Ministria e Financave

Në kuadër të përgatitjeve për procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, gjatë vitit 2026, Ministria e Financave ka organizuar dhe vijon të organizojë një sërë tryezash diskutimi në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE), të fokusuara në Kapitullin 16 “Tatimet”, Kapitullin 29 “Bashkimi Doganor”, Kapitullin 32 “Kontrolli Financiar” dhe Kapitullin 33 “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore”.

Këto aktivitete përbëjnë një instrument të rëndësishëm për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik, biznesit, partnerëve socialë dhe pushtetit vendor, duke promovuar transparencën, gjithëpërfshirjen dhe pjesëmarrjen aktive në procesin e integrimit evropian.

Tryezat e diskutimit në kuadër të PPIE synojnë:

  • rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi procesin e integrimit evropian;
  • informimin e aktorëve të interesuar mbi zhvillimet dhe hapat konkretë të negociatave të anëtarësimit;
  • nxitjen e pjesëmarrjes aktive të aktorëve joqeveritarë në diskutimin e politikave dhe reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE;
  • mbledhjen e kontributeve dhe rekomandimeve nga grupet e interesit për çështje që lidhen me kapitujt e negociatave.

Në kalendarin e aktiviteteve të PPIE-së sipas kapitujve nën drejtimin e Ministrisë së Financave, do të gjeni temat konkrete që do të trajtohen gjatë vitit 2026. Ndër çështjet kryesore për diskutime do të përfshihen:

  • roli dhe rëndësia e PPIE-së në garantimin e angazhimit publik dhe përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian;
  • përgatitja e kuadrit legjislativ dhe institucional në përputhje me acquis të Bashkimit Evropian sipas kapitujve;
  • piketat mbyllëse (closing benchmarks) të përcaktuara në Qëndrimet e Përbashkëta të Bashkimit Evropian;
  • zhvillimet dhe rezultatet e mbledhjeve të Nënkomiteteve BE–Shqipëri në fushat dhe kapitujt e mbuluara nga Ministria e Financave