Ministria e Financave

Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi sot Marrëveshjen e Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të programit të Financimit të Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF).
Marrëveshja parashikon një financim prej 302 milionë dollarësh amerikanë, i cili do të përdoret për modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura përmes programit Foreign Military Sales (FMS), duke financuar pajisje, sisteme dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s.

Financimi do të disbursohet gradualisht, në përputhje me nevojat konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes dhe me miratimin e autoriteteve amerikane, ndërsa përdorimi i fondeve do të monitorohet nga DSCA, duke garantuar transparencë dhe administrim të përgjegjshëm të këtij financimi.
Me një rëndësi të veçantë janë edhe garancitë që ofron kjo marrëveshje:
Financimi do të disbursohet gradualisht, vetëm sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pas miratimit të kontratave nga autoritetet amerikane;
Shqipëria do të ketë 48 muaj për të angazhuar fondet në projektet e modernizimit;
Kredia ka një afat maksimal shlyerjeje deri në 12 vjet, me mundësi periudhe grace deri në një vit;
Marrëveshja i jep Shqipërisë të drejtën të kryejë parapagime pa penalitete, duke ruajtur fleksibilitetin në administrimin e borxhit publik;
Çdo përdorim i fondeve do të miratohet dhe monitorohet nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), duke garantuar transparencë të plotë dhe përdorim të kontrolluar të financimit;
Ratifikimi i marrëveshjes përbën një hap të rëndësishëm të vendit tonë në forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, dhe konfirmon besimin që partnerët tanë kanë tek Shqipëria si një faktor stabiliteti dhe një aleate e denjë në NATO