Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë në Takimet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtare dhe Grupit të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në data 16-18 Tetor 2025, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i këtyre takimeve ishte diskutimi në nivel ndërkombëtar i zhvillimeve ekonomike globale, sfidave dhe pritshmërive për të ardhmen.
Ministri Malaj zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të lartë të FMN dhe BB, si: Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Riccardo Ercoli; Drejtorin e FMN për Evropën, z. Alfred Kammer; Drejtorin Ekzekutiv përgjegjës për Shqipërinë në Grupin e Bankës Botërore, z. Matteo Bugamelli; Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës Pranë Bankës Botërore, znj. Antonella Bassani. Po ashtu, Ministri mori pjesë në takimin me dyer të mbyllura të organizuar nga Departamenti Evropian i FMN, me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore.

Ministri Malaj shprehu falënderimet për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që dy institucionet financiare ndërkombëtare kanë dhënë ndër vite për vendin tonë.
Në këto takime, Ministri Malaj bëri një prezantim të treguesve kryesorë makroekonomikë në vendin tonë dhe pritshmërive për të ardhmen, ndërsa shprehu angazhimin e plotë të Ministrisë së Financave për të vijuar konsolidimin fiskal, uljen e borxhit publik dhe zbatimin e reformave të nevojshme për të siguruar një rritje të qëndrueshme të ekonomisë së vendit.

Ministri theksoi se Shqipëria ka përballuar me sukses disa goditje të jashtme dhe Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 4.05 % në vitin 2024, ndërkohë që për gjysmën e parë të vitit 2025 kjo rritje ishte 3.6 %. Norma e papunësisë ra në 9.4 % në vitin 2024, nga 10.1 % që ishte në vitin 2023.
Nga ana tjetër, Investimet e Huaja Direkte janë rritur me 5.5 % në vitin 2024, duke shënuar nivelin e rreth 1.58 miliardë euro, rritje që ka vijuar edhe në 6 mujorin e parë të vitit 2025.

Po ashtu, Ministri Malaj vuri në dukje përparimin e konsiderueshëm që Shqipëria ka bërë në uljen e borxhit dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Borxhi publik, tha z. Malaj, u ul në 54.2 % ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2024, nga 57.5 % që ishte në vitin 2013. Kjo rënie graduale e borxhit vijoi edhe në tremujorin e parë të vitit 2025, kur borxhi shënoi nivelin e 54.02 %, në një kohë që janë ulur edhe shpenzimet për interesa ndaj të ardhurave totale, të cilat priten të ulen edhe për vitin aktual e më tej. Ndërkohë, që nga viti 2019, borxhi publik është ulur me 11 pikë përqindjeje.

Ministri Malaj mori pjesë edhe në aktivitetin e nivelit të lartë “Turizmi i Qëndrueshëm për Punësim, Jetesë dhe Zhvillim”, ku vuri theksin në rrugëtimin e Shqipërisë turistike gjatë viteve të fundit, si dhe transformimin, si një nga destinacionet më dinamikë të Mesdheut.
Gjithashtu, z. Malaj u takua edhe me përfaqësues të disa institucioneve bankare ndërkombëtare, si JP Morgan, dhe agjencive vlerësuese Moody’s dhe Standard& Poor’s, ku u diskutua mbi progresin ekonomik të vendit tonë dhe reformat që po ndërmerren, veçanërisht sa i takon mirëmenaxhimit të borxhit, që janë një tregues i besimit gjithnjë e në rritje të investitorëve të huaj ndaj Shqipërisë.
Ministri Malaj ishte dhe pjesë e takimit të 8-të të Tryezës së Ministerialit për Mbështetjen e Ukrainës, ku u diskutua mbi nevojat emergjente që ka Ukraina si dhe krijimin e mekanizmave ndërkombëtarë për mbështetjen ekonomike.

Një tjetër takim i z. Malaj ishte dhe ai me CEO-n e Fondit Saudit për Zhvillim, z. Sultan Almarshad, me të cilin diskutoi për projektet e rëndësishme infrastrukturore të përfunduara dhe ato që mund të zbatohen më tej në të ardhmen.