Ministria e Financave

Në kuadër të mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Cassa Depositi e Prestiti (CDP), një instrument që synon të zgjerojë fushat e bashkëpunimit, të krijojë instrumente të rinj financimi, si dhe të nxisë partneritetin mes ndërmarrjeve private shqiptare dhe atyre italiane.
Memorandumi u nënshkrua nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj dhe Administratori i Deleguar i Cassa Depositi e Prestiti S.p.A, z. Dario Scannapieco.


Ministri Malaj e konsideroi nënshkrimin e Memorandumit dhe mbledhjen e përbashkët të dy qeverive si një moment historik që dëshmon vullnetin e përbashkët për të forcuar më tej partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, në të gjitha dimensionet e tij politik, ekonomik dhe shoqërore.
Nënshkrimi i Memorandumit përbën një hap të rëndësishëm për thellimin e partneritetit ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë, pasi palët ishin angazhuar në procesin e rishikimit të Marrëveshjes Kuadër dhe të përfshirjes së Cassa Depositi e Prestiti (CDP) si një aktor kyç në bashkëpunimin financiar midis dy vendeve.
Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Shqipërisë, në investime, dhe mbi të gjitha, në procesin tonë të integrimit drejt Bashkimit Europian. Ky partneritet, i ndërtuar mbi besim të ndërsjellë, solidaritet dhe vlera të përbashkëta është thelluar gjatë viteve të fundit, duke sjellë rezultate të prekshme në shumë fusha zhvillimi.