Ministria e Financave

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë eventin e organizuar në përfundim të Projektit për Trajnimin e Auditorëve të Brendshëm në Sektorin Publik –TIAPS. Projekti u zbatua nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Qendrën për Ekselencë në Financa nga Sllovenia, Institutin e Certifikuar për Financat Publike dhe Kontabilitetin (CIPFA), si dhe Programin për Mbështetjen e Përmirësimit të Qeverisjes dhe Menaxhimit (OECD Sigma). Qëllimi i tij ishte përmirësimi i sistemeve të auditimit të brendshëm në Shqipëri dhe mbështetja e reformave që janë thelbësore për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi ai përputhet me kërkesat e Kapitullit 32 të negociatave për anëtarësim në BE, duke u fokusuar në përmirësimin e kontrollit të brendshëm dhe duke adresuar një aspekt kritik të reformave të sektorit publik shqiptar për të përmbushur standardet e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj theksoi rëndësinë e funksionit të auditimit të brendshëm sa i përket sigurimit të përdorimin efektiv të burimeve publike dhe ruajtjen e besimit të publikut tek institucionet, në një kohë që ndër vite janë bërë përpjekje të rëndësishme për të përmirësuar sistemin e auditimit të brendshëm në të gjitha institucionet qeveritare.
Në këtë drejtim, Ministri tha se Projekti TIAPS ka siguruar trajnime cilësore për auditorët që punojnë në sektorin publik, duke i pajisur ata me mjete të avancuara, njohuri dhe praktika më të mira. Programi ka përfshirë trajnime të gjera mbi aspekte kyçe të auditimit të sektorit publik, që nga vlerësimi i rrezikut, te planifikimi, zbatimi dhe raportimi i auditimeve. Përmes këtij projekti, janë trajnuar me sukses një gjeneratë të re auditorësh të aftë, të cilët do të ndihmojnë në transformimin e institucioneve publike në institucione më efikase dhe transparente.

“Përfundimi i këtij trajnimi shënon një gur themeli në përpjekjet tona për të përmirësuar kuadrin e qeverisjes në Shqipëri. Kjo ceremoni shënon përfundimin e suksesshëm të një faze, por gjithashtu sinjalizon fillimin e një kapitulli të ri. Përfundimi i trajnimit TIAPS nuk do të thotë fund i udhëtimit tonë, por përkundrazi një fillim i ri. Puna jonë për forcimin e funksionit të auditimit të brendshëm duhet të vazhdojë dhe mësimet e nxjerra nga ky program do të ndërtojnë themelet për nisma të ardhshme”, u shpreh z. Malaj.
Ministri shprehu mirënjohjen për të gjithë trajnerët dhe partnerët që kontribuuan në suksesin e programit TIAPS, si dhe pjesëmarrësit që tani janë të pajisur me aftësi të vlefshme për të ngritur nivelin e auditimit në sektorin tonë publik.
“Përkushtimi i treguar nga të gjithë ju riafirmon angazhimin për ndërtimin e një sektori publik shqiptar më të fortë dhe më të përgjegjshëm. Ju inkurajoj të gjithë juve që morët pjesë në këtë trajnim, të aplikoni njohuritë dhe aftësitë e fituara në punën tuaj, duke siguruar që institucionet tona publike të vazhdojnë të jenë transparente, të përgjegjshme dhe të përgjigjen ndaj nevojave të qytetarëve tanë”, tha z. Malaj.
Po ashtu, Ministri i Financave shprehu angazhimin për vijimin e forcimit të kuadrit të auditimit të brendshëm, duke ofruar trajnime të vazhdueshme dhe duke promovuar një qasje bashkëpunuese për përmirësimin e qeverisjes publike.