Ministria e Financave

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në seancë plenare katër projektligje të propozuara nga Ministria e Financave, të cilat u prezantuan fillimisht nga Ministri z. Petrit Malaj.
Përmes tre projektligjeve sigurohet financimi i një prej projekteve më të rëndësishëm hekurudhorë në vend, ai i rehabilitimit dhe modernizimit të linjës Durrës – Rrogozhinë.
Konkretisht: Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri””;
Projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri”, dhe;
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Korridori hekurudhor VIII, faza I – seksioni Durrës – Rrogozhinë””.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi faktin se ky projekt përbën një investim strategjik në garantimin e një ndërlidhjeje kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa shënon fazën e parë të funksionimit të Korridorit Hekurudhor VIII.
Ministri informoi se kostoja totale e projektit parashikohet në vlerën e rreth 120.5 milionë eurove dhe do të financohet përmes një bashkëpunimi të ngushtë me institucionet financiare ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian,
që përfshin konkretisht:
Një kredi në vlerën prej 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH);
Një kredi tjetër prej 30 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime (BEI) përmes kontratës financiare për projektin “Infrastruktura Hekurudhore e Korridorit VIII, Faza I – Shqipëri”;
Një grant në shumën prej 60.5 milionë euro i akorduar nga Bashkimi Evropian përmes Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Projektligji tjetër i prezantuar nga Ministri është ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., (KESH, sh.a.) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin fotovoltaik (FV) solar nga 2 KESH-i”.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj informoi se projekti do të financohet nga një hua në vlerën prej 30 milionë euro nga BERZH dhe nga një grant prej 9.58 milionë euro, i siguruar nga Instrumenti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
Ministri Malaj theksoi faktin se zbatimi i këtij projekti do të sjellë përfitime thelbësore, pasi rrit sigurinë energjetike, nxit zhvillimin ekonomik, ndikon në rritjen e punësimit dhe kontribuon në mbrojtjen e mjedisit, përmes energjisë së pastër.