Ministria e Financave

Fjala e Ministrit të Financave Petrit Malaj në Kuvend, diskutimi në parim i Projektbuxhetit 2026 dhe Paketës Fiskale:

Jam i nderuar që sot në këtë seancë plenare paraqesim për diskutim dhe miratim në parim Projektbuxhetin e vitit 2026.
Ky projektbuxhet është kontrata jonë me qytetarët e Shqipërisë.
Qëllimi ynë është të ndërtojmë një vend që ofron më shumë dinjitet për pensionistët, një vend ku të rinjtë kanë më shumë mundësi për punësim dhe biznes, ku ekonomia qëndron mbi baza të forta, ku sipërmarrja çel një marrëdhënie të re me shtetin dhe një kapitull të ri drejt integrimit të Shqipërisë në BE.

Ky projektbuxhet i përgjigjet të gjitha premtimeve tona dhe e përgatit vendin për një integrim të plotë në Bashkimin Evropian.
Ndaj ky projektbuxhet nuk është thjesht dhe vetëm një plan të ardhurash dhe shpenzimesh, por është arkitektura mbi të cilën mbështeten objektivat strategjikë të kësaj qeverie, për periudhën 2025–2029. Projektbuxheti 2026 bazohet mbi katër shtylla kryesore:
Mirëqenia dhe mbrojtja sociale;
Integrimi europian;
Rritja ekonomike e qëndrueshme;
dhe Konsolidimi fiskal;
Për herë të parë, të ardhurat e shtetit tonë parashikohen të arrijnë në rreth 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe investimet publike në 6.5% të PBB-së.
Këto nuk janë thjesht vetëm shifra. Janë tregues, se kjo qeveri nuk e ka ndalur punën e saj për të ndërtuar një ekonomi që financon zhvillimin pa i rritur barrën qytetarëve, që administron me kujdes, që shpenzon me prioritet dhe investon me vizion.
I moshuari, arsimtari, mjeku, polici, ushtari, janë prioritetet tona.
Pensionet janë kryefjala jonë.
Ne të gjithë kemi prindër, gjyshër, të afërm, që kanë punuar një jetë për këtë vend. Ata meritojnë më shumë vëmendje dhe dinjitet.
Jua kemi borxh! Dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë.
Sa herë kemi ndërmarrë një masë për këtë shtresë të nderuar, dhe të tilla kjo qeveri ka marrë shumë vitet e fundit, e dinim se asnjëherë nuk ishte mjaftueshëm.
Nuk është natyrisht as sot.
Por, jemi në rrugën e duhur.
Ekonomia në rritje dhe financat e qëndrueshme na e mundësuan këtë. Reformat që po ndërmarrim na lejojnë që të ndërmarrim këtë hap të rëndësishëm, pa cënuar fondamentet, pa rënë në gabimin e premtimeve boshe e të pamenduara në terma afatgjatë.
Në fund të këtij viti, pensionistët tanë të nderuar, sikundër e kemi premtuar, do të marrin Bonusin e Fundvitit.
Në fillim të vitit që vjen, përtej indeksimit vjetor që zbatohet rregullisht, do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve, për të arritur deri në fund të mandatit:
Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë nga 27,350 lekë që është sot.
Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë nga 15,850 lekë që është sot.
Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11,500 që është sot.
Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë nga 11,400 lekë që është sot.
Pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë që është aktualisht.
Efekti financiar i parashikuar për këtë masë për vitin 2026 është rreth 10.4 miliardë lekë dhe do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit. Në fund të mandatit, efekti kumulativ i kësaj reforme të pensioneve që jemi duke ndërmarrë, për periudhën 2026-2030 llogaritet në rreth 1.7 miliardë euro.
Kjo nuk është thjesht politikë buxhetore, nuk është thjesht një masë sociale, por është vlerësim dhe mirënjohje.
Projektbuxheti 2026, përveç pensioneve parashikon edhe rritje të pagave.
Do të rritet paga minimale, por do të rriten edhe pagat për punonjësit e sektorit mbështetës, pagat e mësuesve, të mjekëve, të infermierëve, të punonjësve të rendit, të ushtarakëve. Pra, nga njëra anë rrisim pagat e po ashtu mbrojmë edhe fuqinë blerëse.
Duke filluar nga 1 janari 2026, Paga Minimale për efekt të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore do të rritet me 10,000 lekë, duke arritur në 50,000 lekë. Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat.
Parashikimi ynë afatmesëm është për ta çuar pagën minimale në
60,000 lekë në vitin 2028;
dhe 70,000 lekë deri në fund të mandatit.
Përmes kësaj politike ne synojmë të afrojmë Shqipërinë me vendet e tjera, në rajon dhe me gjerë; të motivojmë të rinjtë për t’u integruar në tregun e punës, si dhe të nxisim rritjen e produktivitetit.
Një tjetër element risi i këtij projektbuxheti është zbatimi i indeksimit periodik të pagave në administratën publike, duke e bërë sistemin e kompensimit më fleksibël dhe të lidhur me ndryshimet e normës së inflacionit.
Gjithashtu, janë parashikuar rritje të diferencuara pagash, për të mbështetur në masë më të lartë punonjësit e sektorit mbështetës, por edhe kategori të tjera, kjo me synimin për të garantuar një shpërndarje më të drejtë të kompensimit në nivele të ndryshme të strukturës së Administratës Publike.
Kostoja e përgjithshme e këtyre ndërhyrjeve në paga, përfshirë rritjen e pagës minimale dhe indeksimin periodik është vlerësuar në rreth 10 miliardë lekë dhe nga kjo masë do të përfitojnë mbi 144 mijë punonjës të administratës qendrore dhe vendore.
Të nderuar deputetë,
Sikundër e ceka edhe më herët, nuk do të mund të ndërmerrnim këto politika, nëse më parë nuk do të kishim siguruar qëndrueshmërinë e fondamenteve të ekonomisë sonë.
Për vitin që po mbyllet, rritja ekonomike parashikohet në 3.9% në terma vjetorë, duke reflektuar rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në misionit e tij të radhës, vetëm pak ditë më parë, theksoi qartësisht se Shqipëria, vazhdon të dallohet si një prej ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë.
Për këtë, kontribut të rëndësishëm ka dhënë rritja e kërkesës së brendshme, konsumi privat, investimet, ecuria e mirë e eksporteve të shërbimeve, në veçanti turizmi, që padyshim mbetet një nga motorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë. Edhe për periudhën afatmesme, 2026-2028, ne jemi optimistë pasi parashikojmë një rritje mesatarisht në 4%/vit.
Shkalla e papunësisë ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 8.5% në tremujorin e dytë të vitit 2025. Pjesëmarrja në forcat e punës është rritur më tej, duke arritur në 75.7% dhe norma e punësimit në 68.5%. Këta tregues dëshmojnë se ekonomia po krijon më shumë mundësi punësimi dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për fuqinë punëtore.
Inflacioni ka ndjekur një trajektore rënëse dhe të qëndrueshme. Pas kulmit që arriti në vitin 2022, inflacioni mesatar ra në 2.2% gjatë vitit 2024 dhe ka qëndruar në të njëjtin nivel edhe gjatë 9-mujorit të vitit 2025. Ky stabilitet reflekton normalizimin e çmimeve të mallrave, forcimin e monedhës vendase dhe efektet e politikave të kujdesshme monetare e fiskale.
Sa i takon Investimeve të Huaja Direkte, ato u rritën me 7% në vitin 2024, trend i cili u ruajt edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025. Flukset hyrëse të investimeve të huaja kanë qenë të përqendruara kryesisht në pasuritë e paluajtshme, duke reflektuar zhvillimet dhe pritshmëritë pozitive për sektorin e turizmit, sektorin e ndërmjetësimit financiar, energjinë, hidrokarburet dhe telekomunikacionin.
Në tërësi, këto rezultate dëshmojnë se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme drejt forcimit të stabilitetit ekonomik dhe fiskal, duke siguruar një klimë më të favorshme për investime, si dhe duke afruar ekonominë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Financat publike mbeten shtylla kryesore e këtij stabiliteti, përmes menaxhimit të disiplinuar dhe borxhit publik në ulje të vazhdueshme.
Kjo është reflektuar edhe te besimi që partnerët ndërkombëtarë dhe tregjet financiare kanë ndaj vendit tonë. Agjencitë më prestigjioze të vlerësimit, si Standard & Poor’s dhe Moody’s, kanë rikonfirmuar me nota pozitive kreditin e Shqipërisë — “BB” dhe “Ba3”, të dyja me perspektivë të qëndrueshme.
Edhe në projektbuxhetin 2026 do të vijohet me objektivin thelbësor të politikës fiskale, atë të reduktimit të borxhit publik.
Ky borxhi publik pritet të ulet në 53.6% të PBB-së, nga 54.1% e pritshme në vitin 2025, në përputhje të plotë me ligjin organik të buxhetit. Trajektorja rënëse do të vijojë edhe në vitet në vijim.
Kjo tregon qartazi konsolidimin fiskal, një proces i qëndrueshëm që tregon stabilitet dhe ul gradualisht ekspozimin e financave publike ndaj rreziqeve të borxhit.
Të nderuar Deputetë,
Dëshiroj tani të ndalem tek Paketa Fiskale, si shoqëruese e projektbuxhetit.
Përpara sesa të paraqes në mënyrë të përmbledhur propozimet e parashikuara, më lejoni të theksoj se kjo Paketë Fiskale nuk parashikon rritje taksash. Përmes saj synojmë të krijojmë një kuadër fiskal më transparent, më të thjeshtë dhe më eficient.
Paketa fiskale mbështet sektorët prioritarë, nxit formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe përmirëson ndjeshëm administrimin tatimor bazuar në rregulla të qarta dhe në barazinë fiskale.
Më lejoni ta nis paraqitjen e kësaj Pakete me dy projektligjet më të rëndësishme, të asaj që tashmë njihet si “Paqja Fiskale’’ dhe përfshin: Projektligjin për “Marëveshjen e Paqes’’ dhe projektligjin për “Faljen e deyrimeve tatimore dhe doganore”.
Këto dy projekligje janë bërë shkas edhe për keqinterpretime. Por, e vërteta është shumë e thjeshtë: Ne nuk po ndërmarrim një Amnisti.
Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’, nuk falim asnjë përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore.
Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë fiskal.
Gjithashtu, me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Administrata Tatimore, nga ana tjetër, po vijon punën për të forcuar masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, duke zbatuar masa që shkojnë deri në bllokime të llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve, për të mbuluar detyrimet tatimore.
Më konkretisht mund të themi se:
Marrëveshja e Paqes Fiskale, e cila do të zbatohet për periudhën 2026-2028, synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare.
Ky model është bazuar në disa elementë e parime të Paqes Fiskale, që Italia ka aplikuar në vitin 2018.
Projektligji i faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore, parashikon fshirjen plotësisht të çdo borxhi që është më i vjetër se 10 vjet.
për borxhet me vjetërsi 5 – 10 vjet ofrohet mundësia që, duke marrë në konsideratë edhe gjendjen financiare, kundrejt një pagese të detyrimit tatimor në masën 50% ose në masën 75%, biznesit do, t’i falet pjesa tjetër e borxhit, si dhe gjobat e kamatvonesat;
ndërsa për borxhet me vjetërsi nga 0 deri në 5 vjet, do të fshihen gjobat e kamatvonesat, kundrejt pagimit 100% të detyrimit tatimor. (pagesa brenda 31/12/2026)
Ritheksoj edhe një herë se me këtë projektligj, ne nuk parashikojmë të falim detyrimet e papaguara të evazorëve që janë në ndjekje penale, ndaj atyre të cilëve ka nisur një hetim tatimor, apo për bizneset që ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat.
Ndaj ky është shansi i fundit që ne ju japim debitorëve, përpara se sa të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve tatimore.
Nga ana tjetër, kjo “Paketë Fiskale” parashikon edhe disa lehtësi të tjera.
Për herë të parë përfshihet një skemë kompensimi në masën 10% të TVSH-së, si një instrument i qartë që garanton mbështetjeje të drejtëpërdrejtë për fermerët.
Për vitin 2026 parashikojmë që minimalisht 1.5 miliardë lekë apo 15 milionë euro do t’ju mbeten në duar fermerëve. Ndërsa deri në vitin 2027 ky fond i mbështetjes pritet të arrijë në masën 30 milionë euro në vit.
Pra, fermeri do të të kompensohet me një normë prej 10% të vlerës së faturave të shitjes së mallit të tij te grumbulluesi, përpunuesi dhe/apo te agrobiznesi.
Kompensimi i shumave do të bëhet nga Administrata Tatimore mbi bazë 6-mujore.
Vijmë te një tjetër reformë, ajo e Rivlerësimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të përcaktimit të metodologjisë për çmimeve të reja të referencës për të gjithë territorin e vendit.
Jo pa qëllim, Ministria e Financave gjykoi që këto dy nisma të prezantoheshin paralelisht, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të kishin mundësi të përfitonin nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, duke i përafruar ato me vlerat e tregut, por nga ana tjetër do të kenë mundësinë ta kryejnë këtë rivlerësim me një normë më të reduktuar tatimore në masën 5% nga 15% që është aktualisht.
Ndalemi pak edhe tek disa propozime që synojnë të disiplinojnë veprimtaritë tregtare, kryesisht në ekonominë e ditëve të sotme që po bëhet gjithnjë e më shumë e digjitalizuar. Vendosim për herë të parë detyrimin që bizneset online të publikojnë të dhënat identifikuese (Emri tregtar, NIPT, adresa, etj). Kjo është një masë që ne e konsiderojmë të drejtë dhe të domosdoshme dhe që i shërben konsumatorëve. Nga ana tjetër kemi parashikuar edhe ashpërsimin e ndëshkimeve për aktivitetet tregtare pa regjistrim, si një garanci më shumë për mbrojtjen e konkurrencës së ndershme.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme, që është edhe një nga prioritetet tona, është ulja e përdorimit të parasë cash. Ndaj me propozimet që parashikohen, hedhim hapa konkretë, për ta çuar Shqipërinë në standardet e ekonomive, ku transaksionet janë të gjurmueshme, të sigurta dhe të formalizuara. Në këtë Paketë janë parashikuar 4 masa që synojnë të reduktojnë transaksionet cash, biznes me biznes dhe biznes me konsumator.
mbështetje të kulturës, sportit dhe kërkimin shkencor, parashikojmë që nëpërmjet disa masave të zgjerojmë kategoritë përfituese nga sponsorizimet dhe gjithashtu njohjen e të ardhurave nga sponsorizimet, si të ardhura të përjashtuara nga tatimi.
Në Paketën Fiskale propozohet edhe përjashtimi nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë e investimeve të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtes sociale.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme:
Duke filluar nga viti i ardhshëm do të fillojë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, ku nëpërmjet Deklaratës Individuale të të Ardhurave/DIVA, t’ju vijmë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18 vjeç.
Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave shumën 48.000 lekë për çdo fëmijë.
Kjo do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet ulet ndjeshëm.
Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare.
Të nderuar deputetë,
Pas paraqitjes së Paketës Fiskale, më lejoni të ndalem te :
TË ARDHURAT BUXHETORE për vitin 2026 parashikohen në masën 823.1 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me vitin 2025, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen me rreth 52.9 miliardë lekë më shumë.
Për vitin 2026, të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat parashikohen të arrijnë në 531,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 31.5 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 6.3% dhe reflekton pritshmëritë pozitive për ecurinë e ekonomisë dhe efektet e politikave fiskale në fuqi.
Në të njëjtën linjë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore parashikohen të jenë rreth 197,9 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 20,1 miliardë lekë ose 11.4% në krahasim me vitin 2025.
Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me zgjerimin e bazës së kontributeve si rezultat i rritjes së pagave, përmirësimit të administrimit dhe formalizimit të mëtejshëm të tregut të punës.
Në vlerësimin e faktorëve që ndikojnë në realizimin e të ardhurave për vitin 2026, janë konsideruar disa elementë kryesorë, si:
Efektet e rritjes ekonomike;
Indeksi i çmimeve;
Ndikimi i politikave tatimore dhe buxhetore nga zbatimi i “Projektligjit të faljes”;
si dhe zbatimi i masave në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
Këto elementë, të kombinuar me përmirësimin e administrimit fiskal dhe doganor, pritet të sjellin një rritje të qëndrueshme të të ardhurave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Po rendis shkurtimisht disa zëra të tjerë të të ardhurave buxhetore:
Sa i takon të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, për vitin 2026 ato parashikohet të arrijnë në rreth 242,5 miliardë lekë, me një rritje prej 15.9 miliardë lekë më shumë se viti 2025.
Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin pritet të arrijnë në 65,1 miliardë lekë, me një rritje 4. 7 miliardë lekë më shumë se sa viti 2025.
Tatimi mbi të ardhurat personale pritet të gjenerojë rreth 88,3 miliardë lekë, me një rritje 4.1 miliardë lekë, si rezultat i rritjes së pagave, formalizimit të mëtejshëm të tregut të punës dhe politikave mbështetëse për punësimin.
Në lidhje me SHPENZIMET BUXHETORE, ato përbëjnë pasqyrën më konkrete të prioriteteve tona qeverisëse dhe tregojnë, mënyrën se si përkthejmë objektivat politike në indikatorë të matshëm ekonomikë, si dhe se ku shkojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Ky prezantim është i rëndësishëm, jo vetëm sa i takon shifrave, por edhe sepse ato paraqesin vizionin politik dhe ekonomik, që qëndron pas tyre, duke demostruar një buxhet që ndërtohet mbi stabilitetin fiskal, rritjen e qëndrueshme dhe angazhimin për zhvillim social të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Në vitin 2026, Shpenzimet Buxhetore, parashikohen në vlerën 886.8 miliardë lekësh, ose 31.9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025. Pra kemi një rritje me rreth 550 milionë euro më shumë në 2026 në krahasim me vitin 2025.
Kjo rritje reflekton angazhimin e Qeverisë për të forcuar shtetin social, për të mbështetur sektorët strategjikë, si dhe për të garantuar shërbime publike më cilësore për qytetarët.
Investimet publike do të jenë mesatarisht 6.5% e PBB gjatë 2026-2028, të përqendruara në projekte strategjike për infrastrukturën, digjitalizimin dhe energjinë e rinovueshme, si dhe projekte që janë pjesë e Planit të Rritjes së BE.
Shpenzimet e personelit për vitin 2026 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, koston e plotë të indeksimit të pagave në nivelin 2.5%, si dhe efektet e hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 50 mijë lekë në muaj nga 1 janar 2026. Sikundër e përmenda edhe në fillim të fjalës sime, kostoja totale e rritjes së pagës minimale së bashku me indeksimin parashikohet rreth 10 miliardë lekë.
Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror për 87,112 punonjës planifikohen në masën 140.1 miliardë lekë ose 5% e PBB.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2026 janë parashikuar në masën 81 miliardë lekë. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajta e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe siguria kibernetike, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja për arsimin dhe sportin.
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 2.45 miliardë lekë. Subvencionet shtetërore për vitin 2026 janë përqëndruar në financimin e skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të aktivitetit hekurudhor.
Shpenzimet e fondeve speciale përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve. Këto shpenzime janë planifikuar në vlerën prej 286.6 miliardë lekë.
Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2026, parashikohet në masën 204.1 miliardë lekë dhe nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.65 miliardë lekë dhe 10 miliardë lekë për shtesën e rritjes së pensionëve, që planifikohet të shtrihet dhe në periudhën afatmesme.
Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2026 janë parashikuar në masën 67.3 miliardë lekë.
Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të
ish- Pronarëve
parashikohen në total në masën 3.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 500 milionë lekë, krahasuar me vitin 2025.
Shpenzime të tjera sociale, përfshijnë fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve. Më konkretisht:
Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 1 miliard lekë;
Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 9 miliardë lekë;
Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 5 miliardë lekë;
Për bonusin e bebeve është parashikuar një fond prej 3 miliardë lekë.
Investimet Publike për vitin 2026 janë planifikuar në masën ose 179.6 miliardë lekë 6.5% e PBB. Në këtë total janë të përfshira dhe 6.8 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE si dhe fondi i Rindërtimit në shumën 5 miliardë lekë. Në planifikimin e investimeve për vitin 2026 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të brendshëm dhe të huaj dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Vëllimi i investimeve publike në vitin 2026 parashikohet me rreth 15.5 miliardë lekë më shumë në krahasim me vitin 2025.
Për sa i përket MBËSHTETJES SË SEKTORËVE PRIORITARË, fillimisht dëshiroj ta filloj me :
Arsimin, ku parashikojmë që për vitin 2026 shpenzimet totale të sektorit të jenë 89.8 miliardë lekë ose rreth 900 milionë euro, APO 3.2% në raport me PBB-në. Krahasuar me buxhetin 2025 janë 4.4 miliardë lekë më shumë.
Në këtë sektor do të financohen me përparësi gjatë vitit 2026, përveç përfshirjes së efektit të plotë të indeksimit të pagave për mësuesit dhe pedagogët, nga 1 Janar 2026, politikat si vijon:
Tekste shkollore falas nga klasa e parë deri në klasën e nëntë për rreth 220,000 nxënës;
Tekste shkollore falas për rreth 15,000 nxënës nga shtresa sociale në nevojë në arsimin e mesëm të lartë;
Bursa financiare, si dhe kuota ushqimore për 4,000 nxënës me nevoja të veçanta;
Sigurim shërbim transporti falas për 35,000 nxënës dhe 13,500 mësues;
Financim i programit pas shkollor;
Sa i përket Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, do të ndalem në një analizë për secilën fushë më vete nisur nga rëndësia që mbart secila prej tyre në këtë projektbuxhet.
Shëndetësia
Shpenzimet e sektorit të shëndetësisë për vitin 2026 planifikohen të jenë në masën 81.2 miliardë lekëose rreth 2.9% të PBB-së, ose 4.9 miliardë lekë apo 50 milionë euro më shumë se Buxheti 2025.
Theksoj që përveç indeksimit të pagave dhe njehsimit të vjetërësisë për mjekët dhe infermierët, projektbuxheti 2026 do të financojë me prioritet edhe politikat, si:
Trajtimi me recetë rimbursimi të barnave për rreth 400 mijë pacientë;
Financimi me 1.5 miliardë lekë më shumë për rimbursimin e barnave onkologjike në shërbimin parësor dhe sigurimin e tyre në të gjithë sistemin spitalor;
Rikonstruksion i një sërë spitaleve rajonale dhe qendrave shëndetësore;
180,000 fëmijë dhe 280,000 qytetarë do të përfitojnë nga mbrojtja nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit, etj..
Mbrojtja sociale:
Shpenzimet për mbrojtjen sociale për vitin 2026 parashikohen të jenë 257.3 miliardë lekë ose rreth 10% e PBB. Krahasuar me Buxhetin 2025 do të kemi një shtesë prej 11.6 miliardë lekë.
Projektbuxheti 2026 garanton rritjen e qëndrueshme të mburojës sociale për shtresat në nevojë, me fokus tek fëmijët, nënat me shumë fëmijë, të moshuarit dhe familjet vulnerabël. Nga programet e mbrojtjes sociale përmendim:
61,000 përfitues nga skema e ndihmës ekonomike;
94,000 përfitues si persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë të tyre;
8,300 gra të papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri në 18 vjeç që mbështeten me kontribute shoqërore për periudhën e kujdesit;
780 mijë përfitues për skemat mbështetëse të pensioneve;
33,000 të porsalindur do të përfitojnë nga programi i “Bonusit të Bebes”.
Bujqësia do të përfitojë rreth 16.3 miliardë lekë në vitin 2026. Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2025, ky sektor do të përfitojë rreth 1.3 miliardë lekë më shumë.
Ndër prioritetet kryesore që parashikohet të financohen për bujqësinë janë:
Skema kombëtare e fermerëve dhe e subvencionimit të naftës, me një fond total 5.1 miliardë lekë në vitin 2026 i cili parashikohet me rritje rreth 700 milionë lekë krahasuar me buxhetin e rishikuar 2025, duke shënuar kësisoj mbështetjen më të madhe direkte deri më tani të akorduar nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.
Por, kjo nuk është masa e vetme e natyrës financiare e ndërmarrë nga Qeveria për fermerët, pasi në projektbuxhetin 2026, sikurse e përmenda më lart tek paketa fiskale, parashikohet që ata të përfitojnë minimalisht rreth 15 milionë euro nga skema e kompensimit të TVSH.
Gjithashtu, fermerëve do të vijojë t’ju ofrohet mundësia e përfitimit nga Garancisë Sovrane me një fond total prej 3 miliardë lekësh apo 30 milionë euro nëpërmjet kredive të buta që do të jepen nga bankat e nivelit të dytë.
Në fushën e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit synohet fuqizimi i sistemit të kontrollit dhe inspektimit, duke përfshirë të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë;
Lidhur me Menaxhimin e Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit, fokusi do të jetë në rehabilitimin e kanaleve ujitës dhe investimeve në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse me një fond total prej 2.6 miliardë lekë nga të cilat 1.15 miliardë janë fonde të dedikuara për bashkitë.
Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë parashikohen në vlerën 78.3 miliardë lekë. Krahasuar me Buxhetin 2025 janë 3.1 miliardë lekë më shumë.
Ndër projektet më të rëndësishme mund të përmendim:
Mirëmbajtjen e 3,522 km rrugë;
Financimin e rrugës Elbasan – Lekaj;
Zgjerimin e Autostradës Tiranë-Durrës dhe Berat-Ballaban;
Zgjerimin e rrugës së Ksamilit dhe Ndërtimi By Pass Sarandë;
Ndërtimin e rrugës Kashar – Nyja Vaqarr dhe Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat- Ndroq – Plepa;
Zgjerimin e rrugës Elbasan -Qafë Thanë;
Rehabilitimin e linjës hekurudhore Vore – Hani i Hotit;
Rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë;
Projektet në infrastruturën e ujësjellës-kanalizimeve do të kapin vlerën totale prej 11.8 miliardë lekë;
Për Digjitalizmin, fondet në projektbuxhetin 2026 parashikohen në rreth 18.9 miliardë lekë, nga të cilat :
Mirëmbajtja sistemeve qeveritare, blerja e licencave dhe shërbimeve të ndryshme nga Microsoft, si dhe ofrimi i shërbimit të sigurisë kibernetike me një kosto totale rreth 2 miliardë lekë;
Projektet e ndryshme për infrastrukturën digjitale dhe sigurinë kibernetike do të financohen me një fond total prej 3 miliardë lekë.
Për Mbrojtjen synohet të garantohet respektimi i angazhimit të shtetit shqiptar, i dakordësuar në Samitin e NATO-s në Hagë në Qershor 2025.
Për këtë qëllim, në vitin 2026, Ministria e Mbrojtjes do të përfitojë rreth 58.9 miliardë lekë ose rreth 2.12% të PBB. Ndërsa në vitin 2035 shpenzimet parashikohet të zënë 3.5% të PBB.
Për vitin 2026, shpenzimet buxhetore për Drejtësinë dhe Rendin parashikohen në vlerën 59.4 miliardë lekë. Krahasuar me Buxhetin 2025 do të akordohen rreth 5.8 miliardë lekë më shumë.
Në fondin total, përfshihen 26.2 miliardë lekë për të siguruar realizimin optimal të veprimtarisë funksionale të institucioneve të sistemit të drejtësisë, si dhe zbatimin e disa projekteve të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës së insitucioneve të rehabilitimit dhe vuajtjes së dënimit.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2026 janë parashikuar në masën 97.7 miliardë lekë, me një rritje prej 9% krahasuar me buxhetin e vitit 2025.
Transferta e pakushtëzuar për vitin 2026 është parashikuar në vlerën 27.8 miliardë lekë, që përbën një rritje prej 1.6 miliardë lekë ose rreth 6% më shumë se në vitin 2025. Krahasuar me vitin 2015, si viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale, kjo transfertë është rritur me 15.5 miliardë lekë, ose më shumë se dyfish.
Përveç transfertës së pakushtëzuar, në vitin 2026 parashikohen edhe këto fonde shtesë:
8 miliardë lekë si transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja;
200 milionë lekë si grant performance, që përdoret si mekanizëm financiar për nxitjen e performancës në qeverisjen vendore;
5 miliardë lekë si transfertë sektoriale për rritjen e pagave.
Në total, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në vitin 2026 do të arrijë në 47.3 miliardë lekë, nga 43.1 miliardë lekë në vitin 2025, një rritje prej 4.2 miliardë lekësh apo 42 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2025.
Të dashur qytetarë,
Ky është buxheti i një Shqipërie që siguron një trajektore të re zhvillimi dhe që e përgatit vendin për hapin e madh drejt integrimit europian, jo vetëm si proces politik, por si transformim i standardeve tona ekonomike dhe fiskale.
Ndaj them me bindje, se :
Ky është buxheti i zhvillimit, i mirëqenies, i një Shqipërie më të begatë.