Ministria e Financave

Akti Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2025, i miratuar në Këshillin e Ministrave dhe i hyrë tashmë në fuqi, erdhi si nevojë e reflektimit të ndryshimeve për fushat e përgjegjësisë të disa ministrive të linjës, por edhe për të garantuar përdorimin sa më efikas të fondeve publike.
Për rrjedhojë, Ministria e Financave pas analizimit të performancës 8 mujore të ecurisë së zbatimit të treguesve të konsoliduar makrofiskal dhe buxhetor, si edhe vlerësimit të pritshmërive të realizimit të tyre deri në fund të vitit, përgatiti rishikimin e buxhetit për vitin 2025, me qëllim që, krahas materializimit të fushave të reja të përgjegjësisë funksionale, të bëhej i mundur edhe rivlerësimi i disa parametrave buxhetorë, si dhe harmonizimi i tyre sipas ecurisë së zbatimit.
Më konkretisht, përmes këtij Akti Normativ parashikojmë:
Akomodimin e një volumi të përgjithshëm prej 21.8 miliardë lekë për shpenzime korente e kapitale, përmes rishpërndarjes së kursimeve dhe hapësirave të tjera fiskale, me fokus mbështetjen e prioriteteve të Qeverisë. Nga këto, vetëm investimet me financim të brendshëm rriten në terma neto me 7.97 miliardë lekë, për të garantuar vijimin e projekteve të rëndësishme në infrastrukturë, dixhitalizim, etj..
Financimin shtesë për Bonusin e fundvitit për pensionistët prej 5.9 miliardë lekë, që e çon në 9.7 miliardë lekë fondin total të dedikuar në 2025 për këtë politikë.
Rritjen me 12.1 miliardë lekë të të ardhurave të përgjithshme, nisur nga tejkalimi i të ardhurave tatimore, doganore, por edhe i atyre të kontributeve shoqërore.
Një element i rëndësishëm për t’u theksuar është ulja e deficitit buxhetor  në nivelin 61.6 miliardë lekë ose 2.4% e PBB, nga 2.6% e PBB të miratuar në buxhetin fillestar 2025. Kjo ulje vjen kryesisht si rrjedhojë e menaxhimi të mirë të borxhit publik, por edhe kushteve më të favorshme të financimit, ndërkohë që balanca primare targetohet neutrale, në përputhje me rregullat fiskal të Ligjit Organik të Buxhetit.
Ministria e Financave do të vijojë të sigurojë konsolidimin fiskal, qëndrueshmërinë e financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik në tërësi.