Ministria e Financave

Bëhu pjesë e vendimmarrjes në Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian për kapitujt nën drejtimin e Ministrisë së Financave

Ministria e Financave fton të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, medias, pushtetit vendor, komunitetit të biznesit, shoqatave të punëmarrësve, botës akademike, qendrave kërkimore dhe grupeve të tjera të interesit, të bëhen pjesë në Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian për kapitullin 16 “Tatimet”, kapitullin 29 “Bashkimi Doganor”, kapitullin 32 “Kontrolli Financiar”, kapitullin 33 “Dispozitat Financiare e Buxhetore”. Këto tryeza janë një hapësirë e hapur për dialog dhe bashkëpunim, ku zërat e aktorëve të ndryshëm kontribuojnë me ide, rekomandime dhe propozime konkrete.
Çfarë është Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE)?
Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian është ura që lidh procesin teknik të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian me shoqërinë e gjerë shqiptare.
E konceptuar si një mekanizëm gjithëpërfshirës ku bashkohen ide, qëndrime dhe ekspertiza të shumëllojshme, PPIE u jep zë aktorëve nga shoqëria civile, akademia, bota e biznesit dhe media, duke i përfshirë drejtpërdrejt në diskutime dhe vendimmarrje për çdo kapitull të negociatave, me synimin për të udhëhequr një proces sa më të hapur, të informuar dhe përfaqësues.
Tryezat e Partneritetit për kapitujt 16, 29, 32, 33, udhëhiqen nga Ministria e Financave, teksa koordinimi teknik garantohet nga Drejtoria e Integrimit, Koordinimit, Administratës, Marrëveshjeve Projekteve IPA dhe Donatorëve të tjerë  në rolin e Sekretariatit Teknik.
Me synimin për të bashkëndërtuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, këto tryeza kanë një rol këshillues dhe shërbejnë si një hapësirë konsultimi mes aktorëve shtetërorë dhe shoqërisë së gjerë.  Ato synojnë të mbledhin, në mënyrë të strukturuar, kontributin dhe mendimin e aktorëve kyç të shoqërisë shqiptare për fushat që lidhen me këta kapituj të acquis në zbatim të vizionit të përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Kush mund të aplikojë?

  • Media
  • Pushteti vendor
  • Komuniteti i biznesit
  • Shoqatat e punëmarrësve
  • Bota akademike dhe qendrat kërkimore
  • Grupe të tjera interesi

Si të aplikoni?
Të gjithë të interesuarit ftohen të dërgojnë në adresën e postës elektronike info@financa.gov.al:

  1. i) formularin e plotësuar të aplikimit (sipas Aneksit 1 ) bashkëlidhur, ku të përcaktohet qartë përvoja në fushat relevante për kapitujt specifikë 16,29,32,33,e si dhe interesi për të qenë pjesë e tryezës, dhe
  2. ii) një Curriculum Vitae të veprimtarisë së individit/entitetit.

Aplikimi është i hapur për të gjithë organizatat e shoqërisë civile, pushtetit vendor, komunitetit të biznesit, shoqatat e punëmarrësve, përfaqësues të rretheve akademike, mediave dhe grupeve të interesit referuar përcaktimeve të kreut III, pika 4 të Urdhrit Nr. 113 datë 30/08/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian”.

Format Shprehjeje Interesi

Mirëpresim aplikimin tuaj!