Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në Konferencën Rajonale mbi Auditimin e Brendshëm dhe të Jashtëm, e cila u organizua nga Instituti i Audituesve të Brendshëm (AIIA Shqipëria), anëtar i Institutit Global të Audituesve të Brendshëm (IIA Global).
Nën temën: “Fuqia e Bashkëpunimit”, konferenca mblodhi së bashku mbi 300 pjesëmarrës nga afro 20 vende, përfshirë Evropën Juglindore dhe më gjerë, ndërsa i pranishëm ishte dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.
Synimi i kësaj konference ishte avancimi i zbatimit të standardeve të reja ndërkombëtare të auditimit të brendshëm dhe promovimi i bashkëpunimin rajonal ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj vuri theksin në rolin e rëndësishëm që ka auditimi i brendshëm dhe i jashtëm sa i përket rritjes së transparecës dhe qëndrueshmërisë së institucioneve, ndërsa vendet po kalojnë një kohë trnasformimesh dhe pasigurish, si dixhitalizimi, tensionet gjeopolitike, presionet ekonomike dhe rreziqet e ndryshme në zhvillim.
Qeveria shqiptare, tha z. Malaj, ka njohur vazhdimisht nevojën për auditim të brendshëm të fortë për të nxitur përmirësime në qeverisje, për të minimizuar rreziqet dhe për të siguruar që shërbimet publike të ofrohen me integritet dhe korrektësi.
Ministri vuri në dukje faktin se qeveria shqiptare ka ndërmarrë ndër vite përpjekje të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të auditimit të brendshëm në të gjitha institucionet publike, ndërsa mbetet plotësisht e angazhuar për të avancuar efektivitetin, pavarësinë dhe profesionalizmin e funksionit të auditimit të brendshëm në të gjithë entet e sektorit publik.
Nga ana tjetër, Ministri nënvizoi rolin aktiv dhe konstruktiv të Institutit Shqiptar të Audituesve të Brendshëm, si anëtar i rrjetit global të audituesve të brendshëm, në promovimin e standardeve ndërkombëtare, praktikave etike dhe zhvillimit profesional të audituesve në vendin tonë.
Në mënyrë të veçantë, Ministri vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet “Institutit Shqiptar të Audituesve të Brendshëm” dhe Drejtorisë së Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave.
Në këtë kuadër të këtij bashkëpunimi, Ministri informoi se aktualisht po punohet për formalizimin e një Memorandumi Mirëkuptimi, i cili do të hapë rrugën për një partneritet afatgjatë të fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve, nismave të përbashkëta dhe përputhjen e praktikave të auditimit të brendshëm me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kërkesat e BE-së.
“Audituesit janë më shumë se kontrollues të përputhshmërisë, ata janë partnerë të ndryshimit. Pavarësia, profesionalizmi dhe angazhimi i tyre ndaj integritetit janë thelbësore për të siguruar që institucionet publike dhe organizatat private të funksionojnë në mënyrë efektive, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme””, u shpreh Ministri.
Në fund të fjalës së tij, z. Malaj inkurajoi për vijimin e nxitjes së bashkëpunimit përtej kufijve, ekipeve dhe sektorëve pasi, sipas tij: “Vetëm së bashku mund të ndërtojmë institucione më të forta dhe një të ardhme më transparente për rajonin tonë”.
Konferenca Rajonale mbi Auditimin e Brendshëm dhe të Jashtëm u zhvillua në formën e një platformë dialogu mes audituesve të brendshëm dhe të jashtëm, autoriteteve financiare, institucioneve publike dhe përfaqësuesve të sektorit privat. Axhenda përfshiu diskutime mbi transformimin dixhital, ESG, rreziqet në zhvillim dhe të ardhmen e auditimit në një mjedis gjithnjë e më kompleks.
Kontributet nga përfaqësues të lartë të qeverisë dhe autoriteteve financiare, ekspertë ndërkombëtarë dhe drejtues auditimi, theksuan rëndësinë e harmonizimit të praktikave të auditimit me standardet globale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Konferenca përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një komuniteti të fortë, të lidhur dhe të orientuar drejt së ardhmes në fushën e auditimit, që promovon qeverisjen e mirë, transparencën dhe llogaridhënien në rajon dhe më gjerë.