duke siguruar kështu jo vetëm një punësim, por edhe një stabilitet në aspektin social të vendit.
Gjithashtu, pesha e SME-ve në Shqipëri është më e lartë sesa pesha që zë në vendet e Bashkimit Europian.
Po t’i referohemi punësimit, siç e përmenda më sipër, ato zënë rreth 82% të fuqisë punëtore, ndërkohë që në Bashkimin Europian SME-të punësojnë rreth 65 % të fuqisë punëtore. Edhe në pjesën e vlerës së shtuar në ekonomi, SME-të në Shqipëri zënë peshën kryesore në raport me vendet e Bashkimit Europian.
Duke mbajtur parasysh peshën që zënë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, qeveria, nëpërmjet nismës dyfisho sipërmarrjen tënde, do të synojë së pari rritjen e aksesit në financë për SME-të në sektorë të cilët janë të nënfinancuar.
Duke ju dhënë mundësinë që të financohen, ne do t’i mbështesim SME-të jo vetëm në rritjen e kapaciteteve të tyre teknologjike, por do t’i mbështesim ato në dixhitalizim, në pjesën e efiçencës së energjisë dhe në fusha të tjera.
Mbështetja që do të japim detyrimisht do të sjellë pastaj edhe rritje të konkurueshmërisë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por edhe rritje të produktivitetit të tyre që pastaj rrjedhimisht do të sjelli edhe një përshpejtim të rritjes ekonomike, por edhe një përafrim më të shpejtë me standartet e Bashkimit Europian.
Kjo nismë do të mbështetet fillimisht me linjën e kredisë të çelur tashmë nga Banka e Shqipërisë në vlerën 250 milion euro, linjë kredie e cila do të ofrohet me norma të ulëta interesi, pra kredi të buta, të cilat do të jenë norma edhe më të ulëta sesa ato që ofrohen aktualisht nga sektori bankar.
Paralelisht, linja e kredisë do të shoqërohet edhe me garancinë sovrane, një garanci sovrane që tashmë e kemi të hedhur në treg prej rreth 30 milionë euro, e cila do të zgjerohet dhe nga sektori bujqësor do të shtrihet edhe për të mbështetur SME-të.
Garancia sovrane do të rritet. Nga vlera 30 milionë që është aktualisht do të rritet gradualisht, bazuar në kërkesat që do të na vijnë nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por natyrisht duke mbajtur parasysh edhe mundësitë që ka buxheti i shtetit.
Paralelisht me linjën e kredisë dhe garancinë sovrane, qeveria do të ofrojë dhe grante për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat do të mbështeten për përgatitjen e biznes planeve apo projekteve të investimit që do të kenë dhe që do të paraqiten pranë sektorit bankar për t’u financuar pikërisht me këtë linjë kredie.
Qeveria do të mbetet e angazhuar që të mbështesë nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm.
Ky nuk është i vetmi mekanizëm që ne do të ofrojmë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por do të hedhim dhe mekanizma të tjera në treg për të mbështetur pikërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në mënyrë që këto të fundit të rrisin jo vetëm kapacitete teknologjike, por të rrisin dhe kapacitetet e burimeve njerëzore në mënyrë që të rrisin konkurueshmërinë e tyre, sepse po përgatitemi që të hyjmë në një treg i cili është tregu i Bashkimit Europian. Është një treg që vërtetë është një treg shumë i madh dhe një mundësi shumë e madhe, por dhe konkurrenca që vjen nga ky treg është po kaq e madhe.