Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, z. Ilir Binaj, zhvilluan sot një konferencë për shtyp mbi rezultatet e deritanishme të Planit Sektorial për Formalizimin e Ndërtimit, në kuadër të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027.
Në fillim të fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se lufta kundër informalitetit mbetet një prioritet kyç i qeverisë, me synim garantimin e konkurrencës së ndershme, mbrojtjen e konsumatorëve dhe forcimin e skemës së sigurimeve shoqërore, pa ndryshuar normat tatimore.
Objektivat e Administratës Tatimore përmes planit sektorial të ndërtimit, tha z. Malaj, orientohen kryesisht te formalizimi i tregut të punës, deklarimi real i pagave, por edhe te rritja e deklarimeve dhe qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në këtë sektor.
“Në themel të punës sonë nuk është ndëshkimi i bizneseve, por është ndërgjegjësimi i tyre në mënyrë që të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet tatimore”, u shpreh z. Malaj.

Në kuadër të rritjes së ndërgjegjësimit dhe përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, në muajin nëntor 2025, Administrata Tatimore dërgoi 13,418 mesazhe informuese për subjektet e ndërtimit dhe zinxhirin e tyre furnizues. Si rezultat:

  • Për 118,000 të punësuar në sektorin e ndërtimit, në dhjetor 2025, u rrit fondi i pagave me 9%, krahasuar me shtator 2025, duke arritur në rreth 78 milionë euro;
  • Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore u rritën me 4 % në dhjetor 2025, krahasuar shtator 2025;
  • U ul me 7 % numri i punonjësve që paguhen midis fashës 400-500 euro;
  • U rrit me 18 % numri i punonjësve që paguhen mes fashave 700-1000 euro dhe me mbi 10 % i atyre që paguhen mbi 120.000 lekë.

Ministri Malaj bëri të ditur se subjektet që nuk kanë reflektuar do t’i nënshtrohen kontrolleve të thelluara, duke ritheksuar se qëllimi i institucioneve nuk është ndëshkimi, por ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme, konkurruese dhe të formalizuar, në përputhje me procesin e integrimit europian.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve theksoi se qëllimi i Administratës Tatimore është edukimi i bizneseve drejt formalizimit dhe jo penalizimi i tyre, por në rastet kur nuk ka reflektim do të merren masat përkatëse në përputhje me legjislacionin tatimor. Z. Binaj informoi se aksioni i administratës tatimore për formalizimin e sektorit të ndërtimit do të përfundojë në 23 maj të këtij viti dhe, përveç ndërtimit, në fokus të përpjekjes së vazhdueshme për formalizimin e tregut do të vazhdojë të mbetet turizmi dhe siguria ushqimore, për të cilat po përgatiten planet operacionale specifike.

Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:

Përshëndetje të gjithëve,
Në radhë të parë ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj dhe duke qenë se jemi në fillim viti më lejoni t’ju përcjell urimet më të mira dhe natyrisht edhe sa më shumë lajme të mira për ekonominë shqiptare për këtë vit.
Sot jemi përpara jush me Drejtorin e Përgjithshë të Tatimeve z.Ilir Binaj, për të ndarë së bashku një nga aspektet më të rëndësishme siç është angazhimi ynë në luftën kundër informalitetit, me qëllim jo vetëm garantimin e një konkurrence të ndershme, por edhe mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë.
Sikurse jeni në dijeni, ne jemi tashmë në vitin e dytë të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, e cila do të shtrihet deri në vitin 2027.
Zbatimi i kësaj Strategjie, e cila është e dakordësuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bashkimin Europian synon, jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe një administrim më të mirë fiskal, natyrisht pa ndryshuar normat tatimore përgjatë periudhës që do të shtrihet kjo strategji.
Pjesë e objektivave të kësaj strategjie është padyshim edhe rritja e formalizimit në sektorët kyç të ekonomisë, por që rezultojnë me risk më të lartë, siç është sektori i turizmit apo dhe sektori i ndërtimit.
Dëshirojmë të ndajmë me ju dhe nëpërmjet jush edhe me publikun e gjerë disa nga masat konkrete, që si ne Ministri e Financave, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, jemi duke ndërmarrë në linjë me Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave.
Rezultatet tejet pozitive që arritëm vitin e kaluar, në luftën kundër informalitetit në sektorin e turizmit, ishin pikërisht një pikënisje e mirë e cila konfirmon edhe një herë potencialin që ka ky sektor, si një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit. Më konkretisht:

  • Numri mesatar i punonjësve për periudhën maj – shtator 2025 u rrit me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra maj-shtator 2024;
  • Fondi i pagave në këtë sektor u rrit me 18%, duke arritur në rreth 162 milionë euro;
  • Të njëjtin trend rritës kanë pasur edhe kontributet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 18%, duke arritur në 46 milionë euro;
  • Në sektorin e turizmit kemi edhe një rritje të arkëtimit të TVSH-së në masën 22%, duke arritur në rreth 40 milionë euro.

E bëra këtë paraqitje të këtyre shifrave, pasi kjo qasje duhet të vlejë edhe për sektorin e ndërtimit, i cili kërkon gjithashtu një angazhim të shtuar për të siguruar zbatimin e ligjit dhe operimin e këtij sektori sipas kërkesave të tregut.
Përse e them këtë?
Vetëm pak kohë më parë, Administrata Tatimore, nga një aksion që ushtroi në aktivitetin e disa prej agjencive më të mëdha imobiliare në vend, ka evidentuar shkelje të rënda.
Këto shkelje nuk janë vetëm një dëm i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit, por është një dëm që shkaktohet edhe ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët në jo pak raste janë përballur me mungesë transparence të çmimeve apo me moslëshimin e faturave. Shkeljet kanë të bëjnë edhe me punonjësit që punojnë në këto agjenci imobiliare, të cilëve ju mohohet deklarimi i pagave reale, duke kontribuar më pak në skemën e pensioneve, të cilat më pas përkthehen në pensione më të ulëta në një moment të dytë.
Ndaj dhe objektivat e Administratës Tatimore për këtë plan sektorial do të orientohen kryesisht në formalizimin e tregut të punës, në deklarimin e pagave reale, por natyrisht edhe në rritjen e deklarimeve dhe të qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimit.
Sipas planit sektorial, në sektorin e ndërtimit ne kemi evidentuar 8,784 subjekte aktive, pjesa më e madhe e të cilave ushtrojnë aktivitetin në Tiranë dhe në Durrës.
Është konstatuar se nga ky numër total i këtyre subjekteve, rreth  25% e tyre i paguajnë punonjësve paga të cilat variojnë nga 400 deri në 500 euro. Për fat të keq, shifra 25 % e 8,784 subjekteve është një shifër tepër e lartë, në një kohë kur të gjithë jemi të vetëdijshëm se tregu ofron krejtësisht paga të tjera, të cilat janë më të larta.
Nisur nga këto të dhëna të grumbulluara, Administrata Tatimore, në muajin nëntor 2025, ndërmori një nismë të ndërgjegjësimit të këtyre subjekteve, pasi në themel të punës sonë nuk është ndëshkimi i bizneseve, por është ndërgjegjësimi i tyre në mënyrë që të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet tatimore.
Janë dërguar 13,418 mesazhe të personalizuara ndaj subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit, apo ato biznese që janë të angazhuara në zinxhirin furnizues të këtij sektori.
Pas mesazheve ndërgjegjësuese, një pjesë e mirë e subjekteve kanë reflektuar dhe më konkretisht :

  • Për 118,000 të punësuar në sektorin e ndërtimit, në dhjetor 2025, kemi patur një rritje të fondit të pagave me 9%, krahasuar me muajin shtator 2025, duke arritur në rreth 78 milionë euro.
  • Po kështu, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në muajin dhjetor 2025, u rritën me 4% krahasuar me muajin shtator 2025.
  • Nga ana tjetër, kemi pasur edhe një reflektim pozitiv përsa i përket uljes së numrit të punonjësve të cilët paguhen midis fashës 400-500 euro. Ulja e këtij numri ka qenë modeste, 7 %, që është një sinjal pozitiv, por jo i mjaftueshëm. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pikërisht pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin me të cilin përballet sektori i ndërtimit.
  • Një tjetër lajm pozitiv është që pas mesazheve ndërgjegjësuese të dërguara nga Administrata Tatimore kemi një rritje të numrit të punonjësve të cilët paguhen midis fashave 700 dhe 1000 euro, dhe kjo rritje ka qenë rreth 18 %, ndërkohë që kemi edhe një rritje të pagave të punonjësve që paguhen mbi 120.000 lekë dhe kjo rritje ka qenë domethënëse, mbi 10 %.

Megjithatë ka ende subjekte të cilat nuk kanë reflektuar ndaj mesazheve të ndërgjegjësimit që ka dërguar Administrata Tatimore. Këto subjekte tashmë janë identifikuar dhe do të jenë objekt kontrolli i thelluar nga Administrata Tatimore.
Ndaj, gjej edhe rastin në këtë konferencë, që t’ju bëj edhe një thirrje të fundit këtyre subjekteve që të bëjnë reflektimet e duhura dhe të përmbushin vullnetarisht të gjitha detyrimet që ua ngarkon ligji.

Faleminderit.