Ministria e Financave
Në Bruksel u zhvillua sot Takimi i 17-të i Nënkomitetit për Çështjet Ekonomike, Financiare dhe Statistikat BE–Shqipëri, ku delegacioni shqiptar kryesohej nga zëvendësministrat e Financave, znj. Erjona Çela dhe z. Andi Memeti.
Takimi shërben si platformë dialogu mbi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. Delegacioni shqiptar nder te tjera theksoi rritjen e qëndrueshme fiskale, uljen e papunësisë dhe forcimin e investimeve. U vu në pah gjithashtu përmirësimi i klimës së biznesit, menaxhimit të financave publike dhe transparencës fiskale.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua mbrojtjes së interesave financiare të BE-së, ku Shqipëria paraqiti hapat e ndërmarrë për forcimin e kontrolleve, auditimeve dhe mekanizmave kundër abuzimeve, duke garantuar përdorim më të drejtë dhe efektiv të fondeve evropiane.
Mbështetja e BE-së përmes granteve dhe projekteve mbetet thelbësore për reformat strukturore dhe modernizimin e sektorëve strategjikë. Shqipëria konfirmoi angazhimin e saj për transparencë dhe llogaridhënie, duke synuar përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në vitin 2030.