Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë Aktin Normativ nr. 4, datë 27.11.2024 “Për një shtesë në ligjin nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.
Përmes këtij akti normativ bëhet e mundur kthimi i kësteve të parapaguara të tatimfitimit nga tatimpaguesit që ofrojnë shërbime profesionale, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila shfuqizoi skemën tatimore për përfshirjen në skemën progresive tatimore të furnizuesve të shërbimeve profesionale.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi faktin se, menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria shprehu vullnetin e plotë për të adresuar kthimin e parapagimeve/kësteve të gjeneruara dhe të paguara nga tatimpaguesit që furnizojnë me shërbime profesionale, me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, tatimpagues të cilët tashmë kanë një normë tatimore 0% të Tatimit mbi Fitimin.
“Qëllimi ynë ishte jo vetëm të përmirësonim gjendjen ligjore dhe financiare të bizneseve, por edhe të shmangim të gjithë konfuzionin e krijuar, ndaj në përmbushje të vullnetit të qeverisë, me propozim të Ministrit të Financave u miratua ky akt normativ”, tha z. Malaj.
Nga verifikimi i të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, nga rreth 27.605 tatimpagues ofrues të shërbimeve profesionale që rezultojnë në total, për 19,468 tatimpagues do të fshihen detyrimet e gjeneruara si këste paraprake, ndërsa për 8,137 tatimpagues do të ndiqet procedura e rimbursimit.
Ministri informoi se tashmë procesi i rimbursimit dhe fshirjes së detyrimeve për këtë kategori tatimpaguesish ka nisur dhe do të vijojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
“Në datën 18 dhjetor Administrata Tatimore mundësoi kryerjen e rimbursimit të pagesave të kryera si këste paraprake për 7.157 tatimpagues. Procesi i rimbursimit të pagesave të kryera do të vijojë çdo ditë, për secilin prej 980 tatimpaguesve që do të deklarojnë llogaritë bankare. Më duhet të theksoj dhe të qartësoj se asnjë tatimpagues nuk do të humbasë të drejtën e rimbursimit. Edhe nëse ka tejkalim të afateve të deklarimit të llogarive bankare, procesi do të vijojë të zbatohet nga Drejtoritë Rajonale Tatimore edhe gjatë vitit 2025”, u shpreh z. Malaj.
Nga ana tjetër, Ministri nënvizoi se vizioni i qeverisë është fuqizimi i ekonomisë, nxitja e investimeve, rritja e mirëqenies, reduktimi i informalitetit dhe evazionit fiskal, bazuar mbi parimet e së drejtës, barazisë, ekuilibrave të qëndrueshëm, si dhe në mbrojtje të interesit publik e privat.
Fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj:
E nderuar kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Akti Normativ që sjellim sot për diskutim dhe miratim ka për qëllim zbatimin e disa ndryshimeve në Ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat.
Nevoja për hartimin e këtij Akti erdhi me qëllimin primar garantimin e parimit të sigurisë juridike dhe shmangien e trajtimit të diferencuar për subjektet që ofrojnë shërbime profesionale.
Në fakt, këto parime kanë udhëhequr Ministrinë e Financave edhe në kohën kur ligj i ri u hartua.
Ajo çka evidentuam ishte fakti se në atë periudhë, nga rreth 110 mijë tatimpagues aktivë, gati 46% operonin në fushën e shërbimeve. E teksa numri i bizneseve që operonin në këtë fushë rritej, numri i të punësuarve ulej. Nga ana tjetër ishin konstatuar edhe shmangie tatimore. Kalohej nga ofrimi i shërbimeve si i punësuar (tatimi progresiv 0 %; 13 % dhe 23 %), në ofrimin e shërbimeve si i vetëpunësuar (ku norma e tatimit është 0 % për të ardhura deri 14 milionë lekë në vit).
Hyrja e ligjit në fuqi, në Janar të vitit 2024, parashikonte që të vendosej barazia dhe të eliminohej parimi i neutralitetit të tatimit (ku një i punësuar dhe një i vetëpunësuar, të cilët bënin të njëjtën punë, kishin diferencim të papranueshëm të barrës fiskale. I pari 0 % tatim i dyti 13% dhe 23 % tatim mbi të ardhurat).
Ndaj, u parashikua që furnizuesit e shërbimeve profesionale të përfshiheshin në skemën progresive tatimore njësoj si të punësuarit.
Kjo dispozitë që kishte si synim vendosjen e barazisë
u kundërshtua nga grupet e interesit dhe çështja kaloi në Gjykatën Kushtetuese, e cila, pasi e shqyrtoi, me Vendim nr. 52 datë 27.06.2024 e shfuqizoi si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Ky vendim shfuqizoi skemën tatimore e cila përfshinte furnizuesit e shërbimeve profesionale me qarkullim deri në 14 milionë lekë, por nuk shprehej lidhur me efektet e prodhuara nga këto akte ligjore dhe nënligjore.
Në këto kushte, Ministria e Financave ndoqi rrugën ligjore, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të interpretuar dhe për t’u udhëzuar mbi procedurat se si duhet të vepronim për efektet që prodhoi ligji nga hyrja në fuqi deri në momentin e shfuqizimit.
Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh, duke lënë të nënkuptohej që efektet e prodhuara ishin legjitime.
Që në krye të herës, Qeveria, shprehu vullnetin e plotë për të adresuar kthimin e parapagimeve/kësteve të gjeneruara dhe të paguara nga tatimpaguesit që furnizojnë me shërbime profesionale, me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, tatimpagues të cilët tashmë kanë një normë tatimore 0% të Tatimit mbi Fitimin.
Qëllimi ynë ishte, jo vetëm të përmirësonim gjendjen ligjore dhe financiare të bizneseve, por edhe të shmangim të gjithë konfuzionin e krijuar, ndaj në përmbushje të vullnetit të qeverisë, me propozim të Ministrit të Financave u miratua ky akt normativ.
Të nderuar deputetë,
Tymnajën që shoqëroi të gjithë këtë proces, do të doja ta konsideroja më së shumti si një nevojë për tërheqje vëmendje mediatike sesa si një logjikë për të krijuar oponencë.
Qeveria, në detyrimin e saj i përmbahet procedurave dhe ruan konformitetin sipas ligjeve dhe akteve të posaçme.
Në këtë frymë, u ngarkua edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që të hartonte një rregullore të detajuar e cila miratoi procedurat e nevojshme për zbatimin dhe mbarëvajtjen e plotë.
Nga verifikimi i të dhënave rezultoi se ofrues të shërbimeve profesionale ishin në total 27.605 tatimpagues. Për një pjesë të tyre, detyrimi ishte kthimi i parapagimeve të gjeneruara, ndërsa për një pjesë do të duhej të fshiheshin detyrimet e gjeneruara si këste paraprake.
Më konkretisht hapat e ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nga miratimi i aktit në qeveri deri tani janë :
Për 19,468 tatimpagues – fshirja e detyrimeve të gjeneruara si këste paraprake
Për 8,137 tatimpagues – krijimi i procedurës së rimbursimit
Pas, evidentimit të tatimpaguesve, Administrata Tatimore ndërmori njoftimin publik, me qëllim që tatimpaguesit të bënin verifikimin dhe saktësimin e llogarive bankare të vetëdeklaruara në e-Filing, brenda datës 10 dhjetor 2024.
Rezultoi se 1,809 tatimpagues nuk kishin një llogari të tillë në sistemin e -Filing dhe për këtë kategori afati u shty deri në datë 18 dhjetor 2024.
Po, në këtë datë ( 18 dhjetor), Administrata Tatimore mundësoi edhe kryerjen e rimbursimit të pagesave të kryera si këste paraprake për 7.157 tatimpagues.
Procesi i rimbursimit të pagesave të kryera do të vijojë çdo ditë, për secilin prej 980 tatimpaguesve, që do të deklarojnë llogarite bankare.
Më duhet të theksoj dhe të qartësoj se asnjë tatimpagues nuk do të humbasë të drejtën e rimbursimi. E përsëris: Asnjë! Edhe nëse ka tejkalim të afateve të deklarimit të llogarive bankare, procesi do të vijojë të zbatohet nga Drejtoritë Rajonale Tatimore edhe gjatë vitit 2025.
Të nderuar deputetë,
Vizioni i kësaj qeverie është i qartë: të fuqizojë ekonominë, të nxisë investimet, të rrisë mirëqenien, të reduktojë informalitetin dhe evazionin fiskal, bazuar mbi parimet e së drejtës, barazisë, ekuilibrave të qëndrueshëm, si dhe në mbrojtje të interesit publik e privat.
Bashkëpunimin me biznesin për të garantuar konkurrencën, taksimin e drejtë mbeten për prioritete të punës sonë. Në çdo rast qasja jonë është ndërgjegjësuese ndaj tatimpaguesve, për të siguruar përmbushjen vullnetare të detyrimeve.
Ndaj, për sa më sipër, të nderuar deputetë, ju ftoj ta votojmë këtë projektligj.
Faleminderit!