Ministria e Financave

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në seancë plenare programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, ku z. Petrit Malaj do të jetë Ministër i Financave.
Tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë krejt të re të zhvillimi ekonomik, ku Prodhimi i Brendshëm Bruto arrin në mbi 25 miliardë euro ose 2.5 herë më i lartë në krahasim me vitin 2013, ndërsa borxhi publik është ulur në 54% të PBB-së nga 70.4% që ishte në vitin 2013.


Vizioni i programit politik për katër vitet e ardhshme ka në themel një emërues të vetëm, të përbashkët: Shqipëria 2030 – një vend plotësisht i integruar në Bashkimin Europian; një ekonomi moderne dhe konkurruese; një shtet që siguron stabilitet, drejtësi dhe mundësi për çdo qytetar të saj.
Përmes vijimit të reformave të gjithanshme, deri në vitin 2029 parashikohet:
rritje të ardhurave për frymë deri në 15,000 euro;
PBB prej 35 miliardë euro deri në fund të mandatit;
rritje të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, duke garantuar dinjitet për qytetarët në nevojë;
investime publike të qëndrueshme, rreth 5% e PBB-së çdo vit;
rritje të të ardhurave tatimore me mbi 300 milionë euro në vit, përmes zgjerimit të bazës tatimore, digjitalizimit të shërbimeve, si luftës ndaj informalitetit, por pa rritur barrën fiskale mbi qytetarët.
Në këtë frymë, do të çelet një kapitull i ri bashkëpunimi edhe me sipërmarrjen përmes marrëveshjeve disa-vjeçare të lehtësimit tatimor, si dhe përmes “Paqes Fiskale” 2026–2029.
Do të vijojë politika e taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029, ndërkohë që do të zbatohet reforma e taksës mbi pasuritë e paluajtshme, të bazuar mbi vlerën reale të tregut.
Nga ana tjetër, do të vijojë mbështetja për fermerët me një skemë të re të TVSH-së sipas praktikave të BE-së, që do të sjellë mbi 1.5 miliardë lekë transferta direkte çdo vit te fermerët vendas.
Objektivi strategjik është garantimi i stabilitetit makroekonomik, ulja e borxhit publik drejt 50% të PBB-së deri në vitin 2030, dhe ndërtimi i një sistemi fiskal modern, transparent e në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian.