Ministria e Financave

Ministri i Financave z.Petrit Malaj dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural znj.Anila Denaj zhvilluan një takim të përbashkët me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Bankave për të diskutuar mbi aspektet teknike të zbatimit të Garancisë së re Sovrane për sektorin e bujqësisë, të miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare.


Garancia Sovrane me fond prej 3 miliardë lekësh, ose 30 milionë euro është një instrument i cili do të vihet në shërbim të sektorit privat me qëllim lehtësimin e aksesit në financë për fermerët dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Normat që parashikohen për këtë skemë do të jenë tejet të favorshme dhe me mbulim deri në 70% të principalit të kredisë, shuma e së cilës nuk do të kalojë 25 milionë lekë për secilin prej subjekteve aplikuese.
Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme do të kenë mundësi që këtë Garanci Sovrane ta kombinojnë edhe me produktin e Bankës së Shqipërisë duke përfituar më shumë mundësi dhe një akses më të madh financiar me fokus investimet që rrisin kapacitetin dhe cilësinë prodhuese në agropërpunim, modernizimin e mekanikës bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë etj..
Kjo është Garancia e pestë Sovrane që qeveria shqiptare vë në dispozicion të sipërmarrjeve private, si një mundësi për likuiditet të shtuar, me shtetin si garantues.
Ministria e Financave, ka në fokus të saj forcimin e partneritetit me bankat e nivelit të dytë në dobi të rritjes së aksesit në financë, por edhe ruajtjen e parametrave që garantojnë qëndrueshmërinë e borxhit publik.