Ministria e Financave

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së sotme disa ndryshime të rëndësishme që lidhen me procesin e dëmshpërblimit financiar të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.
Në një deklaratë për media pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, informoi se ndryshimet e miratuara i referohen Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 419, datë 14.4.2011 “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit të ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
Sipas këtyre ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Financave, do të hiqet kufizimi për ndarjen e dëmshpërblimit financiar në tetë këste të barabarta, ndërsa parashikohet se të gjitha dosjet ku vlera e mbetur e dëmshpërblimit financiar për tu paguar është deri në 1 milion lekë do të likujdohen brenda këstit të radhës.
Bazuar në këto ndryshime parashikohet se brenda një afati kohor 4-5 vjeçar do të paguhen plotësisht rreth 6,000 dosje, nga 10,360 që janë në total, në proces pagese, ndërkohë që pritet të ketë përshpejtim të ndjeshëm në kohë të procesimit të pagesave, ku intervali mes kësteve reduktohet në rreth 2–2.5 vite nga 3.5–4 vite që është aktualisht.
“Ky vendim synon jo vetëm rritjen e eficiencës së pagesave, por mbi të gjitha përmbushjen e një detyrimi moral ndaj familjeve të të gjithë personave që kanë vuajtur në mënyrë të padrejtë nga regjimi i kaluar”, u shpreh Ministri gjatë deklaratës së tij, ndërsa theksoi se ndryshimet do të sjellin edhe nevojën për të shtuar fondin vjetor për dëmshpërblim ndaj ish të përndjekurve politikë, i cili për vitin 2026 është rreth 1.5 miliardë lekë.