Ministria e Financave

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024” dhe projektligjet e paketës fiskale që e shoqërojnë atë.

Projektbuxheti 2024 synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor, si edhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal.

Të ardhurat buxhetore të planifikuara në vitin 2024 janë 674.6 miliardë lekë ose 27.7% të Produktit të Brendshëm Bruto.

Në projektbuxhetin e vitit 2024 janë parashikuar të shpenzohen 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 30.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2023.

Shpenzimet Buxhetore për vitin 2024 mbështesin rritjen e mëtejshme të pagave në administratën publike.

Investimet Publike janë planifikuar në masën 5.3% të Produktit të Brendshëm Bruto ose 128.5 miliardë lekë. Në këtë fond, përfshihet dhe fondi i rindërtimit nga tërmeti në shumën 7 miliardë lekë.

Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33.4% të shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.

Projektbuxheti i vitit 2024 parashikon rreth 26.2 miliardë lekë për drejtësinë, 4.2 miliardë lekë më shumë se buxheti i vitit 2023.

Sa i përket Buxhetit Vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023.

Projektbuxheti 2024 mbështet sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura dhe energjia, etj.

Për vitin 2024, deficiti buxhetor planifikohet në nivelin 2.5% të PBB. Balanca primare, në përputhje me rregullin fiskal të parashikuar në Ligjin Organik të Buxhetit, planifikohet 0.2%, ndërsa borxhi publik projektohet të zbresë poshtë nivelit 60%.