Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në takimin me përfaqësues të biznesit, me pjesëmarrjen edhe të Kryeministrit Edi Rama dhe të Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe partneritetit mes qeverisë dhe sipërmarrjes, si një element kyç për zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian të vendit.
Ministri Malaj nënvizoi se sipërmarrja mbetet partner strategjik në hartimin e politikave të qeverisë, duke theksuar se shumë nga reformat fiskale dhe ekonomike janë ndërtuar mbi kërkesat dhe shqetësimet e komunitetit të biznesit. Z. Malaj solli si shembull ligjin e Paqes Fiskale dhe ligjin për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore, të cilat u konceptuan pas konsultimeve me biznesin dhe në përputhje me praktikat më të mira europiane, duke garantuar njëkohësisht stabilitetin fiskal dhe drejtësinë ndaj tatimpaguesve të rregullt.

Ministri Malaj vuri në dukje se Shqipëria ka hyrë në një proces reformash transformese, duke theksuar rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 9.6 miliardë euro në vitin 2013 në mbi 27 miliardë euro sot, si dhe trefishimin e të ardhurave për frymë. Objektivi, tha z. Malaj, është një ekonomi prej 35 miliardë eurosh dhe të ardhura për frymë në nivelin 15 mijë euro deri në vitin 2030.
Në këtë kuadër, Ministri theksoi se Paketa Fiskale 2026 përfaqëson një qasje strategjike dhe jo thjesht teknike, duke synuar mbështetjen e biznesit, thjeshtimin e barrës administrative dhe rritjen e konkurrueshmërisë, pa rritur taksat. Paketa është e harmonizuar me Programin Qeverisës 2025–2029 dhe me objektivat e integrimit në Bashkimin Europian.
“Ne duam të garantojmë një sistem fiskal i cili është i thjeshtë, është transparent dhe natyrisht është i drejtë. Duam të ngremë një sistem që nxit konkurrencën e ndershme, forcon besimin dhe afron kuadrin tonë fiskal me kuadrin fiskal të Bashkimit Europian”, u shpreh Ministri.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Paqes Fiskale, e cilësuar si një kapitull i ri në marrëdhënien mes shtetit dhe sipërmarrjes.
Fjala e Ministrit Petrit Malaj:
Dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim të sotëm dhe pikërisht në këtë periudhë që besoj është e ngarkuar për të gjithë ne, duke qenë se jemi në prag të fund vitit. Megjithatë, unë besoj që kjo është koha më e mirë ku ne të gjithë së bashku mund të ulemi, të bëjmë një bilanc dhe të mund të reflektojmë mbi atë që kemi arritur, por edhe për atë që do të duam të bëjmë në të ardhmen.
Do të doja shumë që ky takim të shërbejë në këtë frymë, si një mundësi për të komunikuar, për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të forcuar urat e bashkëpunimit, mbi sfidat dhe prioritetet përsa i përket zhvillimit të vendit tonë.
Për ne si qeveri, për Ministrinë e Financave dhe patjetër edhe për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, sipërmarrja është dhe do të mbetet partner kyç në hartimin e politikave që ne ndërmarrim.
E them këtë, duke pasur parasysh se një pjesë e politikave që ne zbatojmë vijnë si rezultat i kërkesave tuaja, nisur nga sfidat apo shqetësimet që ju keni në përditshmërinë tuaj, apo edhe nisur nga planet tuaja afatgjata përsa i përket investimeve që do të doni të kryeni në kohë.
Po e nis, përshembull, nga ligji i Paqës Fiskale apo ligji për fshirjen e Detyrimeve Tatimore dhe Doganore, të dyja këto nisma që erdhën nga kolegia ime Delina, në atë kohë Ministre për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, sot Ministre e Ekonomisë, nisma të cilat vijnë si kërkesa të ardhura nga ju si komunitet i biznesit.
Këto kërkesat na u parashtruan nga kjo Ministri dhe ne si Ministri e Financave, bazuar në një praktikë të konsoliduar, bëmë një vlerësim, nisur edhe nga përvojat ndërkombëtare, për të garantuar që këto politika nuk do të cënonin stabilitetit fiskal, por mbi të gjitha nuk do të dekurajonin tatimpaguesit e rregullt.
Për ne është shumë e rëndësishme që, në kuadër të procesit të integrimit me Bashkimin Europian, jo vetëm të sigurojmë një harmonizim të legjislacionit tonë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por edhe të përgatisim kushtet që biznesi shqiptar të jetë i përgatitur dhe me avantazhe konkurruese përpara se të hyjë në tregun e BE.
Shqipëria sot ka hyrë në një proces reformash dhe procesesh transformuese. Në pak më shumë se një dekadë, potenciali ynë prodhues është trefishuar. Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur mbi 3 herë, nga 9.6 miliardë euro që ka qenë në vitin 2013 në 27 miliardë euro sot që flasim, dhe projeksioni ynë është që ekonominë shqiptare në vitin 2030 ta çojmë në 35 miliardë eurove në 2030. Kjo nuk është vetëm një statistikë, por rritja Prodhimit të Brendshëm Bruto përkthehet në një ekonomi shumë më aktive, në më shumë vende pune, në më shumë investime dhe më shumë siguri.
Po kaq e rëndësishme për qeverinë është edhe cilësia e rritjes ekonomike që ka vendi ynë. Të ardhurat për frymë janë trefishuar, nga 3,300 euro që kanë qenë në vitin 2013 në mbi 10,400 euro sot që flasim dhe objektivi i kësaj qeverie është që në vitin 2030 të ardhurat për frymë në Shqipëri të kalojnë 15 mijë euro. Gjithashtu, Shqipëria ka pasur një ecuri dhe një ritëm rritjeje shumë herë më të shpejtë dhe më të fortë edhe se sa vendet e Ballkanit Perëndimor. Në 10 vitet e fundit, rritja e Shqipërisë ka qenë mbi 110 %, në një kohë që mesatarja e rritjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë diku te 58 %.
Në këtë kontekst, edhe Paketa Fiskale 2026 nuk është thjesht një ushtrim teknik që qeveria ndërmerr, por në fakt është paraqitja politike dhe strategjike e kësaj qeverie. Ajo është hartuar me synimin për të mbështetur biznesin, për të lehtësuar barrën administrative dhe për të krijuar një mjedis më konkurrues ndërmjet jush, por mbi të gjitha kjo paketë fiskale është ndërtuar pa rritur barrën e taksave për ju. Besoj kjo është një arritje shumë e madhe pasi kemi arritur të rrisim të ardhurat e buxhetit pa rritur taksat dhe barrën fiskale për secilin nga ju. Kjo paketë përbëhet nga tetë ligje, ku katër ligjet kryesore besoj biem dakord që janë: Ligji për faljen e detyrimeve tatimore, ligji i paqes fiskale, është TVSH-ja në bujqësi, si dhe ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Këto besoj janë katër ligjet që edhe juve ju impaktojnë më gjerësisht dhe janë  të harmonizuara tërësisht me Programin Qeverisës 2025–2029 dhe veçanërisht me Shtyllën e Rritjes Ekonomike të Qëndrueshme.
Qëllimi ynë mbetet i qartë:
Ne duam të garantojmë një sistem fiskal i cili është i thjeshtë, është transparent dhe natyrisht është i drejtë. Duam të ngremë një sistem që nxit konkurrencën e ndershme, forcon besimin dhe afron kuadrin tonë fiskal me kuadrin fiskal të Bashkimit Europian.
Integrimi europian për Shqipërinë nuk është vetëm thjesht proces diplomatik.
Reformat që ne po ndërmarrim nuk janë vetëm në planin e proceseve administrative, por ato padiskutim prekin edhe sektorin privat. Biznesi shqiptar duhet të ketë të gjithë njohuritë e nevojshme, që jo vetëm të kuptojë se si funkisionon tregu i unifikuar, pra tregu i Bashkimit Evropian, por duhet të jetë i përgatitur dhe duhet të ketë avantazhe konkurruese përpara se të shkojmë te ky treg.
Për këtë arsye, ne duhet të bashkëpunojmë ngushtësisht me njëri-tjetrin, në mënyrë që t’i shërbejmë një qëllimi të vetëm, t’i shërbejmë vizionit Shqipëria 2030, por nga ana tjetër t’i shërbejmë edhe Shqipërisë për tu integruar sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
Ne mund të diskutojmë përmes pyetjeve dhe përgjigjeve sa i përket Paketës Fiskale, për të adresuar ndonjë pyetje që ju mund të keni mbi ligjet që janë aprovuar tashmë nga Parlamenti shqiptar.
Padiskutim duhet të kuptojmë që rruga drejt Bashkimit Europian kërkon një përgjegjësi të përbashkët. Qeveria, nga njëra anë, ka detyrën të krijojë rregulla të drejta dhe një klimë biznesi të qëndrueshme por, nga ana tjetër, edhe ju si investitorë, si biznese, keni rolin kyç për të investuar, për të krijuar vlerë dhe për të respektuar ligjin.
Vetëm së bashku do të mund ta çojmë Shqipërinë përpara, drejt një ekonomie moderne, drejt një ekonomie konkurruese dhe padiskutim drejt një ekonomie europiane.