Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të ardhurat dhe shpenzimet e parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027.
Ministri theksoi se të ardhurat për vitin 2027 përbëjnë një nga shtyllat kryesore të politikës fiskale, në funksion të objektivave strategjikë të Ministrisë së Financave për rritjen e të ardhurave publike, ruajtjen e ekuilibrave buxhetorë dhe uljen e qëndrueshme të borxhit publik.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen në masën 907.9 miliardë lekë, ose 30.9% e PBB-së. Ky parashikim mbështetet në pritshmëritë për rritjen ekonomike dhe ndikimin e inflacionit, efektet e masave të reja të paketës fiskale, si dhe zbatimin e masave në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.

Shpenzimet buxhetore për vitin 2027 parashikohen në masën 976.1 miliardë lekë, ose rreth 33.3% e PBB-së, me një rritje prej 69.3 miliardë lekësh (rreth 700 milionë euro) krahasuar me vitin 2026.
Kjo rritje e shpenzimeve, u shpreh z. Malaj, reflekton angazhimin e qeverisë për të forcuar mbështetjen sociale, për të mbështetur sektorët strategjikë dhe për të garantuar shërbime publike më cilësore për qytetarët.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
Të ardhurat për vitin 2027 përfaqësojnë një nga shtyllat kryesore të politikës sonë fiskale, duke mbështetur objektivat strategjikë të Ministrisë së Financave, për rritjen e të ardhurave publike, ruajtjen e ekuilibrave buxhetorë dhe uljen e qëndrueshme të borxhit publik.
Ky parashikim është ndërtuar mbi një bazë të fortë analitike dhe mbi përmirësimin e administrimit fiskal, duke synuar reduktimin e informalitetit dhe rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të ardhurave, në kushtet e një mjedisi ekonomik në zhvillim dhe të risqeve të mundshme që mund të shfaqen gjatë periudhës.

Sa i takon të ardhurave buxhetore për vitin 2027, ato parashikohen në masën 907.9 miliardë lekë (rreth 9.4 miliardë euro) ose sa 30.9% e PBB-së.
Në këtë kuadër edhe të programimit për të ardhurat, ai është bazuar në një analizë të kujdesshme, duke marrë parasysh të gjithë faktorët që ndikojnë në buxhet, duke përfshirë:

  • Efektet e rritjes ekonomike dhe ndikimit të inflacionit,
  • masat e reja të paketës fiskale
  • si dhe zbatimi i masave në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.

Në vitin 2027, të ardhurat nga “Tatimet dhe Doganat” parashikohet të jenë 583.5 miliardë lekë, me një rritje prej 46,8 miliardë lekë krahasuar me të ardhurat e pritshme për vitin 2026. Kjo reflekton pritshmëritë tona pozitive për ecurinë e ekonomisë dhe zbatimi i masave nga miradministrimi tatimor dhe doganor.
Të ardhurat nga Kontributet Shoqërore dhe Shëndetësore parashikohen të jenë 210.3 miliardë lekë, me një rritje prej 9.1 miliardë lekë krahasuar me të ardhurat e pritshme për vitin 2026, ose me një rritje prej 4.5%. Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me zgjerimin e bazës së kontributeve si rezultat i rritjes së pagave, rritjes së deklarimit të pagave nga sektori privat, përmirësimit të administrimit dhe formalizimit të mëtejshëm të tregut të punës.
Sa i takon të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, për vitin 2027, ato parashikohet të jenë rreth 275.4 miliardë lekë, ose 25.5 miliardë lekë ose 10.2% më shumë se pritshmëria e vitit 2026.
TVSH-ja në vitin 2027 përfshin:

  • Rritjen e të ardhurave nga TVSH që gjeneron rritja ekonomike shtesë 8 miliardë lekë dhe indeksi i çmimeve në masën 5.2 miliardë lekë;
  • Efekte nga zbatimi i masave tatimore të mëparshme në vlerën -1.5 miliardë lekë (skema e kompensimit të fermerit);
  • Efektet e Paketës Fiskale 2027 dhe masave buxhetore për vitin 2027, në masën 3.7 miliardë lekë (tvsh nga rritja e akcizës +tvsh nga ulja e pragut minus tvsh nga 6%produktet e shportes plus tvsh nga rritja e normës)
  • Efektet nga zbatimi i masave të SAA për miradminstrimin e TVSH-së, për vitin 2027 në masën 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë;
  • Efekte nga korektime bazuar në faktorë të tjerë në vlerën e 3 miliardë lekë, të tilla si efektet në tvsh nga investimet e mëdha që priten të realizohen në vitin 2027.

Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin pritet të arrijnë në 62.1 miliardë lekë, ose 5.1 miliardë lekë më shumë se pritshmëria e vitit 2026, duke reflektuar efektet e miradministrimit dhe ndryshimet në projektligjin e procedurave tatimore për të rritur pagesën e kësteve të tatimit mbi fitimin.
Të ardhurat nga Akcizat parashikohen të jenë 80.6 miliardë lekë, 9.4% më shumë se i pritshmi i vitit 2026, të mbështetura kryesisht në zbatimin e kalendarit ri të rritjes së akcizës së duhaneve.
Tatimi mbi të ardhurat personale pritet të gjenerojë rreth 107.4 miliardë lekë, me një rritje prej 10.3% ose 10 miliardë lekë më shumë se i pritshmi i vitit 2026.
Të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera”, për vitin 2027 janë parashikuar të arrijnë në rreth 46.5 miliardë lekë një rënie me rreth minus 1.8 miliardë lek ose -3.6% më pak se i pritshmi i vitit 2026, që vjen si rezultat i transferimit të taksës së qarkullimit nga karburantet te mjetet, me një efekt negativ në buxhet me minus 5 miliardë lekë.
Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2026 programohet në vlerën e 11.5 miliardë lekë, me rritje 1 miliardë lekë ose 9.1% më shumë se i pritshmi për vitin 2026.
Ky programim të adhurash mbështetet edhe nga masat e paketës Fiskale 2027, të cilat u miratuan vetëm një ditë më parë në parim, dhe që përfshijnë ndryshime të rëndësishme në legjislacionin fiskal.
Si më kryesoret mund të përmendim:
Projektligji “Për disa shtesa dhe një ndryshim në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, i cili pritet të ketë një efekt prej 1,78 miliardë lekë;
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, i cili pritet që të ketë një efekt për vitin 2027 minus 1.58 miliardë lekë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave  nr. 822, datë 28.10.2026 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Vendimi përcakton uljen e kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga 10  milionë lekë, në vlerën 5  milionë lekë, nga data 1 janar 2027.
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, që pritet të prodhojnë efektet e tyre në të ardhurat e parashikuara për vitin 2027.
Përsa i përket Shpenzimet Buxhetore, ato përbëjnë në fakt edhe pasqyrën më konkrete të prioriteteve tona, që tregojnë edhe mënyrën se si përkthejmë objektivat në politika të matshme ekonomike, si dhe ku shkojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Për vitin 2027, Shpenzimet e Përgjithshme Buxhetore parashikohen në masën 976.1 miliardë lekë, ose rreth 33.3% e Produktit të Brendshëm Bruto. Krahasuar me planin e shpenzimeve të rishikuar përgjatë vitit 2026, shpenzimet buxhetore vijnë me një rritje prej 69.3 miliardë lekë ose 700 milionë euro më shumë shpenzime të planifikuara për vitin 2027 krahasuar me vitin 2026.
Kjo rritje reflekton angazhimin e  Qeverisë për të forcuar mbështetjen sociale, për të mbështetur sektorët strategjikë, si dhe për të garantuar shërbime publike më cilësore për qytetarët tanë.
Në vijim, po marr në analizë komponentët kryesorë të shpenzimeve buxhetore, sipas klasifikimit ekonomik dhe më pas do të ndalem te disa sektorë specifikë.
Shpenzimet e personelit, për vitin 2027 planifikohen në masën 148.5 miliardë lekë, ose rreth 5.1% e PBB-së. Ky financim mbulon koston e administratës publike qendrore për 87,887 punonjës dhe garanton vijimësinë e shërbimeve publike.
Në këtë zë janë parashikuar gjithashtu 3.7 miliardë lekë për politika të reja pagash, me fokus të veçantë te forcimi i kapaciteteve të sektorëve prioritarë dhe te motivimi i strukturave që mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sigurinë publike dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes planifikohen në masën 89.2 miliardë lekë, prej të cilave 85.2 miliardë lekë për qeverisjen qendrore. Këto fonde financojnë funksionimin e përditshëm të institucioneve dhe vijimin e shërbimeve që qytetarët marrin çdo ditë.
Financimi i prioriteteve kryesore nën këtë zë shpenzimesh përfshin:

  • 9 miliardë lekë për mbështetjen e arsimit të lartë ku për vitin 2027 jepet një mbështetje prej 1.1 miliardë lekë për mbështetjen me bursa të studentëve në nevojë dhe për studentët ekselentë;
  • 9 miliardë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe forcimin e sigurisë kibernetike;
  • 3 miliardë lekë për skemat mbështetëse për fermerët dhe zhvillimin rural;
  • 6 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar dhe e aseteve publike;
  • 1 miliard lekë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe sipërmarrjes;

Këto janë shpenzime që garantojnë vazhdimësinë dhe cilësinë e shërbimit publik, por edhe kushtet që investimet kapitale të funksionojnë dhe të japin rezultatet e pritshme.
Zëri i Shpenzimeve për subvencione për vitin 2027 planifikohet në masën 2.45 miliardë lekë. Këto shpenzime përqendrohen në programet e nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, dhe një pjesë të mbulimit të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore.
Shpenzimet për subvencione, krahasuar me vitin 2026, rezultojnë rreth 500 milionë lekë më të larta, ku si zëra më kryesorë mund të përmendim: 1.2 miliardë lekë për nxitjen e punësimit;
Për Strehimin Social janë parashikuar 745 milionë lekë fonde për të vijuar me  zbatimin e skemës për mbështetje me kredi për familjet e pastreha, përfshirë këtu edhe skemën e re me norma interesi të lehtësuara për të punësuarit në administratën publike.
Politikat sociale dhe rritja e mirëqenies përbëjnë një nga shtyllat kryesore të Projektbuxhetit 2027.
Shpenzimet për fondet speciale planifikohen në 313.9 miliardë lekë. Brenda këtij totali, Skema e Sigurimeve Shoqërore financohet me 215.6 miliardë lekë, ose 7.3% e PBB-së.
Për indeksimin dhe politikat e reja të pensioneve parashikohet një fond prej rreth 4 miliardë lekësh, ndërsa 20 miliardë lekë do të financojnë bonusin mujor për pensionistët.
Projektbuxheti siguron gjithashtu financimin e plotë të shtesës natyrore të përfituesve. Në fund të vitit 2027 numri i pensionistëve për të gjitha kategoritë pritet të arrijë rreth 805 mijë persona, ndërsa sistemi do të mbështesë me të ardhura rreth 850 mijë persona, duke përfshirë pensionet publike, pensionet suplementare dhe trajtimet e veçanta.
Për skemën e ndihmës ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuara parashikohen 27.2 miliardë lekë. Synimi është që mbështetja financiare të shoqërohet gjithnjë e më shumë me shërbime sociale, rehabilitim dhe përfshirje në tregun e punës të anëtarëve në moshë pune të familjeve përfituese.
Gjatë vitit 2027 nis zbatimi i politikës së rishikuar të bonusit të bebes, me pagesë mujore për fëmijët nga lindja deri në moshën 5 vjeç, sipas kritereve që do të përcaktohen në kuadrin përkatës ligjor dhe nënligjor.
Vijon gjithashtu mbështetja e veçantë për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë, ku njëri prej tyre është nën moshën 5 vjeç. Për vitin 2027 synohet të përfitojnë rreth 8,500 gra, me një fond prej 870 milionë lekësh.
Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor financohet me 70.8 miliardë lekë, ose 2.4 për qind të PBB-së. Ky financim garanton vijimësinë e kujdesit parësor, shërbimit spitalor, rimbursimit të barnave dhe paketave të trajtimit në institucionet publike dhe jopublike.
Gjatë vitit 2027 do të financohen me prioritet:

  • rreth 7.4 milionë vizita në kujdesin shëndetësor parësor;
  • rimbursimi i barnave për rreth 400 mijë pacientë;
  • zgjerimi i mbështetjes për fishat e diabetit dhe përmirësimi i aksesit në diagnostikim;
  • paketat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë, dializës dhe trajtimeve onkologjike;
  • procedura e trombektomisë për rreth 250 pacientë në vit, me fond 480 milionë lekë;
  • paketa e fertilitetit për 200 çifte dhe ndërhyrja e rikonstruksionit të gjirit për 350 paciente;
  • programet e vaksinimit, depistimit të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës.
  • Investimet në shëndetësi do të vijojnë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e spitaleve, qendrave shëndetësore dhe ambulancave, modernizimin e infrastrukturës digjitale dhe blerjen e pajisjeve mjekësore.

Investimet Publike për vitin 2027 janë planifikuar në masën 6.9% e PBB ose 200.3 miliardë lekë, rreth 24.1 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2026.
Brenda këtij programi përfshihen edhe 14.1 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Këto burime do të lidhen me reforma dhe investime konkrete që përshpejtojnë konvergjencën ekonomike dhe sociale me Bashkimin Europian.
Fondi i Rindërtimit planifikohet në 2 miliardë lekë, ndërsa Fondi Rezervë dhe Kontingjenca në 5.8 miliardë lekë. Për risqet e borxhit dhe luhatjet e normave të interesit e të kursit të këmbimit parashikohet një kontingjencë e veçantë prej 6.85 miliardë lekësh.
Dëshiroj të ritheksoj gjithashtu faktin se shumica dërrmuese e shpenzimeve kapitale për vitin 2027 shkon për financimin e projekteve madhore në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore dhe më konkretisht për projekte, si:

  • Elbasan-Lekaj,
  • By passi i Elbasanit,
  • Zgjerimi i Autostradës Tiranë-Durrës,
  • Rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa,
  • Berat–Ballaban,
  • Qendra e Monitorimit të Trafikut,
  • Hekurudha Tiranë – Rinas – Durrës,
  • Hekurudha Vorë – Hani i Hotit,
  • Projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 14.6 miliardë lekë,
  • Projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 27.2 miliardë lekë.

Për Arsimin, projektbuxheti 2027 synon të përmirësojë aksesin, cilësinë dhe lidhjen e sistemit arsimor me tregun e punës.
Për Arsimin Parauniversitar dhe Universitar alokohen rreth 5.6 miliardë lekë investime.
Më konkretisht, në arsimin parauniversitar do të financohen:

  • tekstet shkollore falas për rreth 215 mijë nxënës të arsimit bazë;
  • transporti falas për rreth 38 mijë nxënës dhe 17 mijë mësues e drejtues institucionesh arsimore;
  • bursa financiare dhe ushqimore për rreth 4 mijë nxënës nga kategoritë sociale në nevojë;
  • ndërtimi, rindërtimi dhe rikonstruksioni i objekteve arsimore, si dhe pajisja e klasave dhe laboratorëve;

Një vëmendje e veçantë i kushtohet arsimit profesional. Objektivi është që numri i nxënësve në arsimin profesional të arrijë rreth 16,200 në vitin 2027 dhe që 68% e të diplomuarve ose të certifikuarve të jenë të punësuar një vit pas përfundimit të studimeve.
Për bujqësinë dhe zhvillimin rural, projektbuxheti 2027 mbështet rritjen e konkurrueshmërisë, sigurinë ushqimore, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit dhe afrimin e sektorit me standardet e Bashkimit Europian.
Mbështetja financiare dhe asistenca teknike për fermerët do të vijojë përmes skemave kombëtare, ndërsa numri i përfituesve nga masat mbështetëse parashikohet të arrijë rreth 43,666 në vitin 2027. Synohet që të paktën 15% e përfituesve të jenë gra.
Projektbuxheti 2027 vijon financimin e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e gatishmërisë për mbrojtjen kombëtare, operacionet e Aleancës dhe përballimin e emergjencave civile.
Për rendin dhe sigurinë publike, për vitin 2027 është parashikuar gjithashtu mbështetja e politikave të reja të pagave për efektivët e Policisë së Shtetit me një efekt financiar prej 3.3 miliardë lekë.
Projektbuxheti 2027 ruan hapësira mbrojtëse për përballimin e risqeve. Shpenzimet për interesa parashikohen në 68.3 miliardë lekë, ose 2.3 për qind të PBB-së, duke përfshirë kontingjencën për risqet e normave të interesit dhe të kursit të këmbimit.
Pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare dhe PPP parashikohen në rreth 10.05 miliardë lekë, ose vetëm 1.3% e të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2026, dukshëm nën kufirin ligjor prej 5%. Monitorimi mujor, raportimi i standardizuar dhe vlerësimi i ndikimit fiskal do të vijojnë të jenë pjesë e menaxhimit të kujdesshëm të këtyre kontratave.
Në përfundim, dëshiroj të nënvizoj se objektivat e Projektbuxhetit 2026 janë plotësisht të harmonizuara me vizionin afatmesëm të qeverisë për periudhën 2027–2029.
Është një dokument i politikave zhvillimore, që ndërthur disiplinën fiskale me ambicien e transformimit ekonomik dhe social të vendit.
Ai synon ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe fiskalë, si garanci për rritje të qëndrueshme ekonomike, duke vijuar me konsolidimin buxhetor dhe uljen graduale të borxhit publik.
Mbi të gjitha, në themel të këtij projektbuxheti është padyshim, shprehja e një drejtimi të qëndrueshëm politik, që i shërben stabilitetit ekonomik, forcimit institucional dhe përmbushjes së aspiratës kombëtare për një Shqipëri moderne, të drejtë dhe plotësisht të integruar në familjen europiane deri në vitin 2030.