Ministria e Financave

Ministri Petrit Malaj: Bujqësia sektor prioritar, qeveria ka rritur mbështetjen financiare për fermerët

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në dëgjesën me fermerët në Divjakë, për Skemën Kombëtare 2026, ku të pranishëm ishin dhe Kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj shprehu angazhimin e qeverisë për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, i cili është një sektor prioritar jo vetëm për numrin e njerëzve që punëson, por edhe për kontributin që ka për ekonominë shqiptare.
Ministri theksoi faktin se mbështetja financiare për sektorin e bujqësisë është rritur ndër vite, nga 34 milionë euro në vitin 2013, në 162 milionë euro në vitin 2025, gati pesëfish më shumë.
“Shifrat janë kokëforta, tregojnë realitetin dhe seriozitetin që ka kjo qeveri në lidhje me sektorin e bujqësisë. Kemi marrë një bujqësi e cila i kishte eksportet rreth 120 milionë euro dhe sot në terma eksporti është mbi 500 milionë euro. Kemi marrë një bujqësi që kishte në sipërfaqe serash 700 hektarë, sot janë trefishuar sipërfaqet e serave, mbi 2100 hektarë. Kemi marrë një bujqësi ku toka e ujitur ishte rreth 120 mijë hektarë dhe këtë vit do të shkojmë rreth 300 mijë hektarë nga 360 mijë hektarë që është totali i sipërfaqes së ujitur në territorin shqiptar”, u shpreh z. Malaj.

Ministri tha se qeveria është e angazhuar të ndërtojë një model i cili synon të mbështesë drejtpërdrejt fermerët dhe është i ngritur në katër komponentë kryesorë:
1.Skema e Granteve, me një fond minimal prej 20 milionë euro për vitin 2026;
2.Skema e Subvencioneve direkte për fermerët, me 31 milionë euro të buxhetuara për vitin 2026;
3 Garancia Sovrane, e cila mundëson për të gjithë fermerët kredi të buta me normë interesi 2 %, me garanci shtetërore rreth 70 % të vlerës së kredisë, në total 30 milionë euro për vitin 2026;
4.Kompensimi i TVSH për të gjithë fermerët, ku nga 1 janari 2026 fermerët do të kompensohen me 10% të vlerës së faturave të shitjes së produkteve bujqësore, dy herë në vit.
“Për çdo produkt që keni filluar të shisni nga data 1 janar 2026 e në vazhdim do të duhet të mblidhni faturat për produktet që çoni te grumbulluesit dhe dy herë në vit, më 30 qershor dhe më datën 1 janar do të çoni faturat pranë autoriteteve tatimore dhe do të kompensoheni me 10 % të vlerës së faturave”, tha z. Malaj.
Nga ana tjetër, Ministri i Financave u shpreh optimist për hapjen e programit IPARD III në shtator, i cili do të sjellë 118 milionë euro shtesë për zhvillimin e bujqësisë.
“Bujqësia ka nevojë për më shumë, por jemi të bindur se jemi në rrugën e duhur për ta bërë bujqësinë shqiptare më konkurruese dhe më të fortë në tregjet evropiane”, përfundoi Ministri Malaj.